Jo antikushtetues, por kusht për integrimin në BE
Ligji “Antimafia” nuk shkel asnjë parim kushtetues dhe aq më pak liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Hartimi i tij ishte kusht i domosdoshëm për proceset integruese të vendit dhe për të u angazhuan ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj. Kështu ka deklaruar në një intervistë për televizionin “Alsat” ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Sipas tij, ligji është miratuar nga qeveria shqiptare dhe më pas nga Parlamenti, pas një pune disamujore të specialisteve shqiptarë po dhe një angazhimi të drejtpërdrejtë të ekspertëve të të gjitha misioneve ndërkombëtare që asistojnë institucionet shqiptare në hartimin e legjislacionit. Ministri i Drejtësisë deklaroi se deri më tani ka pesë raste të aplikimit të ligjit “Antimafia”, kryesisht për persona të arrestuar si pjesë e organizatave kriminale. “Jemi informuar nga Gjykata e Krimeve të Renda, se bazuar pikërisht në këtë ligj, prokuroria ka adresuar pesë çështje kërkesash të sekuestrimit të pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme nga individë që i takojnë grupeve kriminale dhe për te pesta rastet, Gjykata e Krimeve të Rënda i ka gjetur të bazuara në ligj pretendimet dhe kërkesën e prokurorisë dhe ka marrë vendimet për sekuestrimin e këtyre aseteve”, vijon Nishani.
Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim një kërkesë për shpalljen e ligjit “Antimafia” si antikushtetues, pasi cenon liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe bie ndesh me Kushtetutën dhe praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Ky ligj është ankimuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili mendon se ka fuqi prapavepruese. Ligji në fjalë, i quajtur ligji “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”, i jep të drejtë prokurorisë të sekuestrojë pasurinë e personave të dyshuar për përfshirje në krime, ose të të gjithë atyre që pasuritë e tyre nuk janë të justifikuara nga dëshmitë e dhëna. Me këtë ligj synohej që të goditeshin të gjitha pasuritë e vendosura në mënyrë të padrejtë. Por nëse Gjykata Kushtetuese e hedh poshtë atë, atëherë mazhoranca duhet të krijojë një tjetër ligj, pasi është një nga ligjet që përfshihet në kriteret për vizat. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të shqyrtojnë të hënën nëse ankesa e KHSH-së do të pranohet ose jo.
#