E Shtunë, 31 Tetor 2026

Butaforia për NATO-n



Fatos Çoçoli

Pa dyshim që anëtarësimi i vendit tonë në Organizatën e Atlantikut të Veriut (NATO) në ditët e para të muajit që vjen përbën një ngjarje të madhe historike. Një zhvillim, një gur kilometrik për të cilin duhet ndaluar dhe duhen bërë analiza dhe nxjerrë konkluzione, sidomos për përgjegjësitë e reja që merr vendi. Prandaj dhe ky anëtarësim nuk është thjesht një kurorë dafinash që NATO-ja hedh mbi kryet e qeverisë së sotme. Një medalje e stërmadhe që i vendos në gjoks asaj pak para garës zgjedhore në Shqipëri. Kësisoj, dhe rendja e qeverisë për rrëmbimin e të gjitha meritave për anëtarësimin është, të paktën nga ana historike, e pabazuar. Merita reale e Shqipërisë për këtë kartë anëtarësimi shprehet shqeto nga vetë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Shefer, në një intervistë të ditëve të fundit. Ai e thotë të qartë, si drita e diellit, se “vendi juaj ka një histori të angazhimit politik dhe praktik me Aleancën. Ky angazhim meriton të shpërblehet…”. Dhe për hir të së vërtetës, kjo histori, ky angazhim politik dhe praktik të cilit i referohet Shefer, nuk nis nga 5 qershori i vitit 2005. Shumëkujt mund t’i kujtohet grupi i parë i ushtarëve shqiptarë që u dërgua në Kabul shumë më përpara kësaj date. Po ashtu edhe renditja e Shqipërisë në aleancën e boshtit të së mirës së ish-presidentit amerikan Bush në kohën e sulmit kundër Irakut. Në muajt e vështirë të vitit 2002, kur përshkallëzohej ndërhyrja në Irak, nga vendet e Europës Lindore dhe Juglindore vetëm Polonia, Kroacia dhe Shqipëria patën kurajë të rreshtoheshin pa rezerva me forcat amerikane dhe ato në NATO-s. Këto janë meritat historike dhe, pa dyshim, këto shqiptarët nuk duhet t’i largojnë nga kujtesa, kur vjen puna për të vlerësuar një anëtarësim historik të vendit të tyre. Qeveria e sotme ka merita të padiskutueshme në përmirësimin e klimës së biznesit, të kushteve për konkurrim të sipërmarrjes së lirë, në thithjen e investimeve të huaja të konsiderueshme dhe në lidhje kontratash miliarda eurosh për prodhim energjie. Po karta “NATO” nuk mund të jetë kurrsesi tërësisht e saja. Edhe pse këto ditë po mundohet me mungesë të jashtëzakonshme modestie që ta përvetësojë. Kjo padrejtësi nuk është vetëm dhe thjesht historike. Ajo ka të bëjë me lojën zgjedhore dhe këtu qytetarët shqiptarë duhet të tregohen syçelët. Kush përvetëson edhe punën e tjetrit, si zor të tregohet serioz me zotimet që merr përsipër. Prandaj edhe vetë qeveria nuk duhet t’i zërë shumë besë butaforisë për NATO-n, që po prodhon vetë me ndihmën e mediave servile. Nëse te refreni i premtimeve të mbajtura futet edhe NATO, atëherë forca politike që sot qeveris mund t’u premtojë shqiptarëve edhe qumështin e dallëndyshes. Kjo pse në premtimet e KOP-it dhe dinjitarëve blu të përpara qershorit 2005, futja në NATO ishte normale të mos përfshihej, pse kjo perspektivë me të drejtë asokohe dukej e largët. Mirëpo sot, makina prodhuese e butaforisë parazgjedhore mund të bëjë çudira. Prandaj PD-ja dhe qeveria e saj sot do të bënin mirë të baraspeshonte vlerësimet për anëtarësimin në NATO. Ndryshe, efektin bumerang e ka të garantuar. Sa më shumë të jargavitet qeverisja e sotme se “NATO-n ua solla unë, të dashur votues shqiptarë”, aq më mosbesuese do të ngjajë. NATO-ja sigurisht vlerëson reformat dhe progresin shqiptar edhe të këtyre viteve të fundit. Madje pa dyshim që ato janë një bazament në vendimet e Aleancës. Por, ama, anëtarësimi në këtë organizatë si proces është investim i disa qeverive shqiptare, i cili praktikisht ka nisur me ndihmesën e Forcave tona të Armatosura në krizën kosovare të vitit 1999 dhe në sulmin ajror të NATO-s ndaj Serbisë. Pastaj ka kulmuar në rreshtimin e Shqipërisë me SHBA-të dhe vendet e tjera të NATO-s në fushatën ndaj Irakut më 2002-shin dhe po vijon me manovrat e përbashkëta dhe grupet e punës edhe në ditët e sotme. Është investim që i kalon të 3-4 vitet e fundit. Dhe si i tillë duhet vlerësuar dhe trajtuar. Çdo deformim i kësaj të vërtete historike vetëm se do të shkurajonte shqiptarët nga të besuarit tek ajo forcë politike që kryen deformimin.

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›