Uithers, takime në Kuvend me Topallin, Leskajn dhe Patozin
Lëvizjet diplomatike nuk kanë reshtur deri në momentin e fundit të nisjes në Parlament të diskutimit të Kodit të ri Zgjedhor. Duke qenë se zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 janë shqetësimi kryesor i komunitetit ndërkombëtar, kancelaritë perëndimore të atashuara në Tiranë nuk kanë reshtur së konsultuari dhe bashkëpunuari për të realizuar rregulla të ndershme për ballafaqimin elektoral të vitit të ardhshëm. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uithers, ka zhvilluar edhe dje takime të rëndësishme me politikanët kryesorë të vendit, përpara fillimit të diskutimit për Kodin e ri Zgjedhor. Kryediplomati i Uashingtonit ka zhvilluar dje një takim në Kryesinë e Parlamentit, ku përveçse kreu i Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë qenë prezentë edhe krerët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste, përkatësisht Astrit Patozi dhe Valentina Leskaj. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe për thelbin e diskutimeve nuk ka pranuar të flasë para mediave asnjë prej të pranishmeve. Në një njoftim zyrtar të Kryesisë së Kuvendit, theksohet se kryeparlamentarja Topalli dhe ambasadori Uithes kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë. Në këtë njoftim bëhet e ditur se "Topalli, gjatë një takimi me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Xhon Uithers, shprehu bindjen se raportet me administratën e re të Presidentit Barak Obama do të jenë të shkëlqyera. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së, si dhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë". Vetëm në fjalinë e fundit të njoftimit të Kryesisë së Kuvendit, theksohet se "në takim u fol gjithashtu edhe për sfidat e së ardhmes dhe vendosmërinë për të ecur përpara me reformat". Nga burime pranë dy partive kryesore, bëhet e ditur se në takimin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uithers, në Kryesinë e Kuvendit është folur pikërisht për Kodin Zgjedhor, si dhe sfidën që politika shqiptare ka përpara, për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2009, si një nga kushtet kryesore për të realizuar integrimin euroatlantik. Vetë pjesëmarrja e aktorëve politikë, në takimin me ambasadorin Uithers, është tregues i qartë i performancës së Uashingtonit zyrtar për të identifikuar faktorët kryesorë politikë në Shqipëri. Dy ditë më parë, ambasadori amerikan ka zhvilluar edhe dy takime të veçanta me Kryeministrin Berisha, si dhe me liderin e opozitës, Edi Rama, pikërisht për problemin kyç, miratimin e Kodit të ri Zgjedhor në vend. Përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë, si Bashkimi Evropian, por edhe OSBE-ja kanë bërë thirrje për mbylljen sa më shpejt të miratimit të infrastrukturës zgjedhore, për të nisur përgatitjen menjëherë në fillim të janarit. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 do të monitorohen ngushtas dhe janë kërkuar që të bëhen ngushtësisht sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare.