E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hueida Elsayed - Paskuintat me Arjonin dhe dëshira për të pasur një fëmijë

 

Ermira Shpetimi

Ndërkohë që në programin “Një këngë për ty” kërkoheshin fëmijë të talentuar që dinë të këndojnë, autorët e këtij programi mendonin dhe për një moderatore të denjë për të prezantuar këta yje të vegjël. Dhe nuk ishte e lehtë. Kjo pasi në krahasim me një format tjetër të çfarëdo ku të rriturit do të ishin protagonistët, kësaj here një prezantues duhej të përmbushte të tjera kritere. Përveç faktit se ajo duhej të ishte e njohur dhe me eksperiencë në botën e televizionit, duhej të përcillte gjithashtu një imazh të pastër, gati-gati si të një fëmije. Një vajzë e cila përshfaqjen e anës së saj seksi, nuk e kishte pikën e saj më të fortë, por përkundrazi, ëmbëlsinë, butësinë dhe fuqinë e komunikimit jo vetëm përmes fjalës por edhe përmes syve, buzëqeshjes dhe mirësisë. Dhe u zgjodh Hueida, ish-balerina e cila ka vite që ka zgjedhur perëndimin për të jetuar, ku dhe ka ndërtuar suksesshëm karrierën e saj. Propozimi për të drejtuar një program të tillë, e tundoi dhe vendosi të thoshte “po”. Tani që kanë kaluar pesë puntata, është momenti që të bisedojmë me të për të kuptuar më shumë se si po e përjeton këtë eksperiencë, si janë marrëdhëniet e saj me Arjonin, Alessian, autoren e programit, çfarë ndodh paskuintave, kush janë fëmijët në konkurrim që ajo preferon më shumë dhe gjithçka tjetër.
Pas pesë javësh trasmetim të programit “Një këngë për ty”, si ndjehesh?
Ndjehem shumë mirë, mund të them që kam bërë paqe me fëmijët dhe mbi të gjitha jam e lumtur për këtë bashkëpunim të parë me “Top Channel” dhe me ideatoren e këtij programi Alessia Grieco Vessichio.
Meqë përmende Alessian, thonë që ajo është person pak i vështirë në punë, ti si ndjehesh me të?
Alessia është profesioniste dhe si e tillë ajo di se çfarë do, dhe kërkon me çdo kusht që të nxjerrë më të mirën e mundshme, në rastin tonë më të mirën nga fëmijët, nga unë e nga të gjithë ne që jemi pjesë e spaktaklit. Ajo është një shkruese projekti që të nxit të prekësh limitet e tua. Mund të them se mbas gruas së fortë, fshihet një njeri me zemër të madhe, me një botë shpirtërore të pasur dhe me shumë energji e ide.
Pse mendon që Alessia vendosi që të ishe ti prezantuese e këtij programi duke patur parasysh se ti kishe kohë e shkëputur nga ekrani shqiptar?
Di që stafi i këtij programi kërkonte një prezantuese, Alessias i dhanë edhe emrin tim. Aty kërkohej një vajzë me imazh të pastër dhe madje paksa fëminore dhe fakti që jam aty, tregon se i kam bindur që i posedoj këto cilësi. Nuk e kisha menduar ndonjëherë që do të drejtoja një program për fëmijë, pasi për të qenë e sinqertë nuk kam qenë ndonjëherë e lidhur në mënyrë të posaçme me to. Prandaj dhe ju thashë që mësova të bëj paqe me to. Unë e pranova thjesht për kënaqësinë e eksperimentimit të diçkaje të re, por në fakt sot kuptoj që ata fëmijë më kanë bërë shumë për vete me talentin e tyre, më ëmbëlsinë, pafajsinë, me dashurinë që më japin.
Si ndjehesh kur duhet të japësh klasifikimet e tyre në fillim të çdo programi?
Shumë keq madje një herë desh u përlota në mes të skenës për vendet e fundit, pasi shoh sytë e trishtuar të fëmijëve. Prandaj dhe shpesh them se ata që duhej t’i votonin me siguri nuk kanë patur kredite në kartat e tyre. Ata tani janë bërë miqtë e mi më të mirë.
Që do të thotë se tani ke ndryshuar mendje për fëmijët, ke kuptuar se ata të falin shumë kënaqësi dhe lumturi. Mos vallë tani po mendon që të kesh edhe ti vetë një fëmijë?
Kam filluar ta mendoj sinqerisht. Më parë ishte një ide e largët për mua, por me një kusht ama, të kisha sigurinë maksimale që fëmija im do të ishte po kaq i talentuar sa dhe fëmijët e programit “Një këngë për ty”. Në një rast të tillë do ta nisja sapo të mbaronte spektakli, (qesh).
Me siguri që tani edhe ti ke të preferuarin tënd në atë program, cili është ai?
Në fakt nuk kam një por disa, por nuk do të ishte mirë që në pozicionin tim të jepja emra pasi nuk dua të veçoj askënd.
Të kemi parë që këndon çdo puntatë ndërkohë që ti je balerinë, kur do të kërcesh?
Në fakt kam shumë vite që nuk kam kërcyer dhe kur u vendos që unë të kisha një hapësirë timen, vendosa të këndoj. Por mendoj që në një nga puntatat e ardhshme do të kërcej nën një koreografi paksa të veçantë ku do të jenë pjesmarrës edhe fëmijët.
Ti iu bën fëmijëve pyetje të rriturish si p.sh: “A ke te dashur?” Ke pasur ndonjë reagim për këtë gjë?
Duke parë edhe shumë formate të ngjashme në perëndim, ku në biseda me fëmijët preken edhe tema që në dukje janë ekskluzivitet vetëm i të rriturve, ne menduam që fëmijëve t’ju bëjmë edhe pyetje të tilla. Natyrisht kur pyesim një fëmijë 8 vjeë për dashurinë, ne e kemi fjalën për pëlqimin apo afeksionin që ata kanë për një shoqe, jo për dashurinë në konceptin e të rriturve. Por ka pasur raste që disa prindër i kanë keqkuptuar këto pyetje duke kërkuar të vendosin një farë censure në bisedat mbi këto tema. Nuk më duket i drejtë ky përjashtim që ata kërkojnë t’i bëjnë fëmijëve nga jeta dhe dukuritë e saj të cilat natyrisht prej tyre shihen dhe logjikohen sipas kapacitetit dhe perceptimit që kanë.
Kolegu yt në prezantim është edhe Arjoni i cili merret më shumë me pjesën e talk show. Si është bashkëpunimi me të?
Arjoni është një djalë komod, i edukuar, i sjellshëm, është shumë korrekt. Ai vjen gjithmonë fiks në orar ndërsa unë e kam zakon të vonohem.
E kishe ndjekur më përpara në “Big Brother” dhe nëse po, çfarë mendimi kishe krijuar për të nga ekrani?
E kisha ndjekur aq sa të mund të krijoja një ide dhe për të qenë e sinqertë nuk më kishte lënë ndonjë përshtypje kushedi se çfarë. Por njohja me të ishte një suprizë e këndshme.
Nuk të bezdis pak theksi vlonjat?
Jo, sepse unë vlonjatët i kam shumë xhan. Madje edhe shokun tim të ngushtë Arjan Konomin, e kam nga Vlora. (qesh).
Sa miq jeni bërë me njëri tjetrin ndërkohë që keni një punë bashkë?
Jemi bërë miq, dalim kur mbaron spektakli, flasim për atë që po bëjmë. Ndërkohë që me të gjithë stafin mbidhemi në ditën e ritransmetimit të programit tek shtëpia e Alessias dhe komentojmë punën tonë.
Kur flasim për popullaritetin dhe famën, personazhet e “Big Brother” e kanë me shumicë atë të parën ndërkohë që ti ke prekur në vendin tënd por edhe jashtë, këtë të dytën. Si ndjehet Hueida e famshme në krah të Arjonit me popullaritet? A ka pak xhelozi brenda teje?
Ndjehem si një njeri që është krenar për veten për gjithçka ka dhënë deri tani me punën dhe talentin e saj. Kam ditur të provokoj shansin dhe të arrij gjithçka kam dashur, kam ditur të përfitoj nga çdo moment i mirë që më është krijuar. Rruga ka qenë e gjatë, puna e madhe dhe e lodhshme por mendoj se ia ka vlejtur. Nëse do të ishte e mundur të kthehesha pas në kohë dhe të përfitoja nga popullariteti i shpejtë që të japin disa formate televizive (të cilat vite më parë kur unë synoja spektaklin, nuk ekzistonin), përsëri do të zgjidhja rrugën e gjatë që kam përshkuar deri tani. Mendoj se problemi nuk është se sa shpejt apo vonë bëhesh i njohur, problemi është sa gjatë do qëndrosh dhe çfarë do të ofrosh për ata që të ndjekin dhe të pëlqejnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›