E Shtunë, 31 Tetor 2026

Busti i Aristotel Gumës erdhi nga Greqia

Të dielën, në qytetin e Himarës u përkujtua 1-vjetori i vdekjes së 35-vjeçarit Aristotel Guma, i cili humbi jetën vitin e kaluar në një aksident rrugor, por që u interpretua nga qarqet nacionaliste si vrasje për motive etnike. Familjarët zhvilluan një ceremoni përkujtimore për 35-vjeçarin, nisur nga mesha, në varreza që prej orës 08:00, e më pas kanë shkuar në kishën e Himarës, ku ceremonia ka vazhduar edhe disa orë. Të rinj të veshur me kostume popullore të zonës kanë qëndruar pranë bustit të veshur me flamur grekë. Busti i Aristotel Gumës ka ardhur nga Greqia dhe është vendosur në kishë. Pak ditë më parë në Himarë është zhvilluar një debat në lidhje me këtë çështje, pasi OMONIA propozoi vendosjen e një busti për Aristotel Gumën, ndërsa Këshilli Bashkiak nuk ka miratuar lejen për ndërtim. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule; kryetari i OMONIA-s, Vasil Bollano, dhe zyrtarë të ambasadës greke në Tiranë. Fatmirësisht nuk ka pasur tentativa për bllokimim e rrugës, apo përplasje të mundshme me policinë, siç ndodhi një vit më parë, në kulmin e sezonit turistik, ku për ditë me radhë u bllokua aksi Vlorë-Himarë, në shenjë proteste për vdekjen e 35-vjeçarit Aristotel Guma. Pas ceremonisë “private” në varreza, vëmendja është përqendruar në kishë. Njerëzit e mbledhur aty kanë pritur për më shumë se një orë e gjysmë për ceremoninë e vendosjes së bustit në ambientet e brendshme të kishës. Busti ka qëndruar për një kohë të gjatë i mbuluar me flamurin grek. Ceremonia vijoi me mbajtjen e një fjalimi në greqisht. Në ceremoni kishte përfaqësi nga prefektura e Korfuzit, përfaqësi nga parti mbështetëse të “Omonia”-s. Në fund ceremonia u mbyll me himnin grek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›