PS: Drejtësia të hetojë korrupsionin e ministrave të LSI-së

Edhe pse e pashpallur, duket se fushata elektorale ka nisur edhe për Partinë Socialiste. Pa ndryshuar asgjë nga objektivat politike, selia rozë ka rimarrë angazhimin e vet, që synon pushtetin përmes goditjes paraprake të një prej objektivave kryesore; asgjësimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në përfaqësimin politik. Kështu, akuzave të pandërprera ndaj numrit dy të qeverisë aktuale dhe kryetar i LSI-së, Ilir Meta, për korrupsion dhe paaftësi, PS u ka shtuar ditët e fundit një seri sulmesh ndaj ministrave të kësaj force politike në qeveri. Si sinjal për këtë ka shërbyer deklarimi i pasurisë së ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, prej nga ku selia rozë është shërbyer me lëndë të parë për të ndërtuar një aksion të mirëfilltë politik. “Sot Partia Socialiste e përsërit kërkesën që ministri i Ekonomisë të na sqarojë sesi funksionon kjo mrekulli ekonomike që u lejon ministrave të qeverisë ‘Berisha-Meta’ të fitojnë 1.8 milionë euro, ose 2 miliardë e gjysmë lekë në një vit të vetëm si ministër... Prifti dhe kolegu i tij i partisë, Petrit Vasili, duhet të na shpjegojnë lidhjen me kompaninë farmaceutike ‘Megafarma’, prej së cilës Dritan Prifti ka marrë 1.8 milionë euro ose 2 miliardë e gjysmë lekë. Si shpjegohet që kjo kompani në pronësi të rrethit familjar të Petrit Vasilit, e cila ka fituar miliona euro tenderë ilaçesh, i paguan miliona euro një tjetër ministri të LSI-së për aksionet e një firme fantazmë?”, deklaroi dje deputeti socialist, Armando Subashi. Akuzat e tij pasojnë ato të deputetit të Vlorës, Eltar Deda, në seancë plenare, të cilat vlerësojnë se 1.8 milionë eurot e diskutuara janë vetëm ‘maja e ajsbergut të korrupsionit ku është kredhur qeveria Berisha-Meta”. Shpjegimi elektoral i kësaj akuze të PS-së, që i bashkëlidhet padisë së bërë ndaj Priftit një ditë më parë, konsiston në faktin se aleanca PD-LSI ka si premisë ndarjen e pushtetit për qëllime përfitimi dhe se në këtë kuadër partia e Ilir Metës është dega më aktive e korrupsionit të qeverisë Berisha. Madje Subashi ka shkuar më tej, teksa ka kërkuar nga organet e drejtësisë nisjen e hetimeve për ‘këto lidhje korruptive e klienteliste të ministrave të LSI’, çka zbulon se arsyeja e këtij sulmi ka si fillesë edhe llogari politike. Në këtë kuadër, i menjëhershëm ka qenë reagimi i LSI-së, që përmes përfaqësuesit të Ministrisë së Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, ka sqaruar opinionin mbi procedurën e tenderimit, për t’ia lënë ministrit Dritan Prifti kundërpërgjigjen politike ndaj kreut socialist Edi Rama. “Gjyqi të jetë i hapur”, ka thënë ndër të tjera ai lidhur me padinë penale që PS ndërmori ndaj tij një ditë më parë. Mjafton kjo panoramë e këtyre ditëve për të vlerësuar se e majta është përfshirë në një raund të ri përplasjesh, që po e çon atë në procesin zgjedhor të përçarë dhe të armiqësuar në kulm brenda përbrenda. Taktikisht një sulm i ardhur majtas drejt LSI-së priret të forcojë aleancën e kësaj të fundit me PD-në, duke nxjerrë përpara opinionit një dyshe thuajse të unifikuar. Edhe njëherë synimi i PS-së është zhvlerësimi përfundimtar i imazhit të LSI-së si forcë e ndërmjetme dhe për këtë po shërben publikimi i shifrave të korrupsionit që për propagandën socialiste e bashkon Metën dhe Berishën në një front mbi të cilin po përpunohet një reagim i përbashkët i elektoratit të majtë.
#