E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojë me dy projektligje për SHISH në Kuvend

Ligji organik i SHISH votohet më 22 korrik. Drafti për kontrollin parlamentar të shërbimit sekret shtyhet për sesionin e ardhshëm

Ligji organik i Shërbimit Informativ Shtetëror pritet të shtojë jo vetëm temperaturat politike, por të rindezë edhe reagimin e ashpër të ndërkombëtarëve. Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka dështuar dy herë në tentativën për të thirrur në Kryesinë e Kuvendit ekspertin britanik të OSBE-së. Gjatë kësaj jave, kryetari i komisionit, Leonard Demi, ka njoftuar deputetët socialistë dhe demokratë për të zhvilluar takime me ekspertin britanik, por në të dyja këto tentativa, ky komision ka dështuar. Në njërin rast, eksperti britanik nuk ka ardhur dhe në rastin e dytë, anëtarët e këtij komisioni ndodheshin në veri të vendit me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, për të parë nga afër procesin e demontimit të armëve. Burime pranë këtij komisioni bëjnë me dije se eksperti britanik ka zhvilluar takime me kryetarin e Komisionit të Sigurisë dhe ka pranuar që të japë rekomandimet e tij vetëm në lidhje me projektligjin për kontrollin parlamentar të SHISH. Futja në mënyrë të papritur në axhendën e Kuvendit të projektligjit për “Shërbimin Informativ Shtetëror të ndryshuar”, duket se ka stepur ndërkombëtarët. Janë dy projektligjet në Kuvend që lidhen me Shërbimin Informativ Shtetëror, njëri që ka të bëjë me marrëdhëniet e tij me Kuvendin dhe tjetri që kundërshtohet nga opozita, me organizimin e tij. Komisionet parlamentare kanë edhe një javë kohë për të diskutuar në lidhje me projektligjet, kështu që ka shumë gjasa që drafti për kontrollin parlamentar ndaj SHISH të shtyhet për diskutim në sesionin e ri parlamentar, ndërsa ligji i vjetër i SHISH, që i përcakton mandatin pesëvjeçar kreut të shërbimit sekret dhe i shton kompetencat kryeministrit të kalojë për votim në datën 22 korrik.

Dy draftet

Në kalendarin e Kuvendit janë aktualisht dy drafte të ndryshme për Shërbimin Informativ Shtetëror. Njëri prej tyre është ‘fotokopja’ e projektligjit të ngrirë në arkivën e Kuvendit pesë muaj më parë, pas qëndrimit të ashpër të ambasadorit të SHBA-së, Xhon Uidhers, dhe telefonatës së sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s me Kryeministrin Berisha. Deputetët demokratë sqarojnë se çfarë përmban ligji për kontrollin parlamentar ndaj shërbimeve informative, por heshtin në rast se pyeten në lidhje me ligjin organik. Ndërsa socialistët, pasi janë njohur me kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe pasi kanë parë që më datë 22 korrik është përcaktuar votimi për ligjin organik të SHISH, ka denoncuar hapur se “qeveria po uzurpon Shërbimin Informativ”.

SHISH

Projektligji që ka si qëllim të vendos mandat 5-vjeçar me të drejtë riemërimi për drejtorin e SHISH-it të përballet me provën e kartonit të shumicës në Kuvend. Sipas këtij projektligji, shefi i ri i shërbimeve sekrete do të kalojë në seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, do të propozohet nga Kryeministri dhe do të emërohet nga Presidenti i Republikës.
Ligji organik i SHISH do të ketë të njëjtën formë dhe përmbajtje me atë që ka pasur në shkurtin e këtij viti, pasi është miratuar vetëm me votat e mazhorancës në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›