E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama proteston në Durrës për dritat dhe papunësinë

Takimet Kryetari i PS: Në protesta bashkë me ne për t’i dhënë fund kësaj historie korrupsioni

Një protestë për dritat, papunësinë, asistencën e pamjaftueshme dhe nëpërkëmbjen e njerëzve. Partia Socialiste është drejtuar në periferi për të gjetur lëndën e parë të arsyeve të veta të reagimit dhe të kundërshtimit të qeverisë. Lagjja 16 e Durrësit është zgjedhur nga kreu socialist, Edi Rama, për të komunikuar me banorët në një tur dialogues që synon përgatitjen e qytetarëve për protestën e 30 prillit. Sipas njoftimeve zyrtare nga PS, banorët e zonës i kanë shprehur Ramës shqetësimet e jetës së përditshme, që kryesisht burojnë nga abuzimi që pushteti aplikon në marrëdhënien me qytetarët. Më shumë sesa ka folur, Rama ka bërë një interpretim politik të shqetësimeve të përcjella duke mos harruar që të apelojë për pjesëmarrje në protesta. “Në këtë situatë që jeni ju janë qindra mijëra njerëz që nuk kanë mundësi të paguajnë dritat, nuk kanë mundësi të shtyjnë muajin. Ka vetëm një rrugë për të dalë nga kjo gjendje, në protesta bashkë me ne për t’i dhënë fund kësaj historie korrupsioni, kësaj historie vjedhjeje, kësaj historie abuzimi, që i ka rrënjët aty tek ato kutitë e votimit”, është shprehur ai. Lidhja e situatës ekzistuese me procesin e 28 qershorit është gjetur nga kreu i PS-së te mashtrimi që shumica realizoi duke u hequr njerëzve shpresën e një ndryshimi real. Pa hequr dorë për asnjë moment nga synimi i transparencës së zgjedhjeve, Rama ka ecur më tej duke e vlerësuar realitetin aktual si derivat të asaj që ndodhi në procesin e fundit elektoral. Sipas tij, më shumë sesa interesat e PS, me deformimin e votës u cenua edhe përmasa e përfaqësimit politik që sjell me vete shtjellimin e përgjegjësive dhe raportin e zhdrejtë me qytetarët. “Ju keni votuar për ndryshimin, pushteti e ka kthyer votën tuaj në një votë për vetveten. I vetmi që mund ta rikthejë në vend këtë punë është populli. Nuk do vazhdojmë kështu, do të protestojmë, do të protestojmë, do të protestojmë të gjithë bashkë”, vijoi më tej Rama. Ai ka apeluar për një zgjidhje të situatës nga populli; formulë kjo që riciklon stinën e politikës së rrugës simetrikisht e ngjashme me opozitarizmin e Sali Berishës në vitet 2000-2005. Zëdhënia politike për problemet që tanimë edhe fshihen nga qeveria është një taktikë që gjithsesi e ka sjellë PS më afër realitetit sesa përpara 28 qershorit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›