E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: Mirëqenia e shqiptarëve nuk është rritur

Partia Socialiste ka shprehur sërish shqetësimin në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2009. Nënsekretari për programin në PS, Ervin Bushati, ka kundërshtuar fuqishëm mënyrën se si është ndërtuar buxheti i 2009-ës nga qeveria "Berisha". Gjithashtu ka theksuar se mirëqenia e shqiptarëve nuk është rritur dhe se buxheti fillon me manipulimin e shifrave zyrtare. Selia rozë, nëpërmjet një deklarate për shtyp, bëri me dije se "qeveria gënjen kur deklaron se mirëqenia ekonomike e shqiptarëve është rritur 3 herë gjatë dhjetë viteve të fundit". Sipas tij, menaxhimi i keq dhe shpërdorimi i fondeve publike me projekte të dështuara, e bën edhe më të vështirë jetën e çdo qytetari shqiptar sot. "Kemi vështirësi ekonomike që rëndojnë me çmime më të larta dhe të ardhura më të ulëta për çdo familje shqiptare", tha ai. Sipas Bushatit, qeveria "Berisha" gënjen me shifrat zyrtare që në paragrafin e parë të projektbuxhetit 2009, kur deklaron se mirëqenia ekonomike e shqiptarëve është rritur 3 herë gjatë dhjetë viteve të fundit. "Qeveria manipulon me shifrat zyrtare, pasi me vetëdije nuk llogarit rënien e vlerës së dollarit në këtë periudhë", theksoi ai. "E vërteta është se në rast se gjatë mandatit të kësaj qeverie të ardhurat do të ishin rritur 2 herë, atëherë çdo familje shqiptare do të mund të blinte 2 herë më shumë ushqime, do të mund të blinte 2 herë më shumë veshmbathje, do të mund të blinte 2 herë më shumë mallra konsumi. Por shqiptarët e dinë që kjo nuk është e vërtetë, sepse të gjithë jemi dëshmitarë se sa ka rënë fuqia blerëse në çdo familje", veçoi Bushati në deklaratën e tij të radhës kundër buxhetit të qeverisë "Berisha". Sipas tij, nën këtë qeverisje, menaxhimi i keq dhe shpërdorimi i fondeve publike me projekte të dështuara, e bën edhe më të vështirë jetën e çdo qytetari shqiptar, aktualisht me vështirësi ekonomike, që rëndojnë me çmime më të larta dhe të ardhura më të ulëta për çdo familje shqiptare.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi të hënën në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, se "buxheti i vitit 2009 është thuajse dy herë më i madh se sa buxheti i vitit 2004, ndërsa krahasuar me atë të vitit 2006 është rreth 50 për qind më i madh". Sipas kreut të ekzekutivit, ky "është buxheti i rritjes së shpejtë ekonomike", ndërkohë që shprehu bindjen se "Shqipëria nuk do të shkëputet nga orbita e rritjes së shpejtë ekonomike edhe gjatë vitit në vijim". Buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm ishte kryefjala e raportit javor, që Kryeministri Berisha mbajti përballë deputetëve demokratë në mbledhjen e grupit. Shefi i qeverisë e cilësoi draftin ekonomik më të rëndësishëm të qeverisë, si një skemë e cila përmbush të gjitha objektivat e qeverisë për rritje të mëtejshme ekonomike, më shumë rrugë të shtruara dhe më shumë para në xhepat e buxhetorëve shqiptarë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›