Kërkesa ekonomiko-politike nga Patosi dhe Korça
Partia Socialiste ka mbështetur dje dy protesta të shtresave të ndryshme të popullsisë, në Patos dhe në Korçë. Në Patos dje ka qenë dita e dytë e protestës që ka në thelb reagimin për gjendjen e rëndë ekonomike dhe që zhvillohet nga administrata e bashkisë dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike. Dje protestuesve u janë bashkuar edhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme. Kryetari i këshillit bashkiak të Patosit, Maksim Goga, tha se ngërçi i krijuar me këshillin bashkiak është bërë shkak për krizën ekonomike që ka pllakosur shumë nga familjet e Patosit. Ndërkohë, që nënkryetari i bashkisë, Artan Velçani, renditi të gjithë sektorët vartës të bashkisë, të cilët nuk kanë mundur të marrin pagat prej më shumë se dy muajsh. Kryetari i Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli, u përqendrua te mungesa e investimeve, si dhe braktisja e një komuniteti të tërë, siç është ai i Patosit.
Ndërkohë, në Korçë, shoqata e ish-ushtarakëve ka dalë në protestë për të kërkuar plotësimin e një prej kërkesave të vazhdueshme të saj, atë të rritjes së pensioneve. Por ish-ushtarakët kanë hedhur edhe parulla kundër rritjes së çmimeve. Për të disatën herë, ish-oficerë të ushtrisë dhe ish-policë që janë pjesë e kësaj shoqate, janë mbledhur në protestë në sheshin para teatrit të qytetit dhe i kanë bërë apel qeverisë dhe Kryeministrit Sali Berisha nëpërmjet parullave të tyre që të mos mbajë peng zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pensionet e tyre. Në këtë protestë është kërkuar edhe ulja e çmimit të energjisë elektrike, marrja e masave kundër rritjes së çmimeve dhe njohja e statusit të ushtarakut.
#