Studimet në Itali, procedurat për marrjen e vizës
Jonida Tashi
Pas miratimit të kërkesës, në listën që do të afishohet pranë Ambasadës Italiane, të gjithë ata që janë pranuar në provën e hyrjes duhet të kërkojnë një vizë për studim. Lista e të pranuarve dhe kalendari i provimeve do të bëhen publike brenda 10 gushtit. Gazeta “Albania” i’u vjen në ndihmë maturantëve me procedurat që duhet të ndjekin për të vazhduar studimet e larta në Itali. Në këtë fazë, ata që janë pranuar në provën e hyrjes duhet të kërkojnë (gjithmonë në Ambasadën Italiane) një vizë për studim. Për ta pasur atë, duhen demonstruar burimet ekonomike, të cilat duhet të jenë të mjaftueshme. Një banesë (duhet një kontratë qiraje ose një deklaratë mikpritjeje) dhe shuma e mjaftueshme për t’u kthyer. Nevojitet edhe një sigurim për shërbimet mjekësore. Viza bën të mundur hyrjen në Itali dhe marrjen e një leje qëndrimi “per studio” (për studime) e cila zgjat për 12 muaj, por mund të rinovohet çdo vit, deri në tre vjet pas kohëzgjatjes normale të kursit të studimit.
Të gjithë studentët shqiptarë të cilët plotësojnë kërkesat për regjistrim pranë universiteteve shqiptare dhe që kanë kaluar me sukses të dy provat me shkrim e me gojë të provimit për njohjen e gjuhës italiane (CELI 3), kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për regjistrim paraprak pranë universiteteve italiane. Kërkesat do të nisen më pas, nga ana e Kancelarisë Konsullore të Ambasadës Italiane në Tiranë, drejt universitetit italian të përzgjedhur, i cili edhe do të vendosë në fund mbi pranimin e studentëve, sipas vendeve të rezervuara për studentët e huaj.
Provimi
Data 3 shtator është përcaktuar nga autoritetet italiane si dita kur kandidatët për studentë nga Shqipëria duhet të kryejnë testin e gjuhës. Konsiderohen të përjashtuar nga dhënia provimit të Celi 3 vetëm studentët shqiptarë të cilët, kanë kryer liceun dygjuhësh italo-shqiptar. Sipas të dhënave paraprake nga Ambasada Italiane në vendin tonë, janë dërguar të gjitha kërkesat e 3 mijë kandidatëve për studentë, të cilët kanë aplikuar për në fakultetet fqinje. Pasi të vlerësohen dhe verifikohen të gjitha kërkesat e të rinjve nga organet e specializuara në Itali, do të vendoset përfundimisht edhe se cili e fiton provën e hyrjes. Provimi i gjuhës italiane është i detyrueshëm jo vetëm për të ndjekur studimet e larta në këtë këtë shtet, por për të marrë edhe konfirmimin për je fitues. Ndërsa për kurset e diplomimit me numër të limituar (Arkitektura, Mjekësia, Odontoiatria, Veterinaria, profesionet sanitare, Shkencat e Formimit primar) përveç provimit të gjuhës, janë parashikuar prova të tjera për t’u kaluar në lidhje me disiplina të veçanta. Brenda 12 dhjetorit, universitetet do të bëjnë të ditur nëse ka ende vende të lira. Në këtë pikë, ata që kanë mbetur jashtë mund të paraqesin kërkesën për një kurs tjetër diplomimi, ose për të njëjtin kurs, në një universitet tjetër. Të rinjtë e huaj, të cilët jetojnë në Itali dhe dëshirojnë të regjistrohen në universitet, nuk hyjnë në këto kuota, por mund të paraqesin kërkesën e regjistrimit pa limite në numër, duke ndjekur të njëjtat rregulla të cilat aplikojnë italianët.
Degët
Në universitetet italiane tashmë dihen edhe degët se ku ka më shumë kuota. Pjesa më e madhe i përket Ekonomisë, Inxhinierisë, ndjekur nga Shkencat Politike, të Komunikacionit dhe ato Gjuhësore. Mes specialiteteve dhe atyre me cikël unik bien në sy mbi 1000 vende për Jurisprudencë dhe Ekonomi, pasuar nga Inxhinieria, Arkitektura dhe Mjekësia. Përsa iu takon fakulteteve, kontingjenti i përgjithshëm 35.723 vendeve në universitet italiane është ndarë në dy blloqe të mëdha. Në bllokun e parë bëjnë pjesë 21.835 kandidatura për diplomat e nivelit të parë dhe pjesa tjetër, 13.888 për diplomat e specializuara dhe ato me cikël unik që përbën edhe bllokun e dytë. Në bazë të numrit të përgjithshëm të vendeve në dispozicion, Ministria e Punëve të Jashtme italiane, në bashkërendim me Ministrinë e Universiteteve dhe Ministrinë e Brendshme vendos një kuotë maksimale të vizave të hyrjes. Këto mund të lëshohen në përfaqësitë konsullore italiane gjatë afateve të vitit akademik, një kuotë që çdo vit parashikohet e madhe, për t’iu dhënë mundësi të gjithë atyre kandidatëve që kalojnë me sukses testet dhe provimet paraprake të studiojnë në Itali përkundrejt kushteve të vendosura tashmë.
Dokumentet
Lista e dokumenteve për Vizës Studimi, që do të dorëzohen pranë Ambasadës Italiane në Tiranë ose Konsullatave Vlorë dhe Shkodër.
1) Formulari i kërkesës për vizë, i plotësuar në çdo zë të tij dhe i firmosur, i shoqëruar nga një fotografi me format dokumenti
2) Deklaratë mbi të dhënat personale, e plotësuar saktë më date dhe firmë. Duhet të shënoni një numër telefoni, në mënyrë që të jeni të kontaktueshëm
3) Pasaporta, fotokopje e pasaportës, fotokopje e faqeve të pasaportës me viza të tjera të mundshme “Shengen” të mëparshme
4) Dokumente që vërtetojnë strehimin në Itali: pranë privatëve letër ftesë e shoqëruar me kopje të një dokumenti identiteti të garantit, që duhet të jetë gjithnjë i firmosur; pranë një enti, institucioni, bashkësie fetare, deklaratë strehimi e entit ftues; pranë një hoteli, pensioni etj., vërtetimi i prenotimit
5) Sigurimi shëndetësor për 5 muaj, nga 01.09.2008 deri më 31.01.2009
6) Mandat-arkëtimi bankar: deklarata origjinale e një banke italiane në Shqipëri, sipas zgjedhjes së të interesuarit, që të vërtetojë urdhrin e xhirimit të pakthyeshëm në favor të vet, për shumën prej 4500 eurosh. Për studentët që janë nën 18 vjeç në momentin e paraqitjes së kërkesës për vizë, ju kujtojmë që formulari i kërkesës duhet të firmoset nga të dy prindërit
7) Duhet të bashkëngjitet gjithashtu certifikata e gjendjes familjare, e përkthyer dhe e legalizuar, një deklaratë miratuese e prindërve në lidhje me qëndrimin në Itali të vajzës/djalit për qëllime studimi, përveç dokumentacionit të mësipërm
Universitetet italiane dhe studentët e huaj
Për vitin e ri akademik 2008/2009, qeveria italiane ka rezervuar 52 mijë vende të lira në dispozicion të studentëve jokomunitarë që do të studiojnë në Itali.
Nga këto janë 46 mijë vende për në universitet, ndërsa 6 mijë vende të tjera të rezervuara për ata që zgjedhin Akademitë e Arteve Dramatike, të Dancës ose të Arteve të Bukura ose Konservatoret.
22 Korrik 2008