E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushtricë, nuk çelet shkolla për nxënësit e zonës

Shkolla e fshatit të Bushtricës ende nuk është çelur, edhe pse kanë kaluar një javë nga hapja e vitit shkollor.
Komuniteti i fshatit, në shenjë proteste për moshapjen e shkollës së mesme, nuk i kanë lejuar fëmijët të shkojnë në shkollë. Kryetari i komunës, Kujtim Gjoka, ka pohuar se familjarët nuk i kanë lejuar fëmijët të shkojnë në shkollë, në shenjë pakënaqësie, pasi ata prej shumë kohësh kanë kërkuar hapjen e shkollës së mesme. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka lëshuar një urdhër, sipas të cilit autorizohej hapja e shkollës së mesme. Urdhri në fjalë i ishte dërguar Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Kukës për të marrë masat e nevojshme për këtë qëllim, ndërsa infrastruktura ishte siguruar nga pushteti vendor, përkatësisht nga strukturat komunale, të cilat edhe kishin kërkuar hapjen e shkollës. Është pritur të hapen dy paralele me rreth 60 nxënës në mjedise tashmë të gatshme me infrastrukturë bashkëkohore. Shkolla e mesme ishte kërkuar nga katër komunat e zonës, përkatësisht Bushtrica, Ujmishti, Kalisi dhe Gryka e Çajës, si edhe Kalaja e Dodës (kjo e fundit i takon rrethit të Peshkopisë). Edhe pas katër ditësh nga fillimi i vitit të ri shkollor në Bushtricë ende nuk ka asnjë shenjë se aty do të hapet shkollë e mesme. Drejtoria e Arsimit nuk e ka dërguar programin mësimor dhe kjo gjë ka indinjuar komunitetin e zonës, nxënësit dhe prindërit, por edhe drejtuesit e komunave, veçanërisht atë të Bushtricës. Kryetari i kësaj njësie vendore tha se do t‘i shkruante Kryeministrit për këtë dhe se nuk do të pushonte së kërkuari hapjen e shkollës. "Do t‘i shkruaj atij të madhit, Kryeministrit dhe do t‘i tregoj se çfarë bëhet me komunitetin tonë, jepet urdhri nga ministria dhe këta nuk marrin masa", tha kryetari i komunës. Lidhur me formën e protestave të banorëve, të cilët kanë penguar fëmijët të shkojnë në klasë, ai tha se nuk pajtohej me këtë masë antiligjore, por mbështeste kërkesat e banorëve për të pasur një shkollë të mesme në qendër të komunës. Protestës së Bushtricës i janë bashkuar shumë pak shkolla të tjera të zonës të cilave do t‘u shërbente.
Duke parë vonesat për hapjen e shkollës së mesme të Bushtricës dhe, madje duke parandier dështimin e përpjekjeve për një gjë të tillë, nxënësit që kanë mbaruar klasën e 9-të të fshatit Fshat të Komunës së Grykës së Çajës, që është edhe më afër Bushtricë, janë regjistruar në shkollën e mesme të qytetit të Kukësit, duke prenotuar edhe konviktin. "16 nxënës të Fshatit janë regjistruar në vitin e parë të shkollës së përgjithshme, si edhe në atë profesionale të Kukësit", tha një burim i Drejtorisë së Arsimit në rreth. Po kështu, edhe një numër nxënësish të tjerë të Kalisit dhe Ujmishtit i janë drejtuar qytetit të Kukësit për arsimin e mesëm. Por ka ende një numër nxënësish, të cilët pas mbarimit të shkollës 9-vjeçare presin hapjen e shkollës së Bushtricës, në të kundërt do të mbeten në shtëpi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›