E Diel, 1 Nëntor 2026

Të verbrit: Jemi të pambrojtur

Të verbrit në Korçë kanë kërkuar më shumë mbrojtje, ndërsa kanë dalë me një notë proteste për të kontestuar rastet e dhunës ndaj kësaj kategorie me probleme. Shkak është bërë një rast i ndodhur pak muaj më parë, kur një e verbër është dhunuar nga ana e kryeplakut të fshatit Poloskë në zonën e Devollit. Nisur nga rasti i Merita Hibos, e cila ka denoncuar dhunën pranë policisë në muajin maj, shoqata e të verbërve ka ngritur pretendimin se kjo kategori diskriminohet dhe dhunohet jo vetëm fizikisht. Ndërsa vetë e dëmtuara ndodhet në një proces gjyqësor, Shoqata e të Verbërve ka organizuar këtë nismë të parë kundër dhunës, duke paralajmëruar se do të ketë edhe protesta publike në rast të përsëritjes së këtyre fenomeneve që cenojnë të verbrit. Merita Hibo pretendon se është rrahur ndërsa kërkonte të hapte një vijë uji. Ajo thotë se është fyer dhe dhunuar publikisht, ndërkohë që vazhdon proceset në Gjykatën e Korçës pas denoncimit të bërë pranë organit të akuzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›