Rama: Berisha nuk mbajti premtimin për legalizimet

Rama dje në Kamzë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se maxhoranca aktuale përdori legalizimin e banesave për të përfituar votat e qytetarëve. Kreu i selisë rozë, gjatë një takimi me banorët e Kamzës theksoi se Partia Demokratike vazhdon të përdorë legalizimet e banesave për të fituar në këmbim votën e banorëve të Kamzës, por pa e përfunduar asnjëherë këtë proces. Për shumë vite me radhë Partia Demokratike luajti si me top me frikën e të gjithëve atyre që e ndërtuan gjithë këtë territor me mund e me djersë, se mos u prisheshin shtëpitë. E përdori këtë frikë, duke dalë si garante, duke dalë si mburojë, duke dalë si engjëlli mbrojtës dhe duke thënë ska problem. Por, në fakt, e vërteta është që ata që u shkulën nga shumë zona të thella, të varfra, pa perspektivë dhe erdhën këtu pa asgjë, pa njohur njeri dhe pastaj filluan të sjellin njëri-tjetrin. Dhe e filluan nga shtëpitë e plastmasit, nuk erdhën këtu vetëm për të ndërtuar një shtëpi. Erdhën këtu për të jetuar në qytet. Nuk erdhën këtu për të jetuar brenda mureve të shtëpisë dhe pastaj jashtë sikur ishin diku në një vend pa lidhje me Europën, theksoi Rama. Kreu i selisë rozë theksoi ndërkaq se moslegalizimi i ndërtimeve të kryera vazhdon të jetë një plagë për zonën e Kazmës. Sot, jo vetëm legalizimet nuk janë kryer dhe janë problem i hapur për shumë e shumë familje, por pjesa tjetër lë shumë për të dëshiruar. Unë nuk them që Kamza sot është siç ishte 20 vjet më parë. Unë nuk them që në Kamzë sot njerëzit jetojnë siç jetonin 20 vjet më parë, me plastmas, pa rrugë dhe pa asgjë. Jo! Por, unë them që Kamza sot nuk është qyteti, që të gjithë ata që erdhën ëndërruan kur u shkulën nga shtëpitë e tyre, theksoi kreu i selisë rozë.
Apeli
Gjatë takimit. Rama deklaroi se PS-ja nuk kërkon besim të verbër të banorëve të Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë, por kërkon besim të bazuar në një marrëveshje ku ky besim të kthehet në mirëqenie. Gjëja që ne na takon të bëjmë nuk është thjesht që të përfitojmë nga pakënaqësitë dhe nga dëshpërimi me çfarë ka bërë keq, apo nuk ka bërë mirë Saliu dhe PD. Nuk na takon që të mjaftohemi me kaq dhe tu themi njerëzve që shiko më keq se kaq nuk ka dhe tani hiqni këta dhe na vini ne. Ne na takon që njerëzve tu themi sesa më mirë do ta bëjmë ne punën në shërbim të tyre dhe sa më e mirë mund të jetë politika, në rast se sa më shumë njerëz bëhen bashkë dhe përfshihen, jo për të dhënë besim të verbër, siç i dhatë ju besim të verbër për vite me radhë PD-së, theksoi kreu i selisë rozë.
300 anëtarësime
Partia Socialiste ka shtuar radhët e saj të anëtarësimeve me 300 të rinjtë të qytetit të Kamzës. Këtë takim Rama e ka shfrytëzuar për tu bërë apel të rinjve për pjesëmarrje sa më të gjerë në politikë për të bërë të mundur që edhe Kamza, si e gjithë Shqipëria, tu përafrohet standardeve në të cilat qytetarët europianë jetojnë. Kryetari Rama tha se kjo kërkon kurajë dhe besim.
FATION BINJAKU