Bushati: Rritje e pensioneve me 20 lekë në ditë
Rrritja e pensioneve transformohet në lëndë të parë në debatin pozitë – opozitë. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha ka informuar qytetarët për rritjen e pensioneve më 1 korrik, Partia Socialiste përmes sekretarit të Këshillit Ekonomik të saj, Ervin Bushati, ka ofruar analizën e shifrave të saj. “Rritja e fundit e pensioneve është e papërfillshme, e pamjaftueshme dhe është tallja më e ulët me qytetarët që kanë punuar tërë jetën për të përfituar kaq pak sot. Më 1 korrik 2010 është zbatuar rritja më e ulët në përqindje e pensioneve në 10 vitet e fundit rritja e pensioneve në këtë kohë krize të ekonomisë familjare është me vetëm 20 lekë në ditë; shteti u dhuron sot pensionistëve aq lekë sa për të blerë një kokërr vezë në ditë”, u shpreh dje Bushati. Sipas tij, përfituesit e 20 lekëshit mund të konsiderohen me fat në krahasim me një kategori tjetër të zbuluar nga analiza opozitare, e cila sjell para opinionit një element dramatik në raportin e qeverisë me qytetarin. Kështu, sipas sekretarit socialist, kabineti “Berisha” ka rritur me vlerën 0 lekë të ardhurat e 90 mijë familjeve me ndihmë ekonomike, 60 mijë personave me aftësi të kufizuara dhe 10 mijë personave me fonde papunësie. Në një përmbledhje politike të faktit të ri ekonomik që qeveria servir, Bushati u shpreh "Buxheti i krizës" është dorëzimi para realitetit të rëndë ekonomik dhe pranimi de facto i krizës shumëplanëshe që ka kapur ekonominë dhe financat publike”.
#