“Nuk jam mashtrues, por vrasës”
“Nuk jam mashtrues, por vrasës”, kjo deklaratë u bë në mars të këtij viti nga Ilirjan Sallku në sallën e gjyqit, ku përballej me akuzën për mashtrim, pasi kishte paditur për mitëmarrje një gjyqtare të Fierit. Ai thotë se arrestimet dhe burgosjet e shpeshta e kanë bërë që të njohë e të bëhej pjesë e organizatave kriminale të Fierit. Krimet dhe trafiqet e këtyre i kalojnë kufijtë e vendit, ndërsa sipas Sallkut, vazhdojnë aktivitetin brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një pjesë e eksponentëve kriminalë që ai përmend, ndodhen në qeli, të arrestuar nga policia dhe prangosja e tyre vjen fill pas dëshmive të tij. Sallku është dënuar me 16 vjet e 6 muaj burg për krimin e vrasjes. Jeta e tij është hedhur në rreshtat e një fletoreje, që e quan “Ditar i krimeve që unë di”. E ka nisur aktivitetin me vjedhje të vogla, ka vijuar me grabitje, vrasje, korruptim të prokurorëve e gjyqtarëve, trafik e shitje armësh dhe lëndësh narkotike. “Mua personalisht, më 14 qershor të vitit 1999, më dhanë pafajësinë, pasi pagova miliona lireta për gjyqtarë e prokurorë dhe disa miliona të tjera ia dhashë avokatit tim”, thotë Sallku.