E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga drejt alfabetit

Revolucioni i turqve të rinj tashmë kishte filluar. Korriku dhe gushti i 1908-ës kishte dhënë kushtrimin, ideatorët, përpos të tjerash ishin edhe intelektualët dhe atdhetarët shqiptarë, ishte vetë populli shqiptar. Ideatorë shpirtëror si Ibrahim Temo, një shqiptar i devotshëm dhe i pakompromis, Njazi Beu i Resnjës, njeri shumë i vendosur që me armë në dorë të ndryshojë historinë, gatishmëria e më se 20000 luftëtarëve kryengritës shqiptarë mbledhur në Ferizaj po ato ditë, shtrënguan perandorinë të premtonin "diçka" në të mirë të shqiptarëve, një "diçka" që do të shkrihej si kripa në ujë po të mos ishin në koherencë forcat më largpamëse intelektuale e militante dhe të më qenësishmes - vendosmërisë së vetë shqiptarëve. Motoja e Kushtetutës, apo e Hyrijetit, "Bashkim dhe Përparim", sa ishte frymëzim, po aq qe një detyrim të themeloheshin në një periudhë shumë të shkurtër kohore klube të pagëzuara tashmë si refleks të "premtimeve" të turqve të rinj: klube "Bashkimi" dhe "Përparimi". Të tilla do të kishim tani pothuajse në çdo qytet shqiptar nga Shkodra deri në Selanik, nga Bukureshti deri në Kajro. Por, njëri syresh, klubi "Bashkimi" i Manastirit, i formuar dhe i udhëhequr nga pinjollët e familjes Qiriazi dhe të intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë pa dallim feje, si Fehim bej Zavalani, që bashkëvepruan në unison aq fuqishëm me Motrat Qiriazi, Sevastinë dhe Parashqevinë, sikundër edhe vëllanë e tyre, eruditin dhe patriotin Gjergj Qiriazi. Gjerasimi tashmë ishte në përjetësinë divine, por fryma dhe vepra e tij bashkëjetonte me idealet e familjes, e shkollës së vashave, që nga 1891-shi, e kombit që po përgatitej për ngjarjen më të madhe, e cila do ta shkëpuste nga robëria për të ecur drejt lirisë, e cila nuk do të vononte, edhe pse gjysmake. "Zëdhënia" e klubit shqiptar të Manastirit, e vendosur më 21 gusht 1908 dhe e proklamuar si ftesë e përgjithshme më 27 gusht, për të gjithë intelektualët dhe patriotët shqiptarë kudo që ata jetonin dhe vepronin, përfaqësues klubesh e instancash me ndikim për kurorëzimin e përpjekjes që shqiptarët të shkruajnë me një alfabet, një alfabet që do ishte urë rreshtimi me botën e qytetëruar. Një ftesë kjo, një detyrim ky që nuk mund ta refuzonte njeri! Dhe një datë historike: Kongresi i Alfabetit do të fillonte më 14 nëntor, për të vazhduar deri më 22 nëntor, kur do të aprovohej një zgjidhje, le ta themi solomoniane, për të kënaqur polarizimet që vinin si refleks i interesave meskine, apo dominim grupi të caktuar me një traditë, dorën në zemër të suksesshme, siç ishte ai përfaqësuesve të Alfabetit të Stambollit, por edhe i alfabeteve të shoqërive, po aq të njohura: "Agimi" dhe "Bashkimi" të Shkodrës, me përfaqësues të dinjitetshëm Dom Ndre Mjedën dhe At Gjergj Fishtën. Suksesi i Kongresit ishte në radhë të parë sukses i një brezi, i cili kryesisht ishte në vitet ‘25-‘40 të jetës së stuhishme krijuese, letrare e patriotike, si Parashqevi Qiriazi dhe Mit‘hat Frashëri, 28 vjeç, Luigj Gurakuqi, 29 vjeç, Mihal Grameno, 36 vjeç, Gjergj Fishta dhe Sevasti Qiriazi, 37 vjeç, e kështu me radhë...

Se ishte kongres që caktoi fatin dhe rreshtimin gjithëshqiptar e dëshmon edhe fakti se qe një bashkim i vërtetë kombëtar, duke pasur delegatë edhe nga Kosova, Rrok Berisha i Gjakovës, Hafëz Ibrahim Efendiu, Emin Beu dhe Selahedin Beu të Prizrenit, por të sofistikuar si përfaqësues qoftë nga vendi ku ishin me shërbim, qoftë ngaqë duhej të përplotësohej prania e të katër vilajeteve: i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit, i Janinës. Kongresi i Manastirit përshpejtoi pavarësinë e Shqipërisë, e cila, fatkeqësisht mbeti e cunguar, se kishte interesa të tjera atëbotë, për të trokitur pandalur në ndërgjegjen e njerëzimit, ndërgjegje e cila solli pikërisht në 100-vjetorin e Alfabetit edhe Pavarësinë e Kosovës!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›