E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e Kosovës: Katër pikat për vendosjen e EULEX-it

Kosova ka paraqitur një dokument 4-pikësh, me të cilin ftohet sërish fillimi i misionit të EULEX-it në Kosovë, ndërkohë që kundërshtohet përfundimisht plani 6-pikësh i kreut të OKB-së, Ban Ki Mun, dhe Beogradit, për shtrirjen e këtij misioni. Këto pika vijnë si një lloj kundërpërgjigjeje pas një plani gjashtëpikësh të sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun, të harmonizuar me Beogradin, të cilin Kosova e ka hedhur poshtë. Këto qëndrime të Prishtinës i janë prezantuar dhe dorëzuar zëvendësndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, me të cilat Kosova e fton EULEX-in të fillojë misionin, por duke e respektuar Kushtetutën dhe tërësinë territoriale të saj. Presidenti Fatmir Sejdiu, i cili i lexoi këto katër pika, tha se qëndrimet e Prishtinës janë të harmonizuara dhe prezantojnë pozicionin e institucioneve, mbi bazën e të cilave misioni i BE-së mund të fillojë shtrirjen në të gjithë territorin e Kosovës. Këto pika të krerëve të Kosovës janë:

"1 - Jemi për vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës sipas mandatit të paraparë me deklaratën e pavarësisë, dokumentin e presidentit Ahtisari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, aksionin e përbashkët të 4 shkurtit të vitit 2008 dhe ftesën bërë EULEX-it nga institucionet e Kosovës, të nënshkruar edhe nga Presidenti më 17 shkurt dhe 8 gusht të vitit 2008".

"2 - Institucionet e Kosovës refuzojnë dokumentin gjashtëpikësh".

"3 - Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë me EULEX-in për vendosjen në tërë territorin e Kosovës".

"4 - Kosova do të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n".

Diplomati amerikan, Daniel Fried, tha se qëndrimet e Prishtinës do t‘i paraqesë tani në Gjenevë tek autoritetet e Kombeve të Bashkuara. Ai tha se këto pika të Prishtinës janë një platformë e mirë për të vazhduar përpara. Sidoqoftë, Fried tha se ka ende gjëra që duhen harmonizuar për të parë nëse do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë, për t‘i mundësuar EULEX-it fillimin e misionit në Kosovë. "Është mirë që institucionet e Kosovës të punojnë me ne ashtu siç janë duke bërë, në mënyrë që të forcohet sundimi i ligjit në tërë Kosovën dhe në mënyrë që të zhvillohet bashkëpunimi me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe OKB-në. Kanë qenë dy ditë të mira dhe intensive dhe tani kemi bazat për të ecur përpara", tha Daniel Fried. Në takimin e djeshëm ka marrë pjesë edhe shefi i ICO-s, Pieter Feith, i cili tha se BE-ja pret që të arrihet një marrëveshje, në mënyrë që EULEX-i të fillojë sa më shpejt me punën e vet në Kosovë. "Ne, si Bashkim Evropian, mezi po presim vendosjen e shpejtë të EULEX-it në tërë Kosovën. Jemi të lumtur të dëgjojmë se qeveria është e përkushtuar për të punuar me ne dhe me OKB-në, për ta mundësuar vendosjen e EULEX-it", tha Feith. Ndërkaq, Kryeministri Hashim Thaçi përsëriti pozicionin e qeverisë së Kosovës për bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe për shtrirje të EULEX-it konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës. "E kemi ftuar dhe i kemi dhënë përkrahje dhe do ta ketë bashkëpunimin tonë të ngushtë EULEX-i për zgjerimin dhe ushtrimin e autoritetit në tërë territorin e Kosovës, në mënyrë që të funksionojë rendi dhe ligji në të gjithë territorin, në mënyrë që të mos ketë struktura jolegale në asnjë pjesë të territorit të Kosovës. Ky zotim i yni është përfshirë edhe në refuzimin në tërësi të dokumentit gjashtëpikësh", theksoi Thaçi. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, këto dy ditët e fundit, diplomati amerikan, Daniel Fried, ka takuar edhe opozitën, së cilës i ka transmetuar përmbajtjen e aktiviteteve të fundit diplomatike, në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për EULEX-in. Fried tha se pikëpamjet e Prishtinës do t‘ia paraqesë OKB-së dhe BE-së, për të parë se cilat janë format e përbashkëta për fillimin e misionit të EULEX-it në Kosovë, pas kundërshtimit të planit gjashtëpikësh nga ana e Kosovës, por i cili paraprakisht ishte pranuar nga Serbia. Sidoqoftë, diplomacia ndërkombëtare është në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje për EULEX-in deri në fillim të dhjetorit, e cila nuk do të kundërshtohej nga Prishtina, por as nga Beogradi.

Katër pikat e Prishtinës

1 - Jemi për vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës sipas mandatit të paraparë me deklaratën e pavarësisë, dokumentin e presidentit Ahtisaari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, aksionin e përbashkët të 4 shkurtit të vitit 2008 dhe ftesën bërë EULEX-it nga institucionet e Kosovës, të nënshkruar edhe nga presidenti më 17 shkurt dhe 8 gusht të vitit 2008".

2 - Institucionet e Kosovës refuzojnë dokumentin gjashtëpikësh".

3 - Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë me EULEX-in për vendosjen në tërë territorin e Kosovës".

4 - Kosova do të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n", tha Sejdiu, duke prezantuar pozicionin e Prishtinës

Fried

Nënsekretari i Departamentit të Shtetit të SHBA, Daniel Fried, tha se qëndrimet e Prishtinës do t‘i paraqesë tani në Gjenevë tek autoritetet e Kombeve të Bashkuara. Ai tha se këto pika të Prishtinës janë një platformë e mirë për të vazhduar përpara.

Deklarata

Xhons: EULEX-i nuk ka nevojë për një vendim të OKB-së

Diplomati i lartë amerikan për Ballkanin, Stjuart Xhons, ka thënë në Beograd se deklarata e Kryesisë së Këshillit të Sigurimit nuk është parakusht për vendosjen e misionit të EULEX-it. "Serbia ka kërkuar që për shtrirjen e EULEX-it të shprehet Këshilli i Sigurimit përmes një deklarate nga ana e Presidencës. Nëse mund të arrijmë pajtim është mirë, por nëse nuk e arrijmë këtë, besoj se gjithë pajtohen se e rëndësishme është të shtrijmë EULEX-in", është shprehur Xhons. Sipas tij, mospajtimet në Prishtinë për planin 6-pikësh do të zgjidhen gjatë ditëve në vijim.

Arsyet

Sipas tij, në veri krijohen polici dhe gjykata të pavarura

Plani i Ban Ki Mun legalizon ndarjen

Policia dhe gjyqësia konsiderohen si dy fushat që atakohen më shumë nga plani 6-pikësh i Ban Ki Munit. Zyrtarët qeveritarë thonë se nuk do të lejojnë dualizëm pushtetesh, por opozita dhe ekspertët shfaqin drojën se qeveria nuk do t‘i bëjë ballë presionit dhe 6-pikëshi në një ose formë tjetër do hyjë në fuqi. Fushat që do ta pësonin më së shumti nga fuqizimi i planit të Ban Ki Munit, sipas zyrtarëve të qeverisë, janë gjyqësia dhe policia. Eksperti për çështje kushtetuese, njëherësh anëtar i kabinetit qeveritar, Arsim Bajrami, konsideron se plani çon në ndarjen territoriale të vendit. "Në mënyrë të veçantë, me këtë plan që tashmë është refuzuar dhe shpresoj që është vendosur jashtë kontekstit të bisedimeve, gjyqësori dhe policia do të atakoheshin dhe nuk do të garantohej një funksionim i sistemit unik gjyqësor dhe një policie unike, sepse me zbatimin e këtyre pikave, në fakt do të legalizoheshin këto struktura paralele dhe do të mundësohej një dualizëm i menaxhimit të gjyqësisë dhe policisë. Kjo bie ndesh drejtpërdrejt me konceptet e një shteti sovran, në fakt nuk merr si të kryer çështjen e statusit final dhe paragjykon një ndarje të mundshme territoriale të Kosovës", pohon Bajrami.

Qeveria, sipas Bajramit, e ka marrë këtë plan vetëm muajin e fundit, edhe pse hartimet për të në relacionin Beograd-OKB po bëhen prej disa muajsh. Ish-ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, konsideron se ky plan legalizon strukturat paralele të drejtësisë në veri. "Definitivisht, pjesa e veriut dhe enklavat do të kenë drejtësi të vetën dhe kjo nuk do t‘i konvenojë Kosovës; faktikisht, si tërësi do ta cenojë rëndë sundimin e ligjit", tha Salihaj. Por, çështje edhe më e ndjeshme sesa drejtësia, sipas ekspertit të Sigurisë, Ramadan Qehaja, është policia. Sipas interpretimit që kosovarët i kanë bërë planit, policia serbe në veri nuk do t‘i nënshtrohet zinxhirit komandues kosovar, por oficerëve ndërkombëtarë të policisë. "Është e pakuptimtë që ne të kemi dy polici në Kosovë, d.m.th. policinë në jug të vendit dhe një polici në veri të lumit Ibër, përkatësisht një polici që është mono-etnike. Kjo për mua është gjëja më e keqe që ka mundur të na ndodhë dhe që mund të ndodhë nëse plani i Ban Ki Munit realizohet në terren", tha Qehaja. Pala kosovare e ka refuzuar këtë plan duke prezantuar katër pika, që për bazë kanë dokumentet e shtetësisë së Kosovës, të cilat i lejojnë vendosjen dhe shtrirjen e EULEX-it në Kosovë. Por, Qehaja nuk është i bindur që pala kosovare nuk do të lëshojë pe ndaj planit gjashtëpikësh. "Ne, si Republikë e Kosovës, me kohë, nuk e kemi refuzuar në mënyrë më të ashpër gjashtëpikëshin e Beogradit, sepse s‘është i Ban Ki Munitt, por i Beogradit zyrtar. Domethënë, është lënë një kohë mjaft e gjatë që të kalojë prej atëherë kur është publikuar kjo dhe tash gjendemi në një moment shumë delikat, ku me të vërtetë disa gjëra do të shkojnë ndoshta në dëm tonin", u shpreh Qehaja. Por, Arsim Bajrami thotë se qeveria e Kosovës nuk do të lëshojë pe, edhe pse, sipas tij, kosovarët do të mbesin konstruktivë në proces. "Jo, qeveria absolutisht nuk do të lëshojë pe sa i përket konceptit të këtyre gjashtë pikave, por do të jetë konstruktive në proces; është interes vital i Kosovës dhe i qeverisë së Kosovës që të vendoset sa më shpejt EULEX-i", tha Bajrami.

Plani

Policia serbe në veri nuk do t‘i nënshtrohet zinxhirit komandues kosovar, por oficerëve ndërkombëtarë të policisë. "Është e pakuptimtë që ne të kemi dy polici në Kosovë, d.m.th. policinë në jug të vendit dhe një polici në veri të lumit Ibër, përkatësisht një polici që është mono-etnike

Akuza

Shoqatat: Diplomacia shqiptare, heshtje absurde

Rrjeti i Organizatave Shqiptare, pjesë i të cilit është edhe lëvizja "Mjaft!" ka akuzuar diplomacinë shqiptare se po mban një qëndrim indiferent përballë planit 6-pikësh të Ban Ki Mun për Kosovën. Në deklaratën e ROSH-it theksohet se "plani i Ban Ki Munit përbën një shkelje të rëndë të pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe kërcënon rëndë interesat e shqiptarëve në rajon. Plani gjithashtu çon drejt ndarjes së Kosovës, duke krijuar dy precedentë të rrezikshëm. I hap rrugën krijimit të shteteve të pastra etnike dhe shkel mendimin e komitetit të arbitrimit të Badinterit që rekomandon që shtetet e dala prej Jugosllavisë duhet të kenë kufijtë që kanë pasur kur kanë qenë entitete të veçanta brenda Jugosllavisë". Organizmat joqeveritare kanë "dënuar heshtjen e gjatë të Ministrisë së Jashtme shqiptare dhe kërkojmë që qeveria shqiptare të marrë përsipër përgjegjësinë historike dhe kushtetuese që dikton momenti. Kujtojmë sot, në dhjetëvjetorin e Kushtetutës shqiptare, që në hyrjen e saj është paraqitur qartë detyra dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar për të punuar për prosperitetin e të gjithë kombit dhe për realizimin e aspiratës shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›