E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji, skema e re e sigurimeve shëndetësore për të gjithë vendin



Qytetarët do të marrin shërbim mjekësor falas, vetëm nëse shlyejnë detyrimet shëndetësore. Ky është projektligji më i fundit, i hartuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH), që pritet të miratohet së shpejti nga qeveria. Burime zyrtare nga ky institucion bëjnë të ditur se sipas projektligjit të ri, skema e sigurimeve shëndetësore do të shtrihet në gjithë shërbimet shëndetësore. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, në përputhje me dispozitat kalimtare, i gjithë sistemi i shërbimeve, përfshirë këtu shërbimin e specializuar ambulator, shërbimin spitalor të të gjitha niveleve, si dhe shërbimet ndihmëse në funksion të tyre, do të jenë të financuara nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. ISKSH-ja pas 14 vjetësh nga miratimi i ligjit për sigurimet shëndetësore në Shqipëri, e ka parë si domosdoshmëri hartimin e një ligji të ri në këtë drejtim, qëllimi i të cilit është realizimi i financimit të shërbimeve shëndetësore, nëpërmjet sistemit të sigurimeve të detyrueshme shëndetësore. Ndërsa shteti, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, do të jetë përgjegjës dhe financues vetëm për shërbimin e urgjencës, investimeve në mjete themelore dhe aparatura, dhe për shëndetin publik. Ministria e Shëndetësisë mbetet institucioni përgjegjës për hartimin e strategjive dhe politikave shëndetësore kombëtare.
Projektligji
Projektligji i ri synon ndryshimin e statusit ligjor dhe financiar të institucioneve shëndetësore. Institucionet shëndetësore përfshirë këtu spitalet publike, poliklinikat, qendrat shëndetësore fitojnë pavarësi reale ligjore e financiare, por në të njëjtën kohë ato ruajnë në mënyre të padiskutueshme karakterin publik, pasi shteti, përmes MSH-së i krijon, i licencon, i regjistron, i mbikëqyr dhe monitoron cilësinë e shërbimit. Nga ana tjetër këto institucione, falë projektligjit të ri, fitojnë personalitet juridik, kanë llogari të veçantë bankare, duke pasur kështu të drejtën për të kontraktuar me sigurimet shëndetësore për shitjen e shërbimeve të tyre. Dhe jo vetëm kaq. Këto institucione, me anë të përfaqësuesve ose organizimeve të tyre, kanë të drejtë të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe negociatave për të gjitha çështjet që lidhen me dhënien e shërbimit shëndetësor dhe të financimeve të tij. Duke vepruar në mënyrë të pavarur, synohet që këto institucione të krijojnë tregun real të shërbimeve shëndetësore, duke rritur edhe cilësinë dhe zgjerimin e aksesit të popullatës ndaj këtij shërbimi. Projektligji synon gjithashtu shndërrimin e ISKSH-së në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, i cili do të jetë i ndarë nga buxheti i shtetit, por nga ana tjetër do të jetë transparent për të gjithë personat që kanë derdhur kontributet pranë tij. Fondi i detyruar që do të ndjekë strategjinë e MSH-së, ka të drejtë të hartojë politikën e tij në fushën e sigurimeve shëndetësore, për zbatimin e së cilës është i detyruar të raportojë në Kuvend.
Sigurimet private
Projektligji përfshin dhe çështjen e sigurimeve private në Shqipëri, përmes sigurimit suplementar shëndetësor që mund të ofrohet nga persona juridikë të regjistruar në gjykatë dhe në shoqëri të ndërsjella shëndetësore. Ky sigurim lidhet tërësisht me tregun privat. Ndërsa, është vendosur që sigurimi suplementar të mos jetë i njëjtë me sigurimin e detyruar, që mbulon vetëm shërbimin bazë. Sigurimi suplementar do të jetë një sigurim komplementar, i cili do të marrë përsipër të financojë, ose të blejë ato shërbime, që nuk i mbulon fondi bazë e që janë të përcaktuara shprehimisht në ligj. Ndër to mund të përmenden shërbimi stomatologjik, protezat, shërbimet e syzeve optike, ndërhyrjet e kirurgjisë plastike-estetiste, etj. Drejtuesit e ISKSH-së vlerësojnë se me miratimin e këtij projektligji do të krijohet një përmirësim i rëndësishëm në mirëfunksionimin e skemës së sigurimeve shëndetësore dhe shtrirjen e tyre, sikurse është e parashikuar në Strategjinë për Shëndetësinë. Sipas tyre, ky projektligj, do t’i hapë rrugë liberalizimit të tregut në këtë sektor.
Pagesa
Qytetarët që nuk kanë mundësi t’i paguajnë sigurimet shëndetësore nëpërmjet të ardhurave që kanë nga puna, mund t’i paguajnë ato vullnetarisht. Personi i siguruar në mënyrë vullnetare përfiton pa pagesë një pjesë të çmimit të barnave të listës së barnave që rimbursohen dhe shërbimin pa pagesë te mjeku i përgjithshëm dhe i familjes. Që personi i siguruar në mënyrë vullnetare të përfitojë sigurim shëndetësor, duhet fillimisht të paguajë kontributin në masën e përcaktuar për një periudhë kohe për një vit. Më pas pagesat bëhen si parapagim dhe për periudha jo më pak se tre muaj. Kështu, një person që kërkon të sigurohet vullnetarisht, në bazë të rregullores së sigurimit vullnetar nr. 2, datë 30.09.2003, lidh një akt-marrëveshje me Drejtorinë Rajonale të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, në të cilën përcaktohet shuma e kontributit që personi duhet të paguajë, mënyra e pagesës si edhe përfitimet nga skema. Për të bërë pagesën të gjithë qytetarët duhet të drejtohen pranë qendrave shëndetësore, ku mund të komunikojnë me punonjësit e ISKSH-së, që ndodhen pranë qendrave. Masa e kontributit është e ndryshme sipas disa kategorive që i përkasin. Për të përfituar sigurimet shëndetësore duhet të dorëzohet edhe dokumentacioni përkatës.

Kategoritë
Mund të sigurohen vullnetarisht shtetasit në rastet kur:
Nuk kanë qenë ndonjëherë në marrëdhënie pune
Nuk kanë mbushur moshën e pensionit të pleqërisë
Nuk përfitojnë të drejtën për t’u regjistruar si punëkërkues të papunë dhe janë në prag të moshës së pensionit të pleqërisë
Studentët shqiptarë që vazhdojnë studimet pasuniversitare dhe specializime që studiojnë jashtë shtetit dhe duan të përfitojnë nga skema kur ndodhen në Shqipëri
Emigrantët shqiptarë që punojnë përkohësisht jashtë shtetit për periudhën kur ndodhen në Shqipëri
Kanë periudha shkëputje nga puna me leje pa të drejtë page
Të gjitha rastet që i vlerëson ISKSH-ja

Kontributet
Masa e kontributit për personat e punësuar është 3.4 për qind e pagës mujore, nga të cilat 1.7 për qind i paguan punëdhënësi dhe 1.7 për qind i paguan punëmarrësi. Kontributi për të vetëpunësuarit në qytet është 7 për qind e pagës minimale. Të vetëpunësuarit në fshat duhet të paguajnë 3 për qind për ata që janë në zonat kodrinore dhe malore. Ndërsa banorët që jetojnë në zonat fushore do të paguajnë 5 për qind të pagës minimale.

Dokumentacioni
Shtetasit që duhet të bëhen pjesë e sigurimeve shëndetësore vullnetare duhet të dorëzojnë edhe dokumentacionin përkatës, nëpërmjet të cilave sigurohen të dhënat e personave. Për të vërtetuar që personi që kërkon të sigurohet vullnetarisht u përket kategorive të përcaktuara më lart, ai paraqet në DRSKSH dokumentacionin si më poshtë, certifikatë lindje, vërtetim për vendbanimin e tij, deklarim nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes për gjendjen e tij shëndetësore. Po kështu, duhet të dorëzojë një kërkesë me shkrim, që të tregojë se ai kërkon të bëhet pjesë e kontribuuesve vullnetar të sigurimeve shëndetësore.

Kush quhet person i siguruar?
I siguruar quhet çdo shtetas që paguan vetë kontributin për Sigurimin Shëndetësor ose personi për të cilin paguan shteti. Për përfitimin nga sigurimet shëndetësore personi i siguruar pajisjet me librezë shëndeti. Kjo e fundit, është një dokument mjaft i rëndësishëm që provon se një person është i siguruar.

Cilat janë përfitimet nga Sigurimi Shëndetësor?
Aktualisht në vendin tonë Sigurimi Shëndetësor mbulon shpenzimet për:
Shërbimin e mjekut të familjes
Shërbimin farmaceutik
Por duke qenë i siguruar futesh në të gjithë sistemin e shërbimeve shëndetësore dhe përfiton:
Vizitën falas tek mjeku i përgjithshëm (MP/MF)
Të drejtën e zgjedhjes MP/MF, si mjek personal
Vizitën në banesë, kur gjendja e të siguruarit, nuk lejon paraqitjen në ambulancë
Recetën e rimbursuar nga MP/MF
Të drejtën e vizitës pa pagesë tek Mjeku Specialist (MS) i shërbimit ambulator
Recetën e rimbursuar, pas pagese nga MS i shërbimit ambulator ose MS privat, që ka kontratë me Drejtorinë Rajonale Të Sigurimit Shëndetësor
Shtrimin në spital pa pagesë, me rekomandimin e Mjekut Personal (MP/MF)

Ministria e Shëndetësisë, bashkëpunim me firmën holandeze DRC, për blerjen e pajisjeve mjekësore

Mbi 600 qendra shëndetësore, 1500 ambulanca në fshatra dhe 10 poliklinika në Tiranë, do të furnizohen me pajisje të reja mjekësore. Sigurimi i këtyre pajisjeve brenda këtij viti, do të bëhet falë një projekti të Bankës Botërore për Modernizimin e Sistemit Shëndetësor, me vlerë 1.495 milionë euro. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë, do të bashkëpunojë me firmën holandeze DRC, për blerjen e këtyre pajisjeve. Në këtë mënyrë, për herë të parë të gjitha qendrat shëndetësore në vendin tonë, do të jenë të pajisura me aparaturat bazë të trajtimit mjekësor, të gjitha të teknologjisë së fundit. Blerja e pajisjeve mjekësore do të sjellë rritje të dukshme të cilësisë së shërbimit në të gjithë vendin, një nga angazhimet kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë.

22 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›