E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enco Malindi: “Kone, një mik i madh te AEK”

EKSKLUZIVE(Intervistë) - Talenti i Akademisë së Partizanit, tashmë lojtar titullar i Partizanit dhe ekipit Kombëtar U-21, pas ndeshjes miqësore me Greqinë U-21 në Athinë, stërvitjen me AEK dhe takimit me Kastriotin, flet për Albania-sport.com:
* * *
Malindi, dy gola të rëndësishëm me Elbasani, një takim në nivel ndërkombëtar me Kombëtaren U-21 në Athinë, dy ditë stërvitje me një nga ekipet më të famshëm të Greqisë, për ti përfunduar tetë ditët e fundit me një paraqitje të pëlqyeshme në ndeshjen me Kastriotin. Shumë për një lojtar 19-vjecar, apo jo?
- Është një jetë futbollisti që kalon përmasat e mia, por megjithatë jam përpjekur të bëj më të mirën. Golat me Elbasanin, edhe pse kanë qenë të parët për mua me Partizanin, tashmë më duhet t'i kujtoj si statistikë. Në lidhje me paraqitjen time në ndeshjen me Shpresat, i rezervoj disa kritika vetes për minutat që luajta. E dëshiroja një gol, por nuk munda ta realizoja. E vlerësoj paraqitjen e ekipit U-21 të Greqisë, i cili na vuri në vështirësi shumë herë.
Stërvitja me AEK ishte pjesa tjetër e programit tuaj. Si ju pritën aty, tej atyre që janë publikuar në shtypin shqiptar dhe median greke, përfshirë atë të internetit?
- Personalisht e vlerësoj si shumë të pëlqyeshme paraqitjen time te AEK, ku janë disa nga lojtarët më të mirë të Greqisë, por dhe të kombësive të tjera. Dita e parë, kishte karakter testimi individual për të parë edhe parametra të caktuar në vlerat e mia fizike si futbollist. Ditën e dytë të stërvitjes mora pjesë në një ndeshje testuese 30 minutëshe brenda grupit të AEK, në kuadër të përgatitjeve të ndeshjes së radhës në kampioantin grek. Trajneri Ferer krijoi edhe një bindje më të thellë dhe më profesionale për mua.
Cilat ishin marrëdhëniet e tua me Panajot Konen, pasi Përparim Hetemaj, shqiptari me pasaportë finlandeze mungonte për shkak të dëmtimit?
- Mungesa e Hetemaj kishte të bënte me dëmtimin që ai pësoi ne kavilje në ndeshjen miqësore të Finlandës me Skocinë (B). Në ambientet e AEK flisnin për një dëmtim që mund ta mbante tri muaj larg fushave. Me Panajot Konen krijova marrëdhënie shumë të mira dhe une besoj se kam fituar një mik të madh te AEK-u.
A është Panajot Kone, një lojtar i rëndësishmë te AEK-u?
- Unë besoj se ai është i tillë, pasi nuk është e lehtë të mbash numrin 10 të një skuadër e përmasave të AEK. Është një lojtar stabël në formacion dhe këtë e arrijnë lojtarë shumë të mirë.
Media greke flet për konsiderata të rëndësishme të trajnerit Lorenco Serre Ferer për ty. Enco cdo të shtonte më shumë?
- Padyshim që jam në dijeni të tyre, pasi Bledar Kola vazhdimisht më ka informuar në lidhje me zhvillimet në Greqi. Unë pres që të shkoj sa më shpejt në Greqi dhe të filloj stërvitjen te AEK-u. Jam në pritje të përfundimit të bisedimeve midis dy presidentëve të klubeve: Albert Xhani për Partizani dhe Demis Nikoliadhis për AEK. Unë shpresoj se do të arrihet marrëveshja më e mirë që do t'i shërbejë dhe të ardhmes sime. Pas dy javësh, me pajisjen edhe me vizën e nevojshme greke do të jem te AEK-u.
Para pak ditësh për Olimpiakos nëshkroi një kontratë 5 vje}are edhe një nga miqtë e tu më të ngushtë, Jahmir Hyka. A patët kontakte me të gjatë qëndrimit tënd në Athinë?
- Me Jahmirin kam shumë lidhje. Pas mbërritjes së tij në Greqi pas ndeshjes miqësore të Shqipërisë me Maqedoninë, kemi qëndruar bashkë për disa orë në Athinë, ku dhe biseduam në lidhje me futbollin dhe jetën tonë të re në Greqi. Hyka më bëri edhe një dhuratë befasuese, teksa më dha njërën nga bluzat e tij te Olimpiakosi me nr.19 dhe emrin Hyka, por që unë me shaka, i thashë se ky është edhe dueli ynë i parë në Greqi, në pritje që të njëjten dhuratë do t'i bëj edhe unë, ku shpresoj se do të jetë fanela me numër 22, që tashmë e konsideroj edhe një numër fati.
Sa ngrohtësi ju solli dashamirësia e ultrasve të AEK-ut në Athinë?
- I falenderoj shumë pasi jo vetëm që më sollën kënaqësi, por shërbyen edhe si nxitje për të bërë më të mirën. Dëshiroj që në të ardhmen do të më mbështesin akoma më shumë kur të luaj për AEK. Në Athinë u akomodova në një nga hotelet më të mira të Athinës, dhe gjithcka ishte paguar nga klubi grek. Pata kontakte telefonike me gazetarët grekë, ndërsa pas ndeshjes me Shpresat dhe ditëve të qendrimit te AEK kam dhënë disa intervista për median vendase. Tani më del detyrë urgjente të mësoj gjuhën greke, pasi dhe komunikimi im ishte në gjuhën angleze.

Intervistoi: Dash Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›