Bushati: Demokracia është përkeqësuar

Ditmir Bushati
Kryetari i Komisionit të Integrimit Europian, Ditmir Bushati, ka reaguar dje lidhur me publikimin e raportit të Departamentit të Shtetit Amerikan, duke e quajtur atë si një skaner realist me të vërteta shumë tronditëse për gjendjen e demokracisë në vend. Në emër të Partisë Socialiste, Ditmir Bushati fajësoi kreun e qeverisë, Sali Berisha, si shkaktar të përkeqësimit të demokracisë vendëse dhe rritjen e nivelit të korrupsionit e mosndëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë. Për socialistët, një fakt shqetësues mbetet edhe ngjarja e 21 janarit dhe pengimin e hetimeve. Deputeti i PS-së deklaroi dje se vetëm e majta në qeverisje do të kthej besimin e qytetarëve te vota e lirë dhe luftën ndaj korrupsionit.Partia Socialiste angazhohet për të rikthyer besimin e qytetarëve tek institucioni i votës së lirë e të ndershme dhe sundimi i së drejtës. Angazhimi ynë për të kufizuar apo hequr imunitetin e zyrtarëve të lartë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare do të jetë veç hapi i parë në luftën kundër korrupsionit dhe çrrënjosjes së kulturës së pandëshkueshmërisë, theksoi Bushati.
Milo: PD-PS po përgatisin vjedhjen e votave
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, nga Korça ka reaguar dje për tejkalimin e afatit të vendosur nga Brukseli për miratimin e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare. Milo, në emër të partive të majta dhe të djathta, theksoi se reforma zgjedhore po vazhdon të ngjajë gjithnjë e më shumë me produktin e vitit 2008, duke akuzuar Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste, se po ngrenë të njëjtin skenar për të vjedhur partitë e vogla në zgjedhjet e vitit 2013. Sipas Milos është fatkeqësi që çështjet kryesore të reformës zgjedhore nuk përfunduan brenda afatit të vendosur nga ndërkombëtarët. Nëpërmjet kësaj deklarate unë shpreh shqetësimin e partive të vogla të djathta dhe të majta për përfundimin sa më shpejt të reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare. Është fatkeqësi që forcat politike nuk kanë arritur në një marrëveshje për reformën zgjedhore. Por, nëse nuk zgjidhen çështjet kryesore që përmban në brendësi reforma, atëherë ajo do të jetë një kopje e së vjetrës, ku hajdutët e votimeve do të vazhdojnë të vjedhin, duke cenuar kështu zgjedhjet e ndershme, deklaroi kreu i PSD-së, Paskal Milo.
