E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligj për liberalizimin e përmbarimit

Projektligji "Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat", që synon liberalizimin e këtij shërbimi, u paraqit dje në komisionin parlamentar të Ligjeve. Sipas relacionit shoqërues të p/ligjit, praktika e një shërbimi përmbarimor të liberalizuar ka gjetur zbatim në disa vende evropiane, por në kushtet e vendit tonë është menduar që ky shërbim të jetë i sistemit të dyfishtë, shtetëror dhe privat. Zbatimi i një sistemi të tillë të dyfishtë do të jetë tranzitor, deri në krijimin e një kornize ligjore dhe një vlerësimi përfundimtar, nëse ky transformim do të jetë eficent për kushtet e vendit tonë, thuhet në relacionin përkatës.

Liberalizimi i parashikuar në p/ligjin e qeverisë nënkupton që funksionet e shërbimit përmbarimor shtetëror të mund të kryhen edhe nga operatorë privatë, të licencuar për këtë qëllim. Ky proces paraqet disa përparësi, si ulja e shpenzimeve buxhetore, ulja e ngarkesës së punës së shërbimit përmbarimor shtetëror, rritja e cilësisë së tij përmes një shërbimi më të motivuar, futja në treg e operatorëve të rinj në kushtet e konkurrencës, ulja e fenomeneve korruptive në këtë shërbim, etj. Sipas p/ligjit, detyra që do të ushtrojnë përmbaruesit privatë do të vlerësohet si një funksion publik i deleguar, nisur nga rëndësia që ka procedura e ekzekutimit të titujve ekzekutivë. Shërbimi përmbarimor privat mund t‘i ushtrojë funksionet e tij në të gjithë territorin e vendit dhe nuk do të ketë një ndarje të juridiksionit sipas njësive vendore apo rretheve gjyqësore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›