Prezantohet "Interreg 4" në ishullin e Korfuzit
Ditët e fundit, në ishullin e Korfuzit u organizua një takim dypalësh për bashkëpunimin ndërkufitar, në kuadër të programit "Interreg 4", ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm përveç specialistëve, edhe përfaqësues të pushtetit vendor nga Bashkia e Korfuzit dhe ajo e Sarandës, Korçës dhe Fierit. Për pjesëmarrësit në këtë takim janë prezantuar prioritetet e programit "Interreg 4" dhe u përcaktua 28 tetori si ditë kur do të nisin të konkretizohen pikat e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me interes të përbashkët. Drejtori i Drejtorisë rajonale të Kulturës Kombëtare në Sarandë, Ilir Papa, një prej pjesëmarrësve në këtë takim, tha se mendohet të kenë projektet e përbashkëta në fushën e shkëmbimeve kulturore, projektet me përmbajtje sociale dhe ato të menaxhimit të sektorëve prioritarë për të dyja vendet, sikurse është turizmi etj.