E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimet e nënës shqiptare: Mateon mund ta kenë shitur

Vogëlushi 13 muajsh,
Mateo Dullia, nuk dihet
nëse është gjallë apo
ka vdekur. Nëna e tij,
Albana Dullia, ka shumë frikë se
fëmija i saj, në rastin më të mirë
është shitur nga grupe mafiozësh
dhe në rastin më të keq, mund të
mos jetojë më. Dyshimet e trishta
i hedh mamaja e vogëlushit. Në
një intervistë ekskluzive, dhënë
dje për agjencinë e lajmeve NOA,
29-vjeçarja Albana Dullia, tregon
gjithçka për ngjarjen që i ka ndryshuar
jetën, për 72 ditët plot
ankth që po përjeton, pas zhdukjes
të djalit të saj, që më datë 7
shtator kur humbi, ishte vetëm
njëmbëdhjetë muajsh.
Albana, duke shprehur keqardhjen
për humbjen e vogëlushit
tuaj, ne bashkohemi me dhimbjen
dhe përpjekjet tuaja për
gjetjen e tij. A mund të kujtoni
cilat ishin raportet tuaja me
autorin e dyshuar të rrëmbimit,
Hasan Kerim.
Pikë së pari, ai nuk është i
dyshuari, por autori i vërtetë
i rrëmbimit. Personi në fjalë
kishte krijuar njohje me mua, e
cila arriti deri në një bashkëjetesë,
ku toleranca ime dhe dëshira
për ta ndihmuar u shfrytëzuan
shumë keq. Unë e kam njohur
këtë person rreth tre vjet më
parë këtu në Athinë. Jetoj këtu
me familjen time, nënën, vëllain
dhe pjesëtarë të tjerë. Një
mbrëmje ne shkuam në një
lokal ku kishte muzikë orientale.
Atje jam njohur me këngëtarin,
i cili ishte Hasan Kerim. Ky
person ishte një emigrant nga
Siria, që siç mësova më vonë,
ishte pa dokumente në Greqi.
Ne u njohëm bashkë dhe ndjeva
një dëshirë të brendshme për
ta ndihmuar atë. Ai ishte pa
shtëpi dhe shpejt mbeti dhe pa
punë, ndërsa unë në një gjendje
normale, me shtëpi e familje.
Vendosa të marr një shtëpi me
qira, në emrin tim, sepse ai nuk
mund të merrte banesë pasi
ishte klandestin dhe nisëm të
jetojmë së bashku.
Gjatë kësaj periudhe, ai punonte?
Jo. Unë, bashkë me nënën
time kam një dyqan me aksesorë
rrobash dhe në më të shumtën e
kohës ai rrinte me ne. Kjo zgjati
për më pak se një vit dhe raporti
mes nesh ishte normal. Pikërisht
kur unë mbeta shtatzënë, ndryshoi
gjithçka.
Çfarë ndodhi?
Ishte e tmerrshme. Ai nisi të
më konsideronte si tokën e tij,
karakteri i ndryshoi tërësisht, u
bë i vrazhdë, fëmijën refuzonte
ta mbanim. Këmbënguli shumë
herë që fëmijën ta abortoja,
arriti deri atje sa të më thoshte,
nuk e dua, nuk është imi etj. Unë
refuzova me bindje që ta dështoja
fëmijën tim të parë. Ishte një
dhuratë nga Zoti dhe duhet ta
nxirrja në jetë. Por ai u bë edhe
më i keq dhe ndërsa isha në muajt
e parë të shtatzënisë, u zhduk
nga shtëpia. Që atëherë nuk ishte
bërë më i gjallë.
Kur u rishfaq Hasan Kerim?
Kur ai u zhduk, jeta ime ndryshoi
dhe unë isha e qetë. Pata
një shtatzëni normale dhe solla
në jetë djalin tim, krijesën e parë,
që mori emrin Mateo. Së bashku
me familjen time kemi bërë gjithçka
që djalit të mos i mungojë
kurrgjë dhe të rritet normalisht.
Ishte data 7 shtator, pra para
72 ditësh, kur ndodhi ajo që më
shkatërroi jetën. Unë gjendesha
në shtëpi dhe u bëra prè e një
kurthi në të cilin rashë, sërish
nga zemërgjerësia, mirëbesimi
im. Pra, ndodhesha në shtëpi me
djalin tim Mateon, që ende nuk
i kishte mbushur njëmbëdhjetë
muaj. Befas shfaqet personi në
fjalë, që nuk dua t‘ia përmend
emrin. Kishte një pamje dhe
sjellje krejt të ndryshme. Por nuk
e kuptova që ishte vetëm pjesë
e planit. Ai nisi të përgjërohej
se kishte ndryshuar, se donte
që të rikthehej dhe se donte të
ishim një familje. Nuk mund ta
besoja, ndaj i thashë se kjo gjë
nuk bëhej. Atëherë përdori një
variant tjetër. Në rregull më tha,
dalim nga këtu, bëjmë një xhiro
që t‘i blej një dhuratë fëmijës
tim, kaq të drejtë e kam më tha.
Megjithëse me hezitim të fortë,
pranova, duke besuar për një
çast se ai vërtet ishte i përmalluar
për fëmijën që nuk e kishte parë
kurrë. U gënjeva. Mora fëmijën
në krahë dhe dolëm nga shtëpia
këtu në Kukaki ku jetoj dhe përballë
në trotuar nisëm të ecnim.
Ndërsa ecnim, më thotë: Ma jep
fëmijën të shkojmë në periptero
(kioskë) t‘i blej biskota. I them jo
se ka ngrënë dhe i blej biskota
të posaçme për bebe. Ndërsa
ecnim dhe pak metra, sërish më
thotë, në rregull më lër ta mbaj
pak në krahë, vetëm pak metra.
Ai çast ishte fatal për mua sepse
pranova në heshtje. Këtu ndodhi
e tmerrshmja. Ai e mori Mateon
nga kraharori im dhe e mbajti në
krahë, duke ecur pak më përpara,
ndërsa fëmija ishte nga unë.
Kishin kaluar vetëm pak metra
kur po afrohej një kryqëzim, në
të cilin vijon një rrugë tejet e gjatë.
Ai befas vrapoi me shpejtësi,
duke i kthyer kokën djalit që të
mos më shihte dhe zhduket sa
hap e mbyll sytë, megjithëse unë
më kot renda duke vrapuar.
Kur ndodhi kjo, ju a patë
të kishte ndonjë person tjetër
përreth?
Ajo që dëgjova ishte një zhurmë
motori, që më bën të besoj
se ai po ndihmohej nga persona
të tjerë, sepse u zhduk shumë
shpejt.
Çfarë bëtë pas kësaj?
Kam ulëritur me të madhe.
Nuk arrija ta besoja. Aty u mblodhën
shumë njerëz, lajmërova
dhe policinë.
Ju ka ndihmuar policia
greke?
Jashtë mase. Ata kanë punuar
shumë dhe me ç‘më thonë,
vazhdojnë të punojnë, por gjithsesi
djali im nuk është gjetur dhe
unë nuk e di nëse ai është gjallë
apo jo.
A keni ju dyshime për fatin e
djalit tuaj?
Mateo lindi pa baba. Ai e
braktisi dhe nuk ishte kurrë aty,
për asgjë. Unë jam e qartë. Ky
person u rishfaq me një qëllim të
caktuar: për të rrëmbyer fëmijën
tim, vetëm për qëllime të këqija.
Kam shumë frikë se ai person
është zhytur në krim. Kemi dyshime
të forta se djali mund të jetë
shitur, dyshoj te lidhja e tij me
një grup mafiozësh që merren
me trafikim të bebeve dhe kam
shumë frikë nëse im bir jeton
më apo jo.
A ka dyshime gjithsesi se fëmija
mund të ketë përfunduar
në Siri?
Policia e ka hedhur si dyshim
edhe këtë mundësi. Kjo për
faktin se ai person nuk kishte
asnjë leje qëndrimi, pa punë, pa
shtëpi. Sigurisht që mund të jetë
larguar, me apo pa fëmijën tim,
për në Siri.
Sensibilizimi në mediat greke
ka qenë, madje vazhdon të jetë i
madh. A keni pasur ju kontakte
me ta dhe a jua kanë shtrirë
dorën për ndihmë?
Jo. Kontakte kam dashur të
kem, por nuk më është ofruar
ndihmë. Në të vërtetë kam dashur
shumë, por shteti im, nuk ka denjuar
qoftë dhe duke më mbështetur
emocionalisht dhe pse jo, të
kërkojë nxitje të përpjekjeve për
të mësuar fatin e djalit tim. Në të
kundërt, jam mbështetur shumë
psikologjikisht nga "To hamogjelo
tu pedhiu" (Buzëqeshja e
fëmijës), një qendër për rastet e
fëmijëve të humbur.
Po me ambasadën e Greqisë
në Siri a keni pasur kontakte?
Po. Ne jemi lidhur me ta dhe
kanë deklaruar se po bëjnë përpjekje
për të zbuluar diçka, por
deri tani nuk na kanë dhënë asnjë
informacion.
Cili është apeli që do të donit
të drejtonit?
Kam një thirrje të fortë për të
gjithë ata njerëz që mund të dinë
diçka për fatin e Mateos tim. I
lutem të më ndihmojnë, duke treguar
çdo gjë që mund të dinë për
të. U drejtohem veçanërisht atyre
personave që e njihnin dhe kishin
shoqëri me atë person që kur unë
u kam kërkuar të më tregojnë ku
u zhduk, pasi rrëmbeu fëmijën,
kanë ngurruar duke mbledhur
buzët. Por i bëj një apel shtetit tim
që të jetë prezent në këtë ngjarje.
Shteti im nuk gjendet asgjëkund,
ndaj dua që të më ndihmojë në
këtë tmerr që na ka kapluar këtu
në kurbet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›