E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, banorët protestojnë për rrugën e re

Protesta e banoreve / Foto: Bardha Nergjoni

Banorët e komunës Bradashesh kanë protestuar një ditë më parë, madje duke bllokuar edhe mjetet e firmës sipërmarrëse të punimeve për pjesën e rrugës Elbasan-Tiranë.

Të shqetësuar për faktin se janë dëmtuar tokat, pemët edhe objektet në pronësi të tyre kur nuk kanë marrë ende paratë, kanë vendosur të mblidhen të gjithë duke kërkuar që të rishikohet çmimi i tokës, pasi me çmimin aktual ata dalin të humbur. Një ditë më parë, mjetet e firmës papritur kanë dëmtuar pemët, grurin dhe një magazinë në pjesën ku do të kalojë rruga. Kjo ka bërë që banorët të mblidhen duke i bllokuar punën mjeteve.

Nisur nga situata e krijuar, ka mbërritur në vendin e protestës edhe kryetari i komunës, Sabri Sallaku, i cili ka tentuar të sqarojë banorët mbi mundësinë e rishikimit të çmimit të tokës. Ai ka deklaruar se do të shënohet çdo pemë e çdo vresht, në mënyrë që banorët të kenë mundësi të marrin paratë.

Përballja ka qenë e ashpër me banorët e irrituar, të cilët kanë kërkuar vlerësim në kushtet e tregut dhe për produktet e mbjella që ata humbin nga hapja e rrugës. Banorët kanë deklaruar se presin përgjigje nga qeveria, ndryshe do të vazhdojnë të bllokojnë punimet e firmës derisa të marrin paratë me vlerën reale të tokës së tyre.

Toka e tyre është vlerësuar me 4 mijë lekë të vjetra metri katror dhe kjo ka marrë një reagim të fuqishëm për banorët e fshatit Bradashesh, të cilët preken më shumë, pasi kanë në pronësi tokë pjellore dhe vreshta. Janë mbi 40 familje që duhet të kompensohen për tokën që humbasin nga kalimi i rrugës buzë përroit të Kushës në Bradashesh. / Bardha Nergjoni

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›