E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati: Shqipëria ka nevojë për një drejtim të ri politik

Intervistë me deputetin socialist, Ditmir Bushati Rezoluta e PE-së kërkon reformë parlamentare: Të rikthehet roli qendror i Kuvendit

Edhe pse në krizë besimi dhe në një betejë për legjitimitetin e qeverisë, Partia Socialiste po rimerr kursin e një kontribuueseje në reformat që ka nevojë vendi. Madje në një farë mënyre orientimi i tyre është sfida më e madhe e saj përballë një shumice që operon kryesisht me forcën e kartonit. Deputeti socialist, Ditmir Bushati, ofron në këtë kuadër në intervistën për “Shqip” një analizë të vetën, që për shkak të njohjes së mirë të procesit të integrimit shfaqet deri diku si jokonvecionale në raport me artikulimin e përgjithshëm të politikës, por edhe për nga vlerësimi i proceseve në tërësi. Rezoluta e Parlamentit Europian, sipas deputetit të PS-së duhet parë jo përmes optikës përzgjedhëse të interesit partiak, por si një ‘program pune’ për klasën politike në tërësi.

Z. Bushati ka kaluar rreth 1 vit qëkurse Partia Socialiste është angazhuar në përpjekjen për transparencë, e cila kulmoi me grevën e urisë. Në fakt, ky angazhim në vetvete e vendosi krizën e marrëdhënieve mes saj dhe PD-së në një sfond të ri që përfshiu thuajse të gjithë shoqërinë shqiptare. Në një analizë tuajën, çfarë mund të bënte më mirë dhe ndryshe PS-ja për të maksimizuar objektivat e veta?

Bazuar në vlerësimin e OSBE-ODIHR, zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 nuk arritën standardet më të larta demokratike, pavarësisht faktit se ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe infrastrukturën zgjedhore u bënë më shpejt se herët e tjera falë një konsensusi të gjerë politik. Eliminimi i vijës ndarëse ndërmjet shtetit dhe pushtetit, politizimi i procesit të numërimit, mosrespektimi i dispozitës garantuese të transparencës zgjedhore të Kodit Zgjedhor nga ana e KQZ-së dhe më pas intimidimi i gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor prej pushtetit janë disa ndër faktorët që prodhuan krizë politike pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të shkuar. Duke vështruar në një rrafsh më të gjerë dinamikën e situatës politike në Shqipëri, mund të thuhet se nuk kemi të bëjmë thjesht me një krizë besimi në marrëdhënien politike ndërmjet shumicës dhe pakicës, por jemi në kushtet kritike kur rregullat e lojës politike që garantojnë legjitimitetin e një qeverisjeje dhe funksionimin e institucioneve demokratike duhet të rishkruhen dhe të respektohen, në mënyrë që të mbyllim kapitullin tragjik të zgjedhjeve të kontestuara e institucioneve të kalbëzuara në fillimin e dekadës së tretë të tranzicionit postkomunist. Gjatë kësaj periudhe, kauza jonë ka bërë progres duke gjeneruar konsensusin e shumicës së shqiptarëve që protestuan shesheve të Shqipërisë. Në fund të fundit, opozita në Shqipëri nuk ka kërkuar asgjë më shumë se sa një verifikim post-zgjedhor. Një standard demokratik ky që aplikohet brenda hullisë kushtetuese në të gjitha shoqëritë moderne. Së fundmi, në krahinën e Piemontes në Itali, kutitë e votimit të zgjedhjeve rajonale po i nënshtrohen hetimit. Kjo është një ndër arsyet besoj se përse edhe komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që çdo zgjidhje e krizës politike të vijë e bazuar mbi parimet e transparencës dhe kushtetutshmërisë. Presioni i kombinuar nga faktorët e sipërpërmendur bëri që Sali Berisha të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të bëjë disa hapa pas. Në lidhje me maksimizimin e objektivave tona, më lejoni t’ju them se e konsideroj një proces afatmesëm, që shtrihet përtej krizës momentale, duke u zhvilluar në dy drejtime kryesore. Nga njëra anë na duhet të bashkojmë e shtojmë energjitë tona për të përmirësuar dhe organizuar më mirë veprimin e PS-së në çdo qelizë, institucion dhe cep të betejës sonë politike ndaj këtij pushteti të korruptuar e atrofizuar. Nga ana tjetër, transparencën, përgjegjshmërinë, solidaritetin dhe kohezionin duhet t’i bëjmë pjesë të shtyllës kurrizore të funksionimit të PS-së, si mënyra më e mirë për të zgjeruar aleancat politike dhe qytetare dhe ç’është më e rëndësishmja, për t’u ofruar shqiptarëve ide të reja, bazuar mbi profesionalizimin dhe ndershmërinë, që përkthehen në një alternativë qeverisëse me theks të fortë te nevojat sociale dhe kontradiktat e kohës që jetojmë.

Parlamenti Europian miratoi më 8 korrik të 2010-s një rezolutë të posaçme për Shqipërinë, e cila u pasua me rifillimin e bisedimeve Patozi-Ruçi. Si e vlerësoni përmbajtjen e rezolutës dhe a mendoni se ka gjasa që transparenca të realizohet?

Rezoluta e miratuar falë mbështetjes së grupimeve kryesore politike në Parlamentin Europian është radiografia më e mirë e situatës nëpër të cilën kalon vendi. Mendoj se leximi i saj duhet ndarë në dy aspekte. Aspekti i parë ka të bëjë me mënyrën se si duhet zgjidhur kriza politike, ku Parlamenti Europian shkon përtej qëndrimit formalist të mazhorancës, duke kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor me shumicën dhe drejtimin e përfaqësuesve të opozitës, për të hetuar materialet zgjedhore. është e kuptueshme që hetimi i procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009 do të zhvillohet në funksion të nxjerrjes së mësimeve dhe adresimit në mënyrë sa më të plotë në proceset e ardhshme zgjedhore. Mbi të gjitha, nevojiten mekanizma dhe klauzola garantuese edhe më të sakta. Presioni pozitiv i opozitës dhe komunitetit ndërkombëtar po e detyron mazhorancën të tërhiqet nga skaji kokëfortë ku qëndronte për 10 muaj. Sot çështja e realizimit të transparencës zgjedhore ka shkuar përtej “juridiksionit politik” të mazhorancës. Mjafton t’u kujtoj faktin se kur diskutohej në Kuvendin e Shqipërisë projektligji për transparencën e procesit zgjedhor, në mars të këtij viti, mazhoranca nuk iu përgjigj pozitivisht sfidës së kryetarit të grupit parlamentar të PS-së për të hetuar materialet zgjedhore. Aspekti i dytë i Rezolutës së Parlamentit Europian ka të bëjë me reformat që duhen ndërmarrë. Nevojitet një reformë parlamentare që do ta poziciononte Kuvendin në qendrën e gravitetit politik e jo një institucion monokratik nën hyqmin e Jozefinës e në shërbim të Sali Berishës. Nevojitet një strategji gjithëpërfshirëse në fushën e drejtësisë, në mënyrë që t’i jepet fund kulturës së pandëshkueshmërisë dhe ekzekutimit politik të institucioneve kushtetuese. Duhet të krijohen institucionet e reja në fushën e drejtësisë në shërbim të qytetarit e komunitetit të biznesit që do të zhbllokonin ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë e do të përmirësonin aksesin në drejtësi. Nevojitet një reformë në administratën publike, për ta orientuar atë nga praktikat europiane të meritokracisë, në fushën e medias, decentralizimit, zhvillimit rajonal, të drejtat pronësore, si parakusht për rritjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin ekonomik e social. Shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet vendit në këto momente, është kthimi i kësaj rezolute në një program pune që duhet përmbushur brenda një kuadri kohor indikativ.

Nuk mund të mohohet se një nga kartat e forta të PS-së në artikulimin dhe argumentimin publik të kërkesave të saj ka qenë pasoja e mundshme e krizës në procesin e integrimit. Meqenëse jeni një njohës i mirë i këtij procesi, çfarë do të thotë konkretisht për një qytetar shqiptar një notë negative për statusin e vendit kandidat?

Fillimisht dëshiroj të saktësoj pyetjen, duke sjellë në vëmendjen tuaj faktin se Komisioni Europian, vendet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Europian kanë bërë të qartë se zgjidhja e krizës politike duhet bërë përmes një marrëveshjeje të rënë dakord ndërmjet palëve politike. Institucionet e BE-së kanë theksuar në mënyrë të vazhdueshme se zgjidhja duhet të jetë e qëndrueshme, pasi në të kundërt minohet perspektiva europiane e Shqipërisë.

Askush nuk do të dëshironte dhe as nuk do të nxirrte përfitime nga një notë negative për sa i përket statusit të vendit kandidat. Por, në respekt të informimit të opinionit publik, më duhet të pranoj se zgjidhja e krizës politike nuk do t’i garantonte automatikisht Shqipërisë statusin e vendit kandidat dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, duke pasur në vëmendje problematikën shumëplanëshe që përjeton vendi. Opinioni i Komisionit Europian që pritet të publikohet në vjeshtë do të përmbajë dy pjesë. Pjesa e parë do të përqendrohet në vlerësimin teknik sipas kapitujve të legjislacionit të BE-së. Kjo pjesë do të përfshijë gjithashtu vlerësimin e impaktit ekonomik e financiar të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Pjesa e dytë, që do të jetë Komunikata e Komisionit për Këshillin, do të përmbajë konkluzionet e vlerësimit teknik dhe rekomandimin për dhënien ose jo të statusit të vendit kandidatit dhe për fillimin ose jo të bisedimeve për anëtarësim. Natyrisht që peshën kryesore në vlerësimin e komisionit do ta ketë ambienti politik e institucional në vend. Përveç situatës politike, peshë të rëndësishme në vlerësimin e komisionit do të ketë sundimi i së drejtës, reforma në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve, liria e medias, reforma në administratën publike, të drejtat pronësore, si dhe adresimi nga ana e qeverisë i të gjitha problematikave të identifikuara në takimet e përbashkëta BE-Shqipëri. Përkundër kërkesave impenjative të këtij procesi, të gjithë jemi dëshmitarë të faktit se nuk po ndërtojmë dot një terren ku mund të lulëzojë një optimizëm i moderuar që do të mundësonte përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, çka do t’i bindte partnerët europianë se e meritojmë besimin e tyre. Konsensusi i ripërtërirë mbi procesin e zgjerimit të BE-së, i dhjetorit 2006, mat progresin bazuar mbi përmbushjen e reformave. Me fjalë të tjera “nuk pranohen kredi, çdo gjë duhet paguar me para në dorë”, domethënë duhen miratuar dhe zbatuar reformat përpara se Shqipëria të ecë drejt BE-së.

Z. Bushati, a ka vend në PS analiza se liberalizimi i vizave praktikisht e krediton mazhorancën aktuale politikisht përpara zgjedhjeve lokale, aq më shumë po të merret në konsideratë se lidhur me procesin e 28 qershorit janë rreth 1 milion shqiptarë që nuk kanë votuar e për pasojë nuk kanë asnjë konflikt me qeverinë e Berishës në këtë drejtim?

Procesi i liberalizimit të vizave i ka fillesat e tij në Samitin e Selanikut të vitit 2003, kohë në të cilën PS ka qenë në krye të punëve të vendit. Reformat e këtij procesi që po kurorëzohet kanë filluar pikërisht në atë kohë. Vazhdoj të mendoj se në rast se reformat do të ishin përmbushur në kohë, ne do të përfitonim në të njëjtën kohë me fqinjët tanë. është përgjegjësi e Sali Berishës që e la Shqipërinë të fundit në rajon dhe jo meritë tij, se për shkak të angazhimit serioz të BE-së, sot nuk shtrohet më pyetja nëse do të hiqet regjimi i vizave me Shqipërinë, por kur do të hiqet ky regjim. Ky proces duhet të konsiderohet si një vullnet i qëndrueshëm i BE-së për t’u dhënë edhe shqiptarëve lirinë e munguar të lëvizjes. Ndaj, uroj e shpresoj që ëndrra e shqiptarëve për të udhëtuar lirisht në Europë të jetësohet brenda këtij viti. Edhe në këtë pikë, Rezoluta e Parlamentit Europian eviton çdo spekulim për privatizim të këtij procesi shumë të dëshiruar për shqiptarët teksa përshëndet “mbështetjen ndërpartiake për procesin e liberalizimit të vizave” që u evidentua në miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë në 11 mars 2010.

Z.Bushati, në këtë situatë a mendoni se opozita është e përgatitur t’i fitojë zgjedhjet lokale?

Jemi rreth 11 muaj larg nga mbajtja e zgjedhjeve lokale dhe jam i sigurt se mbyllja e procesit të përzgjedhjes e votimit të strukturave përfaqësuese të PS-së në të gjitha nivelet do të pasohet me një punë sistematike në terren, që i paraprin betejës së ardhshme elektorale. Hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, adresimi i problematikave, ndëshkimi i përgjegjësve dhe precizimi i mekanizmave garantues do të mundësojnë rritjen e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor. Shqipëria ka nevojë emergjente për një drejtim të ri politik, që paraprin procesin e zhvillimit dhe demokratizimit të saj. Një sipërmarrje të tillë, të vështirë por të mundshme, e kryen me sukses vetëm Partia Socialiste, duke u bërë zëdhënëse e shqetësimeve të shumicës dërrmuese të qytetarëve, përmes një qasjeje etike dhe afishimi vlerash të ndryshme nga ato të ngulitura në shoqëri nga pushtetet e korruptuara, që kombinon aksionin e tonifikuar opozitar në çdo qelizë, institucion dhe cep të jetës politike, me ofrimin e një platforme qeverisëse që siguron frymëmarrjen e nevojshme për transformimin europian të shoqërisë shqiptare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›