E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasuesi i Janullatos, si zgjidhet Kryepeshkopi i ri

SHKRUAN: Ben Andoni 09-08-2011 12:28

Do të jetë një kryepiskop shqiptar apo sërish një i huaj në fronin ortodoks shqiptar në të ardhmen?! Kjo është dilema, e cila qëndron prej kohësh mbi besimtarët e kishës ortodokse shqiptare. E fundit ishte në përvjetorin e meshimit të parë të 22 marsit në gjuhën shqipe në SHBA. Pyetja, që iu var mbi kokë Kryepiskopit grek të Kishës shqiptare Anastas ishte:

Kur do të kemi një kryepeshkop shqiptar? Institucioni më i lartë i Kishës shqiptare, që zgjedh me vota pasardhësin është Sinodi. Sipas një rregulli të pashkruar, është peshkopi më i vjetër ai që zëvendëson. Dhe, në këtë rast, Imzot Ignati, shtetas grek me origjinë arvanitase, është kandidati kryesor. Pas tij është kolegu i tij i Gjirokastrës, Dhimitri, po grek. Katër votat kryesore të mitropolitëve janë 3+1 dhe korrespondojnë gjithsesi në favor të shtetasve jo shqiptarë. Arsyeja është e thjeshtë: Mitropoliti i Beratit, Ignati, është me pasaportë greke (me origjinë arvanitase); Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri (grek nga Egjipti, ka ardhur nga manastiri i Sinait-prej vitesh në Shqipëri) dhe Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani (shqiptar) dhe është kooptuar dhe Ilia, një episkop i ri i Filominit me origjinë greke. Veç këtyre janë dhe votat e tre episkopëve, që janë më poshtë në hierarki. Por duket se kreu i Kishës nuk do jetë shqiptar. Do të ishte sistemi komunist, që do të kthente hierarkinë e përgatitur me kujdes, në ferr, ndërsa sot duket se rimëkëmbja po nis sërish nga hiçi. Pesha më e madhe e votës bie mbi primatin e Mitropolisë së Durrësit, i cili duhet të zëvendësohet në raste të jashtëzakonshme. Sipas hierarkisë, Primati i Durrësit (që ka qenë dhe peshkopi i 40-të më i vjetër i Botës) është automatikisht ai i Shqipërisë. Në ditët tona atë e mban vetë kryepiskopi. Kurse për MAPO, Imzot Joani, Mitropoliti i Korçës shprehet: Kjo pyetje nuk mund të marrë përgjigje pa pasur parasysh historinë e Kishës sonë dhe shkatërrimin e madh të saj gjatë persekutimit të egër. Nuk kishte mbetur i gjallë asnjë peshkop shqiptar dhe që ndihma nga jashtë ishte e domosdoshme për të ngritur një institucion serioz dhe funksional. Tashmë kemi mbi 140 klerikë vendës dhe midis tyre edhe peshkopë të rinj shqiptarë dhe me ndihmën e Perëndisë shpresojmë të kemi akoma më shumë. Marrë me shkurtime nga revista MAPO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›