Klosi: Njësitë vendore, bllokim fondesh
Masat selektive të pushtetit në raport me njësitë vendore socialiste po njohin forma që mendoheshin si të lëna pas. Bllokimi i fondeve si njëra nga mënyrat e njohura në këtë drejtim, është lënë pas nga prerja e dritave si një masë që duket sikur synon të çelektrifikojë politikisht vendin. Një tabelë qitjeje e kësaj politike që po arrin kufijtë e absurdit është Komuna Nikël, por edhe fshati Lenie në Gramsh ku dje kanë qenë deputetët socialistë, Blendi Klosi dhe Damian Gjiknuri. Kështu, sipas njoftimeve zyrtare të PS, në Nikël banorët i janë ankuar Klosit se po lihen pa drita vetëm për faktin se kanë votuar majtas. Pavarësisht kësaj gjendjeje, faturimi vjen në shifra konstante duke e bërë shqetësimin edhe ekonomik. E njëjta situatë është verifikuar në Lenie nga deputeti Gjiknuri, i cili përpos të tjerave është vënë në dijeni edhe me faktin se fshati paguan taksën e TVSH edhe pse prej 3 vjetësh sinjali i televizionit publik nuk e arrin këtë fshat të Gramshit. Tregues socialë dhe ekonomikë të rajoneve rurale shqiptare që flasin qartë se axhenda e politikave të zhvillimit mbetet më shumë retorikë.
#