Dëmshpërblimi për të përndjekurit, debate në Kuvend për rolin e ballistëve
Amendamentet e PD-së dhe të Ministrisë së Drejtësisë për zgjerimin e kategorisë së ish-të përndjekurve që përfitojnë dëmshpërblim nxitën debate gjatë seancës së djeshme parlamentare. Deputetët e dy kampeve politike debatuan jo vetëm për procedurën e ndjekur për miratimin e këtij drafti, por edhe për përmbajtjen e tij. Socialistët e konsideruan të gabuar procedurën e ndjekur, pasi projekti në fillim është paraqitur si nismë e një deputeti dhe përmbante vetëm 4 nene, më pas ai u kthye në një draft të Ministrisë së Drejtësisë prej 14 nenesh. Po kështu, socialistët u shprehën kundër zgjerimit të veprave penale, në bazë të të cilave, sipas tyre, mund të përfitojnë bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashistë. Debati më tej mes palëve është përqendruar te roli i Ballit Kombëtar gjatë luftës. Socialisti Pandeli Majko, duke iu referuar literaturës së huaj, u shpreh se Balli Kombëtar ka bashkëpunuar me gjermanët kundër partizanëve dhe kundër aleatëve anglezë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai u shpreh se projektligji nuk mund të kompensojë bashkëpunëtorët e nazistëve, të cilët luftuan kundër anglezëve dhe amerikanëve. “Ne mbajmë kryqin e përgjegjësive pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu sikurse mbajmë meritat e Luftës Nacionalçlirimtare. Ne nuk ia lejojmë të shkelni mbi varret e të parëve tanë. Bashkëpunëtorët, ata që kanë bërë krime lufte, nuk mund të dëmshpërblehen. Për nenet e tjera të ligjit ne jemi plotësisht dakord”, - është shprehur Majko. Ai u replikua nga demokrati Bujar Leskaj, i cili i hodhi poshtë faktet e Majkos, ndërsa e cilësoi Ballin Kombëtar organizatë patriotike dhe ironizoi luftën e partizanëve, duke bërë të ditur se “Vlora është çliruar nga partizanët kur gjermanët ndodheshin në Fier”.
Gjatë diskutimit për këtë draft në sallën e Kuvendit u shfaq kryeministri Berisha, i cili u përfshi në debat dhe kërkoi votën e opozitës për draftin. Ai u shpreh se drafti nuk synon dëmshpërblimin e bashkëpunëtorëve të pushtuesve. “Po vazhduat kështu, pas zgjedhjeve kryetari juaj do të bëhet Hysni Milloshi”, - është shprehur Berisha, duke iu drejtua opozitës. Projektligji synon zgjerimin e listës së veprave penale politike të përcaktuara në Nenin 5 të ligjit aktual. Në Ministrinë e Drejtësisë janë paraqitur rreth 50 kërkesa nga ish-të dënuarit për veprat penale që propozohen të shtohen dhe ky ndryshim është pozitiv për këtë kategori. Drafti zgjeron gjithashtu rrethin e përfituesve të dëmshpërblimit financiar të përcaktuar në Nenin 8 të ligjit aktual, duke përfshirë motrën, vëllanë, nipin apo mbesën e ish-të dënuarit politik. Amendamentet synojnë shtyrjen e afatit të paraqitjes së kërkesave deri në datën 1 korrik 2009, afat i cili, sipas Nenit 19 të ligjit aktual, ka përfunduar në datën 19.12.2008. Projektligji përfshin dëmshpërblimin e personave të ekzekutuar pa gjyq, si dhe personat e internuar në kampe me rrethim me tela me gjemba.
31 Mars 2009