E Diel, 1 Nëntor 2026

Kisha Ortodokse përplaset me OMONIA-n: Të hiqet busti i Aristotel Gumës

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 09-08-2011 12:33

Tiranë- Busti i Aristotel Gumës, i vendosur prej dy ditësh në oborrin e objektit të kultit, ka shkaktuar një përplasje të fortë mes Kishës Ortodokse dhe përfaqësuesve të minoritetit grek në Shqipëri. Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri, duket se ka habitur si shqiptarët, ashtu edhe grekët e mbledhur me himn e flamur bardh’ e blu në oborrin e kishës së Himarës, për të nderuar të aksidentuarin e një viti më parë, të “pagëzuar” prej tyre si hero të Vorio-Epirit. Shprehu pa asnjë rezervë “diplomatike” vendimin e tij për mbylljen e kishës së Gjithë Shenjtorëve në Himarë, përsa kohë busti i Aristotel Gumës do të qëndrojë në oborr dhe braktisi ceremoninë, duke u kthyer pak orë më vonë në “tabelë qitje” për qarqet nacionaliste e bashkëpatriotët e tij grekë. “Nuk u kërkua leja për të vendosur bustin e etno-martirit himariot në pjesën përreth kishës së Gjithë Shenjtorëve. Ju himariotët e keni zakon të shkelni mbi tokën e Kishës. Vijnë edhe ca nga Greqia, që me praninë e tyre këtu duan që të shkaktojnë trazira nacionaliste. Kjo kishë nuk do të funksionojë për aq sa jashtë është busti...” -ishin disa nga fjalët që tha mitropoliti Dhimitri, para se të largohej nga ceremonia. Vendosmëria e tij për të mos cenuar rregullat e Kishës, në emër të asnjë kauze, do të komentohej në sitet e ekstremistëve pro Vorio-Epirit si: “Ai bëri si dem i tërbuar kur pa bustin të mbuluar me flamurin grek, ndërsa u fut në kishë dhe iu kundërvu fajtorëve dhe të pafajshmëve”. Kritikat e tyre nuk kanë kursyer as kreun e Kishës Ortodokse në Shqipëri, Anastas Janullatos, për të cilin thonë se “është frikësuar nga pala shqiptare dhe bashkë me mitropolitin e Gjirokastrës po përpiqen të ndalojnë përplasjet etnike”. Edhe gazeta greke Proto-Thema i ka kushtuar hapësirë përplasjes mes Kishës Ortodokse dhe organizatorëve të ceremonisë për Gumën, ku ndër më aktivët ishin Vasil Bollano e Vangjel Dule. E përjavshmja më e madhe në Greqi e shikon këtë incident si ndryshim kursi në “politikën” e Mitropolisë së Gjirokastrës, për shkak se kreu i saj Dhimitri ka ambicie për të pasuar Janullatosin në fronin e Kishës shqiptare. “Mitropolitit i Gjirokastrës, Dhimitri, refuzoi të marrë pjesë në ceremoni, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të bustit nga oborri i kishës. Ai kërcënoi se kisha nuk do të kryejë aktivitet, derisa statuja të mbetet në atë vend”,- shkruan Proto-Thema. Gazeta citon pjesëmarrës në ceremoni, kur thonë se “Sjellja e Peshkopit Dhimitri të Gjirokastrës është si një përpjekje për të mos qenë në shënjestër nga nacionalistët shqiptarë, për shkak të ambicies së tij për të pasuar Anastasin në fronin e Kishës Shqiptare”. Ceremonia e përvjetorit të Aristotel Gumës dhe busti i bërë për nder të tij ka rikthyer edhe këtë verë “tallazet” e vjetra në Himarë. Përfaqësuesit e minoritetit grek kanë kërkuar fillimisht të vendosin bustin në vendin ku 35-vjeçari Guma ndërroi jetë, por ky akt u kundërshtua nga Këshilli Bashkiak i Himarës. Të gjendur në këto rrethana, organizatorët e ceremonisë dhe mjaft përfaqësues grekë, syresh të njohur për ekstremizmin e tyre, iu drejtuan Kishës, si të shkonin në shtëpinë e tyre. Ndoshta për herë të parë në këto vite, vendimi i Kishës Ortodokse i preu hovin misionit të minoritetit grek në Shqipëri, për të lartësuar një hero të Vorio-Epirit në oborrin e objektit të kultit në Himarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›