Suela Mullaj, virtuozja me zemër të madhe
"Prej vitesh jetoj për dhe me violinën". Kjo fjali përmbledh thelbin e asaj çka përbën brendinë shpirtërore, por edhe ekzistencën e përditshme të një zonje të vërtetë të këtij instrumenti "me shpirt", Suela Mullaj. E përfshirë që hershëm nga pasioni për muzikën dhe e rritur e pjekur me dëshirën për të qenë njësh me violinën dhe tingujt e saj, Suela sot është një virtuoze që synon perfeksionin dhe arritjen e përmasave shpirtërore e interpretative, të tilla që të përfshijnë emocionalisht gjithnjë e më shumë njerëz. Ajo beson se përmes muzikës, në përgjithësi, dhe asaj klasike në veçanti, mund të prishen barrierat, të shemben pengesat e të bëhen bashkë zemrat njerëzore. Në rrugëtimin e gjatë e të bukur të artit kujton disa momente që përbëjnë gurët kilometrikë të një karriere të suksesshme, por edhe një evoluimi shpirtëror të vazhdueshëm. Në këtë rrugëtim, një figurë shoqëruese dhe e shtrenjtë është ajo e nënës, që lidhet sa me afeksionin e dashurinë e një fëmije ndaj prindit, aq edhe me atë të një nxënëseje ndaj mentores së saj të vyer, që i ka hapur njëra pas tjetrës dyert e një bote të magjishme tingujsh e emocionesh plot ngjyra në kohët e errëta ku sundonte grija. Dora e nënës dhe trupi i violinës bëhen njësh tek artistja, duke u shndërruar në burim të pashtershëm force e shpirti krijues. Sot, e shndërruar në një interpretuese të kalibrit ndërkombëtar, me një kalendar të pasur që përfshin salla koncertore prestigjioze në të gjitha kontinentet, Suela e konsideron si pikë të saj të fortë rrënjët shqiptare, ndaj edhe lidhjet me Shqipërinë i ka shumë të shpeshta. "Edhe kur jam nëpër botë, jetoj me vendin nga vij, pjesë e të cilit jam pazgjidhshmërisht". Vendin e saj e la në moshë shumë të re, kur u konsiderua nga ekspertët italianë të muzikës si një nga talentet më të mëdha të Shqipërisë. Kjo bëri që të vazhdonte studimet për muzikë në konservatorin "Xhuzepe Verdi" të Milanos, në të cilin u diplomua me maksimalen e vlerësimeve. Më pas perfeksionimi vazhdoi me Akademinë e Fiezoles nën prezencën e mjeshtërve të mëdhenj të violinës, si Pavel Vernikov, Ilya Grubert e Shimon Minz. Kjo përgatitje e rriti profesionalisht dhe i ka dhuruar shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilave çmimin special në konkursin "Rodolfo Lipizer", çmimin "Michelangelo Abado" e të tjerë. Të gjitha koncertet i falin emocione, çka janë edhe shpërblimi më i madh i përkushtimit e punës së palodhshme, por njëri syresh do të mbetet i pashlyer në kujtesën e artistes. Ishte i pari i përmasave të mëdha, ndërkohë që "përmasat" e saj të moshës dhe të përvojës ishin mjaft të vogla. Është koncerti që i dha mundësinë të interpretonte në një nga orkestrat më të mira të Italisë, orkestrës së RAI-t (Radio Televisione Italiana) kur ishte vetëm 14 vjeçe. Ishte një koncert i vështirë i kompozitorit Sibelius, për të cilin Suela kishte kohë që përgatitej, aq sa e ndiente veten se e zotëronte plotësisht pjesën, por ideja që do të dilte përkrah artistëve të një moshe më të madhe, të diplomuar në shkollat më të mira të muzikës në Evropë, i krijonte paksa ndrojtje. Por kjo vetëm pas skene, sepse me të nisur interpretimin ndrojtja iu shndërrua në një emocion pozitiv e krijues, që e bëri njësh me pjesën tjetër të grupit. "Atë koncert nuk do ta harroj për dy arsye: sepse ishte i pari i përmasave të mëdha për mua dhe sepse më mësoi diçka shumë të rëndësishme të Suelës, si interpretuese: pasjen e një marrëdhënieje shumë të mirë me publikun dhe shndërrimin e emocioneve të para të shfaqjes në emocione shumë produktive e nxitëse, gjatë saj". Artistja e quan veten me fat që ka një marrëdhënie të tillë me publikun, sepse shpesh është një marrëdhënie vendimtare që të rrënon, ose të ngre. "Ka virtuozë që skena u krijon komplekse e nuk i lejon të shpalosin më të mirën e vlerave të tyre", thotë Suela. Pas këtij koncerti që i dha besim të madh në vete dhe nisi marrëdhënien e gjatë e të bukur me publikun, ajo ka interpretuar në koncerte të tjera të rëndësishme, si në atë të Çajkovskit me orkestrën e Teatrit Regio të Parmës në moshën 16-vjeçare, ka interpretuar të gjitha koncertet e Paganinit me Berliner Symphoniker, koncertin e Brahmsit me orkestrën e Malagës, veprat e Haydn me Wiener Chamber Orchestra, koncertin e Bartok me Orkestrën Simfonike të Oslos e të tjerë. "Edhe gjatë këtij viti kam shumë punë, por edhe disa projekte e ide projektesh me Shqipërinë, të cilat i kam shumë për zemër". Së bashku me pianistin e shquar italian, Massimo Palumbo, ka ngritur në vitin 2000 United Europe Chamber Orchestra, në të cilën është soliste që prej 8 vitesh. Në vitin 2001 të dy kanë themeluar edhe fondacionin me të njëjtin emër, me qëllimin fisnik të përhapjes së muzikës klasike dhe aktiviteteve koncertore në një masë sa më të gjerë njerëzish. Roli i këtij fondacioni mund të konsiderohet edhe si roli i një "ambasadori të muzikës", falë projekteve didaktike, si promovimit të muzikës nëpër shkolla, uljes së çmimeve të koncerteve për studentët dhe pensionistët, me qëllimin e krijimit të bazave për një bashkëjetesë njerëzore të çliruar nga paragjykimet dhe muret psikologjikë. "Kur luan muzikë futesh në brendësitë e panjohura të shpirtit njerëzor, përmes një gjuhe tingujsh. Ajo çka një muzikant bën është zbulimi i anëve të panjohura të këtij shpirti, nxjerrja prej andej e së bukurës, e sublimes dhe risjellja përmes interpretimit e gjithë këtij hulumtimi emocional. Loja jonë është një dialog i vazhdueshëm me shpirtin dhe njerëzit që arrin plotësinë kur teknika bëhet njësh me zemrën", thotë Suela, e cila e konsideron pikërisht këtë plotshmëri si objektivin e saj artistik.