E Shtunë, 31 Tetor 2026

Odise Plaku: Një dramë për tim at

Një baba, që sakrifikon rininë dhe jetën e tij dhe i përkushtohet rritjes së djalit, ardhur në jetë pas humbjes së bashkëshortes. Një prind që ka ndjekur me sytë e zemrës rritjen, hedhjen shtat dhe marrjen e rrugëve të jetës së të birit. Që i gëzon krijimit të familjes së tij, befas gjendet në udhëkryq. Është ky thelbi i dramës "Ylli i Mëngjesit", me autor Odise Plaku, që u shfaq suksesshëm në sallën e teatrit "Migjeni", të qytetit të Shkodrës. Nën regjinë e Edmond Mëhillit, personazhet e veprës kanë ardhur si karaktere të gjalla përmes interpretimit të aktorëve Enver Hyseni, Fran Vukaj, Rajmonda Marku, Rita Gjeka, Agron Dizdari, Marije Garxhola, Anton Krosaj. "Ylli i mëngjesit", një dramë për tim at. Kështu e ka cilësuar veprën e tij, autori Odise Plaku, i cili shton se e konsideron atë si një homazh ndaj gjithë sakrificës së prindërve tanë, të cilët, më shumë sesa të mira materiale, kërkojnë dashurinë dhe përkujdesjen tonë. Pas Shkodrës, autori Odise Plaku do të jetë së shpejti në skenën e teatrit "Andon Zako Çajupi", në Korçë, me interpretimin e aktores Zamira Kita, në monodramën e shkruar prej tij dhe të titulluar "Velloja e bardhë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›