Berisha niset për në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet e Klimës
Kryeministri Berisha u nis dje për një vizitë treditore për në Kopenhagen, në Danimarkë, ku do të kryesojë delegacionin shqiptar që merr pjesë në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet e Klimës. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Berisha do të mbajë një fjalim në seancën plenare të paradites të datës 17 dhjetor. Po në atë ditë do të kenë fjalën e tyre edhe kryetarë të vendeve mjaft të rëndësishme, si presidenti i Meksikës, Felipe Calderón Hinojosa, kryeministri i Australisë, Kevin M. Rudd, kryeministri Greqisë, George Papandreu. Gjatë qëndrimit treditor në Danimarkë kryeministri Berisha është i ftuar në një darkë që shtrohet për nder të pjesëmarrësve nga mbretëresha e Danimarkës, Madhëria e Saj Mbretëresha Margrethe II, darkë e cila do të mbahet në Christiansborg Castle, pas ceremonisë së prezantimit me familjen mbretërore. Gjithashtu, kryeministri Berisha është i ftuar edhe në një drekë të shtruar nga kryeministri i Danimarkës në ambientet e Bella Center, së bashku me kryetarët e tjerë të qeverive dhe delegacioneve pjesëmarrëse në këtë konferencë. Gjatë këtyre ditëve, kryeministri Berisha do të zhvillojë një seri takimesh bilaterale me liderë të rajonit dhe europianë, si dhe do t’i përgjigjet interesit të mediave më prestigjioze të Danimarkës lidhur me hapat e mëtejshme të Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian, zhvillimit ekonomik dhe perspektivën europiane.
17 Dhjetor 2009