Bushati: Integrimi në BE qëndron mbi interesat partiake
Partia Socialiste përshëndet inkurajimin që Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule i ka dhënë kërkesës sonë për transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009, si një nga parimet themelore të një shoqërie demokratike, para, gjatë dhe pas vizitës së tij në Shqipëri, u shpreh Bushati.
Ai shtoi se kërkesa për transparencë është një kërkesë që bazohet, jo vetëm në ligjin dhe kushtetutën shqiptare, por dhe në vlerat e parimet europiane. Kjo kërkesë e jona nuk synon ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve të kaluara, por vetëm garantimin e procesit të ardhshëm zgjedhor, u shpreh Bushati.
Deputeti i PS-së ka theksuar se selia rozë mbështet procesin e kandidimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky është një proces që shkon përtej interesave të ngushta partiake dhe rivalitetit politik të ditës, tha Bushati.
Ai rikonfirmoi qëndrimin e PS-së për të dhënë kontributin e saj në atë që Bushati e cilësoi si ndërtimin e një Shqipërie evropiane.
m.xh/NOA