Gjykata do të nisë procesin për ngjarjen në Qafë Gjashtë
TIRANË - Një tjetër ngjarje e rëndë e ndodhur në 1997-n do të bëhet së shpejti objekt shqyrtimi për Gjykatën e Krimeve të Rënda. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet dhe do të nisë për shqyrtim gjyqësor çështjen për masakrën e 4 marsit të vitit 1997 në Qafë Gjashtë në Sarandë, ku disa persona të armatosur vranë punonjësin e policisë Gjergji Mehmeti, plagosën ish-shefin e Policisë Kriminale të Vlorës, Sokol Bizhga, si dhe efektivin tjetër të policisë Edi Alia, të cilët ishin duke udhëtuar për shërbim pune nga Vlora në drejtim të Sarandës. Sipas organit të akuzës, në bankën e të akuzuarve për këtë ngjarje do të ulen shtetasit Vladimir Sinani, vëllai i tij Nestor Sinani, Edmond Sejko, Leonard Theodhori, Alqi Paguni. Ndërsa do të procedohet në mungesë Eduart Çipa, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet policore. Për dokumentimin ligjor të ngjarjes, Prokuroria ka siguruar materiale të shumta hetimore, mes të cilave dëshmi, madje edhe pamje filmike ku persona të armatosur shfaqen duke torturuar efektivin e policisë Edi Alia. Gjithashtu në dosje janë arkivuar edhe aktekspertime të shumta, procesverbale të mbajtura në vendngjarje e prova shkencore, me të cilat Prokuroria do të kërkojë të provojë akuzat ndaj të pandehurve të kësaj dosjeje. Hetimet për këtë ngjarje të rëndë u rihapën në verën e vitit 2005 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila tashmë përfundoi hetimet dhe do të nisë çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ky është procesi i dytë që do të hapet brenda pak kohësh në Gjykatën e Krimeve të Rënda për ngjarje të ndodhura në vitin e trazirave ‘97 në vendin tonë. Disa ditë më parë, në këtë Gjykatë nisi procesi për ngjarjen e rëndë të ndodhur atë kohë në Cërrik, ku persona të armatosur sulmuan një repart policie duke vrarë 6 punonjës të Gardës së Republikës si dhe plagosën shumë të tjerë që ishin në detyrë për vendosjen e rendit dhe sigurisë publike.
11 Nentor 2008