“Drejtori na trajton siç e trajtonin atë në Spaç”
Ilirjan Sallku, një ish-bashkëpunëtor i drejtësisë që ka bërë bujë me zbardhjen e disa krimeve të rënda në Fier dhe me deklaratat e guximshme kundër zyrtarëve të drejtësisë, akuzon drejtorin e Burgut të Drenovës së Korçës për keqtrajtim të të dënuarve. Sallku ka dërguar një letër në redaksinë e gazetës “Shqip”, me anë të së cilës sqaron situatën në një nga burgjet më “moderne” të Shqipërisë. Gjithçka tregohet nëpërmjet përjetimeve personale, e shkruar me një gjuhë të varfër, me shkrim të keq e gabime të përsëritura, që nxjerrin në pah psikologjinë e të burgosurit. Ai shkruan shpesh me germa kapitale fjalët: Ditë, muaj, vit dhe gjithmonë me germa kapitale fjalën: izolim.
Vendosëm ta botojmë të plotë këtë letër, që pavarësisht ngjarjeve në dukje banale që trajton, jep një panoramë të jetës në burg, nga një këndvështrim që rrallë i ofrohet publikut.
LetraUnë, Ilirjan Sallku, ish i penduari i drejtësisë, po shkruaj këtë letër gazetës “Shqip” për të treguar se çfarë më ka ndodhur mua dhe të dënuarve të tjerë dhe çfarë drejtori kemi ne. Kam ardhur më 11.7.2009 në Burgun e Korçës dhe më çuan në një dhomë me tre veta. Njëri ishte me leje dhe kur vjen nga leja më thotë: “Do ikësh nga dhoma, se unë jam shoku i filanit nga Fieri, një të forti”. I them mirë. I bëj kërkesën shefit të regjimit. Shefi më takon mua dhe një tjetër nga të dhomës dhe nguli këmbë që të rri në dhomë. Filluan lojërat, intrigat e presionet ndaj meje. “Ik se do të therim, nuk rrimë me ‘pendito’” (it. i penduar).
Kjo lojë ishte e përditshme. Një ditë më erdhën edhe ca të fortë nga dhomat e tjera dhe më futën në mes e më bënin presione: “Do të therim!” Unë u thosha: “Vazhdoni, çfarë prisni?!”
Polici shikonte dhe nuk reagonte fare. Më thoshin: “Merre dyshekun e dil në korridor!” Unë u thosha se nuk e nxjerr dyshekun jashtë pa urdhrin e komandës. Kam ndenjur 40 ditë te kjo dhomë. Ai që donte të më hiqte nga dhoma më thoshte: “Kaq miq ke, që nuk të heqin?!” Ky personi nuk la njeri pa i futur drejtorit. Më pyeste: “Ilir di gjë se ku fshihet X, për hasmin e të fortit nga Fieri?” Donin të blinin nga mua. U thashë që nuk dija gjë, por dhe po të dija nuk e tregoja. Më hoqën nga dhoma, e vajta në një tjetër. Ishin katër veta: tre shqiptarë nga Maqedonia dhe një nga Pogradeci. Këta tre të Maqedonisë ikën nga dhoma. Dhoma u mbush me të dënuar të tjerë. Te kjo dhomë një gjë më bënte përshtypje: një i dënuar mundohej të më mbushte mendjen që unë të futesha prapë si i penduar. Ndenja gjashtë muaj te kjo dhomë. Filloi sherri për llafe kot. Një ditë dolëm për ajrosje katër veta. Njëri nuk doli, ndenji në dhomë. Kur shkuam në dhomë, e gjetëm televizorin të thyer copë–copë. E pyes se kush ma theu televizorin dhe thotë se e rrëzoi era, kur atë ditë koha ishte e mirë e s’kishte erë fare. Ankohem të nesërmen te shefi i regjimit. Shefi nuk më përfilli fare dhe më tha se nuk merrem me televizorin. Po ta kisha thyer unë televizorin do më kishin çuar në izolim. Më heqin nga kjo dhomë e më çojnë në një tjetër. Po dhe te kjo dhomë me probleme. Donin të përfitonin nga mua. Donin t’i mbaja me kafe e cigare. Njëri fuste duart te gjërat e mia. I kam thënë njëherë: “Mos prek gjërat e mia, pa pyetur”. Por ky bir kurve, mirë që vidhte, por fillonte dhe të më shante. I them: “Të lutem mos më!” Filloi të më shante më keq. Nuk e durova dot më dhe e qëllova me grushte. E plasa në tokë, i futa ca shqelma surratit, e gjakosa keq dhe e lashë me shenja. Polici e pa gjithë skenën dhe nuk tregoi. Të nesërmen polici më thotë: “Mirë ia bëre!” I shpëtova izolimit. Po lufta në dhomë vazhdonte, po ashtu dhe intrigat kundër meje. Nga një që kisha kundër m’u bënë katër. Më hiqnin ushqimet nga frigoriferi, s’më linin të kapja pultin e televizorit. Ankohem te shefi i regjimit dhe më kthen të njëjtën përgjigje: “S’merrem me frigoriferë”. Një ditë po grindesha me llafe me një të dënuar. Shefi i regjimit po kalonte. E dëgjoi që po grindeshim dhe u afrua te dritarja. Ai po dëgjonte dhe unë e pashë. Personi që unë po bëja llafe ishte me kurriz nga dritarja dhe nuk e shihte shefin. Ky më bënte presion: “Do të vras, do të bëj copa-copa, do të ha gurmazin!” Mua nuk më trembte ky, po më trembte shefi që e dëgjonte dhe nuk reagonte fare, sikur nuk po ndodhte asgjë. Shefi iku, nuk i foli fare të dënuarit.
I bëj kërkesë drejtorit për takim. M’u dha mundësia ta takoj. Ishin të tre në zyrë: drejtori, shefi i policisë dhe shefi i regjimit. I kërkoj drejtorit që të më gjejë një dhomë, por drejtori ma kthen me këto fjalë: “Ata që duan dhomë për t’u q... në b..., ua gjej vendin!” U habita nga këto fjalë, se është edhe burrë i moshuar, 63 vjeç. Ky drejtor ka bërë edhe vetë burg për politikë. E di se çfarë do të thotë fjala e keqe në burg. Unë nuk kërkova dhomë për t’u q... në b..., se nuk jam i atillë, por doja një dhomë më të mirë, që të bëj burgun tim. Drejtori më thotë: Nuk ka dhomë. Është vetëm një dhomë bosh, ku rri vetëm një i dënuar. Po deshe shko atje, ose bëj kërkesën për transferim dhe ikën.
Te kjo dhomë rrinte një i dënuar vetëm. Një i papërgjegjshëm, shumë i rrezikshëm. Dhoma ishte për gjashtë veta, po asnjë i dënuar nuk guxonte të futej brenda në atë dhomë. Unë nuk kisha mbështetje. Vendosa të shkoja te dhoma. Mendova më mirë të kisha një kundërshtar se sa katër kundërshtarë. E leva dhomën, e pastrova dhe pastaj kishte të dënuar të tjerë që donin të vinin në dhomë. I thosha shefit të regjimit, “jo” thoshte. Shefi nuk donte që unë të merrja ata që kisha shokë. Erdhi një tjetër dhe u bëmë tre. Ky i çmenduri nuk na linte rehat të flinim gjumë. Natë për natë zihesha, më shante, e shaja, ankohesha te shefi. Më thoshte: “Nuk kemi çfarë të bëjmë”. Një ditë i them specialistit të trupës: “Foli këtij”. Por ai ma kthen: “Prandaj të kemi lënë në dhomë me këtë, që ta edukosh”. I shkrova drejtorit, po nuk më kthente përgjigje. Ky i çmenduri tentoi të më qëllonte. E ndaloi grupi i gatshëm dhe e çuan 10 ditë në izolim. Kur doli e sollën prapë në dhomë. Dhoma u mbush, u bëmë gjashtë veta. Ky i çmenduri vazhdonte të më shante. Një ditë, duke ngrënë drekën ma futi me grusht në sy. E qëllova edhe unë, u gjakos edhe ai. Vjen shefi e pyet shokët e dhomës. Ata i thonë të vërtetën, që i çmenduri e kishte fajin. E marrin e çojnë në izolim 20 ditë. Mua m’u nxi syri, nuk shikoja dot një javë. I pyeta shokët e dhomës: “E doni të çmendurin në dhomë?” Jo më thanë. I bëra kërkesë drejtorit të mos e sillte më në dhomë, jo se nuk e doja unë, po as të tjerët, katër veta nuk e donin. Më takon shefi i regjimit dhe më thotë: “Do flas unë me drejtorin dhe do të kthej përgjigje”. Shefi nuk më ktheu përgjigje fare. Në datën 10 nëntor 2010 i çmenduri vjen në dhomë pasi mbaroi izolimin. Një shok kërkoi shefin të vinte të na hiqte nga dhoma të çmendurin. Unë prita shtatë orë dhe nuk erdhi asnjeri.
Ky i çmenduri mirë që më qëlloi pa faj, por sa hyri në dhomë filloi të këndonte. Unë prita që të më kërkonte falje, nuk e bëri. Është shumë i rrezikshëm. Ka qëlluar shumë veta në burg. Ka djegur edhe dhomën në Burgun e Fushë-Krujës në vitin 2009. Unë vërtet kam qenë i penduar, por nuk do të thotë se jam frikacak. Se po të isha frikacak rrija te Spitali i Burgut, 24 orë me polic te dera. Unë doja ta shmangia sherrin se kisha hedhur letrat për tre muaj ulje dënimi për sjellje të mirë. Kur drejtori shkel rregulloren, ma sjell prapë në dhomë që unë të vritem. Kur shteti mua nuk më mbron jetën, unë jam i detyruar të mbrohem vetë. E di që shteti ka inat me mua që u tërhoqa nga statusi i të penduarit, por nuk jam unë fajtor, është shteti që mbron shtetin. Ne para ligjit jemi të barabartë. Dhe ta harrojnë, se unë zagar nuk bëhem. Pastaj, unë jam dënuar nga Gjykata e Fierit me 5 muaj burg pse nuk dëshmova. Do dënohem prapë më 17 dhjetor 2010 në Tiranë për shpifje. Jam i larë me shtetin, u dënova. Ky drejtori po luan me mua. Donte që unë ta therja të çmendurin dhe të më dënonte, ose i çmenduri të më vriste mua.
Ky drejtor më ka sjellë në dhomë një 19-vjeçar që pi hashash dhe shet hashash. Po ta spiunoj unë, të më urrejnë të dënuarit se Ilir spiunoi shokun e dhomës. Po ta kapin me hashash 19-vjeçarin, të më çojnë edhe mua në izolim, ose të më dënojnë pse e kam lënë të pijë hashash, si bashkëpunëtor. Se ky 19-vjeçari m’u lut të pija dhe unë, por nuk pranova.
Po e bëjmë burgun me frikë se mos na fusin drogë në krevat. Ky drejtori është i çmendur, përdor dhunë ndaj të dënuarve. Një ditë po shkoja në gjyq dhe me mua po transferohej një i mitur 15-vjeçar për në Burgun e Kavajës. Unë isha futur në furgon, po vinte ky i mituri me cigare ndezur. U përplas ballë për ballë me drejtorin. Drejtori i thotë: “Ku vete me cigare?” Dhe ia fut me shpullë, shumë fort.
Kur isha në izolim, shefi i policisë mori një të mitur në zyrën e tij dhe e rrihte me shpulla. Në datën 23 nëntor 2010 na erdhën dy veta, përfaqësues të Avokatit të Popullit në izolim. Unë u ankova për dy të miturit. Ku e gjen të drejtën ky drejtor dhe ky shef policie të rrahë të miturit, kur të miturit i mbron ligji. Nuk kanë të drejtë t’i rrahin as nëna dhe babai që i kanë pjellë. Në datën 22 nëntor 2010, në izolim, shefi i policisë me grupin e gatshëm dhunuan një të dënuar, se i kërkoi policit të ndizte cigaren. Polici ia ndezi cigaren. I dënuari tentoi të merrte çakmakun nga dritarja, nga dhoma tjetër. E rrahën për kaq gjë. Rrihet njeriu se do të ndezë një cigare?!
Ne vërtet e kemi shkelur ligjin, kemi bërë krime. Shteti na ka futur në burg që ne të integrohemi jo të degjenerohemi. Ky drejtor e rrahu një të dënuar pse donte të ndërronte dhomën, e çoi në izolim dhe i tha: “Ku je ti, në ‘Big Brother’”?
Ky drejtor i krijon vetë sherret në burg, kujton se me dhunë do të shuajë dhunën. Po dhuna sjell vetëm dhunë. Drejtori nuk hyn kurrë në dhomat e burgut, t’i pyesë të dënuarit ça hallesh kanë. Po bëj 17 muaj këtu dhe nuk ka hyrë njëherë në dhoma. Ne, ilaçe na japin një herë në tetë muaj. Po bëj 17 muaj këtu dhe asnjë fshesë apo një leckë nuk na japin, i blejmë vetë. Ky drejtor i çon të dënuarit në izolim se bëjnë ngrohëse për t’u larë, se dushet i hapin një orë në dhjetë ditë. Të kesh një hall, këtë drejtor nuk e takon dot. Duhet të shkosh në izolim që ta takosh. Atje e gjen nga e hëna deri të premten, duke bërë gjyqet. Unë kam qenë pothuajse në të gjitha burgjet e Shqipërisë, po nga 15-20 të dënuar në izolim nuk kam parë. Të mbledhësh të gjithë burgjet bashkë nuk i gjen 20 veta në izolim, në Korçë i gjen.
Ne na mbajnë 20 orë të mbyllur në dhomë, kur të gjitha burgjet e Shqipërisë kanë më shumë liri veprimi.
I bëj apel Kryeministrit zotit Sali Berisha dhe drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, zotit Gazmend Dibra, të marrin masa për këtë drejtor, që të heqë dorë nga dhuna, të pastrojë fjalorin e keq. Ky drejtor, në radhë të parë duhet të edukojë veten, pastaj të dënuarit. Ato që i kanë bërë drejtorit kur ishte vetë në burg, në Spaç, tani ai na i bën neve.
Me respekt Ilirjan Sallku
Burgu i Drenovës, Korçë