Memelli dhe Gashi “munden” nga gripi spanjoll

Albania-sport – Skuadra norvegjeze Bran Bergen do të zhvillojë sot në orën 18:30 në La Manga të Spanjës, miqësoren e parë nga katër takimet e programuara në 14 ditët e pjesës së dytë të përgatitjeve ne gadishullin iberik. "Sot Bran Bergen do të luajë takimin miqësor me Lilestrom, por si unë ashtu dhe Adrian Gashi do të mungojmë për shkak të gjendjes të rënduar gripale", është shprehur në linjë telefonike nga Spanja për Albania-sport.com, sulmuesi shqiptar i Bran Bergen dhe i Kombëtares shqiptare, Migen Memelli. "Gjithesi janë dhe tri ndeshje të tjera me Rozenborg (ish ekipi i Jahmir Hykës, më 14 shkurt), KR (17 shkurt) dhe Valerenga, më 20 shkurt, ku kurrsesi nuk kam për të munguar", saktëson korcari që vitin e kaluar shënoi 12 golat e tij me fanelën e nënkampiones së Norvegjisë, SK Bran Bergen.
Migen Memelli pohoi se gjendja e tij fizike është shumë e mirë. "Shpresoj të shënoj në tri takimet e mbetura. Kjo do të më sillte shumë kënaqësi", shton ish-futbollisti i Elbasanit dhe një sërë ekipeve në kampionatin shqiptar, që tashmë ka fituar edhe besimin e trajnerit të Kombëtares, Oto Baric dhe ndihmësve të tij.