E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aroma e pakëndshme e gojës, sinjal alarmi për sëmundjet e veshkave dhe mëlçisë



Jonida Tashi

Era e keqe e gojës ose Halitos, në disa raste është sinjal alarmi për praninë e sëmundjeve të ndryshme të organizmit. Megjithatë halitosis nuk është një sëmundje e mirëfilltë, por shpesh është një simptomë e pranisë së një sëmundjeje orale, i një gjendjeje fiziologjike ose një sëmundjeje sistemike e organizmit. Për këtë, mjekët shpjegojnë se kur duhet të shqetësohemi dhe çfarë mund të bëhet në këto raste. Sipas mjekëve, halitosis ose siç njihet ndryshe “fetor ex oris”, është përshkruar që në kohën e grekëve të lashtë, dhe përshkruan erën e keqe të gojës. Vetë era e keqe, shkaktohet nga përmbajtja e sulfurit dhe përbërjeve të tij, në ajrin që nxjerrim nga goja. Sulfuri dhe përbërësit e tjerë sulfurorë, shkaktohen nga purifikimi ose shpërbashkimi, gjatë të cilave çlirohen bakteret anaerobe në hapësirën e gojës ose atë nazale (e hundës). Përbërjet sulfurore mund të transmetohen nëpërmjet gjakut nga një organ i sëmurë si për shembull: mëlçia cirrotike dhe shkojnë në mushkëri ku i japin dhe ajrit, erën karakteristike.
Ndarja
Në fakt halitosis ndahet në grupet e mëposhtme: në halitosis e vërtetë, pseudo halitosis dhe në halitofobia. Era e keqe e gojës mund të shkaktohet nga disa probleme mjekësore në hapësirën e gojës dhe në organizëm. Ndërsa pseudohalitosis dhe halitofobia janë ato gjendje të personit, ku vetëm ai e ndjen ose është i persekutuar nga ideja e erës së keqe të gojës, megjithëse ajo nuk ekziston klinikisht. Këto dy raste të fundit nuk mund të zgjidhen nga dentisti. Halitosis i vërtetë mund të ndahet në dy nëngrupe: në atë fiziologjike dhe në atë patologjike.
Era e keqe e gojës e përkohshme ose momentare, mund të shkaktohet nga konsumimi i disa produkteve ushqimore si: ushqimet pikante ose përdorimi i duhanit dhe kjo ndjehet në orët e para të mëngjesit nga mungesa e salivës ose pështymës gjatë orëve të natës. Ushqimet të cilat shkaktojnë erën e keqe të gojës momentare janë: qepa, hudhra, ushqimet pikante dhe shumë të kripura. Kjo lloj halitosis konsiderohet fiziologjike dhe mund të trajtohet shumë lehtë, fal një higjiene të mirë dentare.
Shkaktarët
Era e vazhdueshme e gojës shkaktohet në pjesën më të madhe të rasteve nga flora mikrobale që gjendet në hapësirën e gojës. Goja shërben si një rezervuar i mirë dhe si një depo e këtyre baktereve. Në hapësirën e gojës janë gjetur mbi 500 specie bakteresh, ku gati 150 prej tyre janë të përhershme në hapësirën e gojës. Megjithatë jo të gjitha janë shkaktare për shfaqjen e erës së keqe. Halitosis patologjike nuk ikën pa u larguar shkaktari, sepse në hapësirën e gojës përveç pështymës, kemi dhe derdhje të sekrecioneve ose substrateve të tjera që shfrytëzohen nga bakteret për të çliruar erën e keqe. Kështu për shembull, qelizat e nekrotizuara, qelizat e gjakut, eksudatet ose qelbi, sekrecionet në xhepat gingivar, të cilat e bëjnë halitosën patologjike. Falë disa studimeve është vënë re se 90 për qind e halitosave patologjike, e kanë origjinën në kavitetin oral dhe 60 për qind e atyre që vuajnë nga halitosa me origjinë orale era e keqe e ka origjinën nga gjuha.
Simptomat
Halitosa patologjikë është shoqëruar gjithmonë me higjienë të ulët orale, gingivitet ulcerative sëmundje të mishrave), periodontite, pericoronarite (infeksionet e dhëmballëve të pjekurisë), xhepat e thatë të dhëmbëve, cariesi, infeksione kancerogjene të gojës dhe nga veshja e gjuhës me cipa. Pra në të gjitha rastet që përmendëm më lart, halitosa është simptomë e këtyre problemeve, të cilat mund të zgjidhen vetëm me ndihmën e dentistit. Këshilla e parë që jepet është një higjiene orale e rregullt: larje e rregullt e dhëmbëve, pastrim me fije dentare, pastrim i gjuhës me pjesën e pasme të furçës dhe shpëlarja e gojës me kloreksidinë. Por mbi të gjitha, rekomandohen vizita periodike te mjeku stomatolog për të parë shëndetin e dhëmbëve në përgjithësi, dhe që do të bënte të mundur trajtimin në kohë të të tilla problemeve.

Dhjetë bimë për një frymëmarrje të freskët
Nga vaji i mentës e deri te çimçakëzi me përbërësit e lëvores së Manjolias, Barbara Lantin, një studiuese bakteriologe amerikane na tregon alternativat e trajtimit për uljen e aromës së pakëndshme të frymëmarrjes.
Majdanozi i freskët
Nëse ju përtypni këtë barishte në sasi të vogla, nuk do të lejoni që njerëzit të kthejnë kokën nga ana tjetër kur ju filloni për të flisni, për shkak të aromës jo të këndshme të frymëmarrjes, sidomos kur sapo çoheni nga gjumi. Majdanozi përmban disa përbërës antibakterialë të cilat largojnë mikrobet e dëmshme që gjenden në gojë.
Rrëshira
Rrëshira natyrale disa përbërës antiseptikë të cilët ulin nivelin e aciditetit në gojë. Të përtypësh këtë përbërës ndihmon në reduktimin e baktereve që shkaktojnë aromën e keqe.
Shpëlarës antibakterial
Një gargarë çdo mëngjes me një përbërës antibakterial do të ndihmonte për largimin e shijes së pakëndshme të gojës, po ashtu edhe të frymëmarrjes më aromë të keqe. Këto shpëlarës janë të dobishëm edhe për dhëmbët tuaj.
Jogurti i freskët
Studimet kanë treguar se jogurti i freskët ul nivelin e hidrogjen sulfiteve, të cilat prodhohen nga bakteret në gojë dhe shkaktojnë një aroma të pakëndshme. Bakteret Lactobacillus bulgaricus dhe Streptocoçus thermophilus që gjenden te jogurti asgjësojnë bakteret e “këqija në gojë”.
Shpëlarja më soda
Ti lash dhëmbët me soda apo soda bikarbonat, ndihmon në uljen e aciditetit në gojë, i cili shkakton shije të thartë dhe aromë të pakëndshme të frymëmarrjes. Studimet e publikuara në vitin 1996 dhe në 1998 kanë treguar se pastat e dhëmbëve që përmbajnë 20 për qind soda reduktojnë aromën e keqe të gojës për rreth tre orë.
Vaji i mentes
Disa praktikues të shëndetit natyral besojnë se tabletat me vaj mente e mbajnë gojën tuaj të freskët. Po këtë konkluzion treguan edhe studimet e mëtejshme të shkencëtarëve.
Farat e koprës
Përtypja apo mbajtja në gojë për pak kohë e farave të koprës pas ngrënies së mëngjesit ka qenë një mënyrë tradicionale për të mbajtur aromën e gojës të freskët. Studimet kanë treguar se kopra përmban disa përbërës antibakterialë.
Majdanozi
Përbërës antibakterialë gjenden të vaji i majdanozit dhe vaji i lulediellit. Shkencëtarët dhe studimet kanë rezultuar në publikime thuajse kontradiktore lidhur me këto produkte nëse sjellin aromë të mirë apo të keqe të gojës. Megjithatë studimet treguan se majdanozi përmban përbërës antibakterialë.
Çamçakëzi me manjolia
Lëvorja e kësaj bime përmban disa elementë të cilët ndihmojnë në trajtimin e të vjellave, tretjen dhe rregullimin e ciklit menstrual. Studime të tjera kanë treguar se ajo ndihmon për një frymëmarrje të freskët.
Pastruesit e gjuhës
Bakteret që shkaktojnë aromën e pakëndshme të frymëmarrjes qëndrojnë në gjuhën tuaj, prandaj është e nevojshme që ajo të pastrohet vazhdimisht.

Këshilla
Lani dhëmbët rregullisht
I pastroni me fije dentare
Pastroni gjuhën me pjesën e pasme të furçës
Shpërlani gojën me kloreksidinë
Bëni vizita periodike te mjeku stomatolog
Përdorni gjatë ditës majdanoz të freskët
Përdorni shpëlarës antibakterial
Duhet të konsumoni të paktën dy herë në ditë kos të freskët
Duhet të shpëlani gojën me sodë
Duhet të përdorni vaj menteje
Të konsumoni farat e koprës
Të konsumoni gjatë ditës çamçakëz me manjolia

Të rejat nga shkenca

Mos e filloni ditën me kafe

Mjekët këshillojnë që dita kurrë nuk duhet të fillohet me kafe, por detyrimisht në fillim duhet të hani, dhe kjo për të mos e dëmtuar lukthin. Ekspertët po ashtu këshillojnë se tre deri në katër ekspresë të vogla, mund të ndikojnë pozitivisht në zemër. Më së miri është të pini ekspres të shkurtër, pasi shtimi i ujit të aparatit, lëshon shumë lëndë të dëmshme në kafe. Kafeja nuk duhet të konsumohet më shumë se tri herë në ditë dhe qëndrimet e mjekëve kanë qenë të njëjta në këtë aspekt, kur bëhet fjalë për atë se nëse kafeja është e dëmshme apo e shëndetshme.

22 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›