Bushi, gol “akuzë” ndaj FSHF-së dhe Oto Bariç

Albania-sport - Alban Bushi, rekordmeni shqiptar i Kombëtares për sa i përket numrit të golave të shënuar (14), "akuzoi" edhe njëherë drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe trajnerin kroat Oto Baric, se e kanë "ekzekutuar" pa të drejtë nga mospërfaqësimi me Kombëtaren. Sulmuesi i sukseshësm i Apollon Kalamaraja shënoi një tjetër gol më vlerë në kampionatin grek, në fitoren 3-1 të Apolon me PAOK.
Dy sulmues shqiptarë kanë ngritur sot flamurin në fushat sportive të Europës, me golat e tyre. Alban Bushi në Greqi dhe Skerdilajd Curri në Gjermani, kanë qenë shënuesit e radhës, duke konfirmuar formën e tyre të mirë, ndonëse skuadrat e tyre kanë pasur fate të ndryshëm. Bushi ka realizuar golin e dytë të ekipit të tij, Apollon Kallamarja, në derbin e fituar 3-1 ndaj PAOK-ut në Selanikut, ndërsa Curri ka shënuar në fund për Erzgebirge Aue-n, që ka humbur 1-2 në fushën e Greuter Fuerth-it.
Në të vërtetë, ndeshja nuk nisi shumë mirë për "Lokun" që mori një karton të verdhë në minutën e 23-të, ndërsa në minutën e 15-të u përpoq të shënonte po pa sukses. Dy minuta para fundit të pjesës së parë, pas një aksioni të bukur të Favalli-it nga e majta, pasim për Bushin që gjuajti, por portieri Fernandez i PAOK-ut priti pa vështirësi. Në 45', ishte Bushi që i ktheu nderin shokut të tij të skuadrës, që gjuajti me kokë dhe Fernandez sërish priti. Sapo filloi pjesa e dytë, Favalli shënoi në portën e PAOK-ut. 11 minuta më pas, sërish kombinim Favalli-Bushi dhe shqiptari realizoi gol në mënyrë shembullore në portën e Fernandez-it. Në 68', Bushi realizoi sërish, por gjyqtari e anulloi golin, pas sinjalizimit të ndihmësit të tij për pozicion jashtë loje. Në minutën e 83-të, Bushi ishte nismëtar i golit të tretë dhe, pas përpjekjeve të tij, shënues ishte Orfanos, duke e pasur shumë të lehtë. PAOK-u reagoi në minutën e parë shtesë me anë të polakut, Miecel, që shënoi me një gjuajtje të shkëlqyer, duke e dërguar topin aty ku portieri i Kallamarjasë, Kovac nuk mund ta arrinte.