E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike, Berisha: “Institucionet të ndryshojnë llambat inkandeshente”

Rritja e çmimit të energjisë, qeveria fillon të kursejë nga llambat. Ministria e Financave, fond të veçantë për blerjen e makinave
Eljona Ballhysa
Kriza ekonomike, e cila duket se nuk mund të fshihet më nga qeveria, ka nxitur këtë të fundit të marrë masat për të kursyer sa më shumë. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha u ka bërë thirrje titullarëve të të gjitha institucioneve shtetërore që të ndryshojnë llambat duket mos lejuar përdorimin e llambave inkandeshente, të cilat harxhojnë më shumë energji elektrike. Sipas Berishës, këtë vendim e ka marrë pak kohë më parë edhe Bashkimi Europian, dhe në vazhdën e tij edhe Shqipëria. Por duket se ky vendim merret për shkak të krizës ekonomike në Shqipëri dhe vendimit të fundit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike që fillon më 1 janar. Nga ana tjetër, qeveria ka përcaktuar një fond për Ministrinë e Financave, që i jep asaj të drejtën të blejë makina për qeveritarët. Berisha i kërkoi ministrit që të shqyrtohet mundësia e blerjes së makinave që harxhojnë pak karburant.
Energjia
Në kuadrin e masave për shkurtimin e shpenzimeve në administratë, kryeministri Berisha kërkoi nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave që në bashkëpunim me sekretarët e Përgjithshëm të të gjitha institucioneve, të vendosin rregulla të rrepta për mospërdorimin e llambave inkandeshente në institucione shtetërore dhe zëvendësimin e tyre me ndriçues të tjerë. “Llambat inkandeshente nuk mund të ekzistojnë më në asnjë institucion shtetëror. BE-ja, që është nga ana tjetër edhe bashkimi i të pasurve të botës, i ndaloi ato llamba me vendim të veçantë. E njëjta masë kërkoj që të merret edhe në shkollat dhe spitalet e vendit. Zëvendësimi i këtyre llambave me urgjencë është kushti i të gjitha kushteve për të frenuar rritjen e shpenzimeve administrative”, - është shprehur Berisha.
Duke iu referuar rritjes së çmimit të energjisë elektrike, Berisha bëri të ditur se është ndarë fondi prej rreth 22 milionë dollarësh, i cili do të përdoret për skemën e mbulimit të rritjes së çmimit për shtresat në nevojë. Berisha theksoi se është shumë e rëndësishme që skema e mbulimit të rritjes për shtresat në nevojë të jetë operative që më 1 janar, në mënyrë që këto shtresa të kenë zero efekt nga rritja e çmimit të energjisë. Kryeministri Berisha njoftoi se rritja e çmimit të energjisë është e papërfillshme për industrinë, por shumë e madhe për institucionet buxhetore dhe nxjerr para qeverisë detyrën për mbrojtjen e plotë dhe totale të pasojave të rritjes te të gjithë personat në ndihmë ekonomike dhe pensione të ulëta sipas kritereve të përcaktuara. “Kjo rritje është mjaft më e ulët për 300 kilovatët e parë dhe shkon duke u rritur për konsumet përtej këtyre 300 kilovatëve, të cilat në tërësi janë familje me të ardhura mbi mesataren ose mesatare. Rritja është jo e përfillshme për industritë. Rritja është shumë e madhe për institucionet buxhetore. Është pothuaj dyfishim, çka nxjerr para nesh këto detyra: së pari, mbrojtjen e plotë dhe totale të pasojave të rritjes te të gjithë personat në ndihmë ekonomike dhe pensione të ulëta sipas kritereve të përcaktuara”, - është shprehur Berisha.
Fondi
Gjithashtu, kryeministri kërkoi nga ministri i Financave vënien në dispozicion të një fondi për blerjen e makinave, më të mira dhe më të lira, të cilat konsumojnë më pak. “Operacioni me veturat do të shtrihet më thellë në kuptimin që do të disponohet një fond me të cilën do të blejmë veturën më të mirë dhe më të lirë që konsumon më pak sepse është interesi më i mirë. Greqia, që është një vend shumë më i pasur se ne, ka vendosur veturën 1,5 kuaj fuqi. Duhet të jemi rigorozë, përveç veturave të krerëve të institucioneve kushtetuese dhe ministrave, vetura të tjera që janë për angari do të jenë vetura që konsumojnë minimumin e mundshëm të benzinës”, - tha kreu i qeverisë.

17 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›