E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimi për pensionistët për fundvitin, kategoritë që përfitojnë

Këshilli i Ministrave, gjatë mbledhjes së djeshme, ka miratuar vendimin që përcakton kategoritë që përfitojnë shpërblim me rastin e festave të fundvitit. Në këtë vendim përcaktohet se përfitojnë shpërblim në shumën 2500 lekë personat që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar. Gjithashtu, në bazë të vendimit të qeverisë, shpërblim përfitojnë personat që marrin pension sipas ligjit “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”; veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që trajtohen me shpërblim mujor, sipas ligjit “Për statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”; personat që marrin pension për merita të veçanta dhe personat që marrin pension të posaçëm shtetëror. Në bazë të vendimit të qeverisë, shpërblim për festat do të marrin edhe personat, që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”; personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar sipas ligjit “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”; si dhe personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit “Për sigurimin shoqëror, suplementar, të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”.

17 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›