E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush do të hyjë në histori. Por si?

Më 20 janar në mesditë, Xhorxh Bush (George W. Bush) do t‘ua lerë përfundimisht historianëve kujdesin për të vlerësuar tetë vitet e presidencës së tij të karakterizuar nga lufta dhe sprovat. Presidenca Bush filloi me tronditjen e atentateve të 11 shtatorit 2001. Po përfundon me frikën e krizës më të rëndë që prej asaj të viteve 1930.

Ndërkohë, Bush ka nisur, pa i përfunduar, dy luftëra në Irak dhe Afganistan, dy vija fronti të "luftës kundër terrorizmit" të shpallur pas 11 shtatorit. Ai e pranoi dështimin e shërbimeve shtetërore përballë një prej katastrofave më të rënda në historinë e SHBA-së, uraganit Katrina në vitin 2005. Për një kohë të gjatë ai mburrej me politikën e tij ekonomike, duke përmendur 50 muaj radhazi të krijimit të vendeve të punës dhe katër vjet rritjeje ekonomike të pandërprerë.

Gjatë muajve të fundit, shpërtheu një krizë që infektoi të gjithë ekonominë botërore. Në vitin 2008, SHBA-ja humbi më shumë vende pune se kurrë ndonjëherë që nga viti 1945. "Jam krenar për gjithçka ka bërë kjo administratë", siguron Bush në çastet kur do të largohet nga detyra. "E di që kam dhënë gjithçka për tetë vjet, dhe nuk e kam shitur shpirtin tim për të qenë popullor. Kur të kthehem në shtëpi dhe të shikohem në pasqyrë, do të jem krenar për atë që do të shoh".

Bush dhe përkrahësit e tij pretendojnë se kanë "çliruar" 50 milionë persona në Afganistan dhe në Irak, kanë forcuar luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit, kanë përmirësuar marrëdhëniet me Azinë, kanë bërë një përpjekje të paprecedentë kundër sëmundjeve në Afrikë, kanë krijuar lehtësira fiskale, kanë bërë reformë në sistemin arsimor dhe një reformë tjetër për mbulimin e sëmundjeve të personave të moshuar.

Por në çastin e bilanceve, arritja më e madhe e shpallur prej tij është se ka mbrojtur vendin nga atentate të tjera, edhe pse Osama Bin Laden vazhdon të jetë i fshehur. Atentatet e 11 shtatorit "përcaktuan" presidencën e tij, thotë Bush, i cili që nga ajo kohë ka kaluar nga majat e popullaritetit të paarritura ndonjëherë, deri në nivelet më të ulëta të jopopullaritetit. Ai që bëri fushatë me premtimin se do të ishte një "bashkues, dhe jo ndarës", provoi stuhitë e shkaktuara nga praktikat e një administrate të akuzuar si më e indoktrinuara dhe më sekretja e ardhur ndonjëherë në pushtet.

Ai u akuzua se kishte tradhtuar vlerat amerikane, duke mbyllur të dyshuarit për terrorizëm në kampin e Guantanamos, duke autorizuar torturën për t‘i bërë të flisnin. SHBA nuk torturon dhe këto metoda ishin "të nevojshme", ka kundërshtuar ai vazhdimisht. "Besoj se për mua do të kujtohen si për një njeri që iu desh të përballej me probleme të rënda, të cilave iu dola ballazi", thotë ai. "U tregova i vendosur dhe i mora vendimet duke u bazuar në parime, dhe jo në sondazhin e fundit". Ai u mbështet pikërisht në këto parime të mëdha, si përhapja e lirisë, për të mbrojtur luftën në Irak, veçanërisht kur argumenti i armëve të shkatërrimit në masë që kishte Sadam Husseini doli i pabazë.

Lufta në Irak u ndërmor sipas një doktrine të re të "luftës parandaluese". Skandali i burgut të Abou Ghraib, rrëshqitja drejt një lufte civile, nuk i dhanë të drejtë një Presidenti, i cili disa javë pas fillimit të luftës parakalonte përpara një flamuri ku shkruhej "Mision i përmbushur", duke e shkatërruar kapitalin e simpatisë së grumbulluar pas 11 shtatorit, kur Bushi i bashkoi amerikanët pas vetes, me një altoparlant në dorë në rrënojat e Qendrës Botërore të Tregtisë.

"Vendimi për të rrëzuar Sadamin ishte i drejtë, tha ai. Dhe do të jetë gjithmonë një vendim i drejtë". Ky vendim ndryshoi aleatët historikë dhe lëndoi një pjesë të madhe të botës myslimane, duke i kushtuar Bushit daljen në faqe të parë të revistës "Newsweek" brenda një flluske të madhe, si Presidenti që nuk dëgjon askënd, si ai që do t‘i duhej të bënte shumë për të gënjyer ata, për të cilët ish-bosi i naftës dhe guvernatori i Teksasit nuk do të ishte asgjë, po të mos ishte për të atin dhe që ia dedikoi fitoren e tij në vitin 2000 thjesht një mashtrimi në Florida.

Ai vulosi humbjen e miqve të tij republikanë në zgjedhjet legjislative të vitit 2006. Një President që kishte realizuar në 2004-ën performancën e rrallë për të ruajtur shumicën e partisë së tij në të dyja dhomat, përfundoi duke dëgjuar të gjithë ata që kërkonin kokën e sekretarit të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld.

Pas vitit 2006, ideologjia neokonservatore, që kishte diktuar katër vjet më parë fjalimin "mbi boshtin e së keqes", u zmbraps përballë një pragmatizmi tashmë të zbatuar në Irak, përballë Koresë së Veriut dhe përballë ngrohjes klimaterike.

Bush ka rrëfyer keqardhje dhe i ka pranuar "gabimet". Por ai ka marrë vendime që do të përcaktojnë më së miri emrin e tij si President. Për disa, si për shembull senatorin demokrat, Harry Reid, Bush do të mbetet në histori si "presidenti më i keq" i SHBA-së. Besnikët e tij vazhdojnë të admirojnë refuzimin për të shkelur parimet, te një njeri që mundi demonët e alkoolit. "Ne vazhdojmë të analizojmë ende Presidencën e Xhorxh Uashington (George Washington)", tha ai që i përpin librat dhe që ka qeshur me ata që e denigrojnë për faktin se nuk ka kulturë dhe për anglishten e tij të hallakatur, "kështu që unë them se nëse vazhdojnë ende të analizojnë Presidentin e parë, i 43-ti nuk ka pse të shqetësohet nga vlerësimi i historisë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›