E Shtunë, 31 Tetor 2026

Volfarth: KSHC larg politikës, të mbrojë nëpunësit civilë

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, deklaroi dje se institucioni i Komisionit të Shërbimit Civil duhet që qëndrojë larg politikës dhe se vendimet e saj duhet të zbatohen në çdo rast. Apeli i Volfarth erdhi gjatë dorëzimit të raportit të veprimtarive kryetarit të KSHC-së, Fatmir Tafaj, Buletin 2011, të botuar me mbështetjen e prezencës së OSBE-së. Ambasadori i OSBE-së vlerësoi si jetike për demokracinë e vendit që nëpunësit civilë të zgjidhen në bazë meritash dhe jo në preferenca politike. Një administratë publike transparente dhe eficente përbën shtyllën kurrizore të një shtetit të qeverisur nga shteti i së drejtës. Dhe nëpunësit civilë, të përzgjedhur mbi bazë meritash, përbëjnë një pjesë të domosdoshme të shtyllës kurrizore. Për të garantuar funksionimin e mirë të kësaj strukture dhe në përputhje me ligjin, Komisioni i Shërbimit Civil ka qenë një institucion i rëndësishëm, i ngritur për të garantuar zbatimin e plotë të të gjithë legjislacionit të shërbimit civil, dhe për të mbrojtur të drejtat e nëpunësve civilë, theksoi Volfarth. Kreu i OSBE-së theksoi ndërkaq se Komisioni i Shërbimit Civil ka ende shumë punë për të bërë, pasi funksionimi i tij ende nuk është brenda normalitetit. OSBE kërkoi dje që autoriteti i KSHC-së, që është gjykata e nëpunësve civil, që vendimet e saj të respektohen në çdo rast nga institucionet. Procedurat aktuale për rekrutimin, ngritjen në detyrë, vlerësimin dhe heqjen nga puna të zyrtarëve publikë kërkojnë një zhvillim të mëtejshëm sa i përket forcimit të transparencës dhe shtetit të së drejtës. Komisioni vazhdon të mos jetë në gjendje të kryejë plotësisht detyrat e tij në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis nëpunësve civilë dhe  institucioneve shtetërore. Pavarësia e tij duhet të respektohet nga të gjitha institucionet e tjera publike. Vendimet e formës së prerë të Gjykatës mbi ligjshmërinë e pushimeve nga puna ende nuk po zbatohen, theksoi kreu i OSBE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›