E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësia shqiptare, dosje të re për Hamdi Haklajn

Prokuroria dërgon për gjykim vrasjen e vëllezërve Guxim e Besim Demaj. Ngjarja ndodhi në Tropojë në vitin 1993, por u zbardh shumë vite më pas

Laureta Rryçi

Tiranë - Drejtësia shqiptare ka përgatitur një dosje të re për Hamdi Haklajn. Edhe pse aktualisht ai gëzon lirinë nën statusin e azilantit në Suedi, në Gjykatën e Tiranës vetëm pak ditë më parë është regjistruar dosja e tretë në ngarkim të tij. Burime pranë Gjykatës së Tiranës pohuan dje për gazetën “Albania” se kësaj here Haklaj do të gjykohet në mungesë për vrasjen e ndodhur në vitin 1993, për zbardhjen e së cilës u desh zhvarrimi i dy viktimave. Dosja tashmë i ka kaluar procedurat e para në gjykatë, duke u përcaktuar me short që të gjykohet nga gjyqtari Gjin Gjoni.
Dosja
Në ditët e para këtij muaji, Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim në gjykatë dosjen e re për Haklajn me akuzën: “vrasje me dashje të dy personave”. Sipas institucionit të akuzës, kjo dosje ishte transferuar për hetime të mëtejshme nga Tropoja drejt Tiranës. Për vrasjen e dy vëllezërve nga Tropoja, edhe pse kishte ndodhur që në vitin 1993, Prokuroria e Tropojës duket se e ka pasur të vështirë të identifikojë autorët. Sipas akuzës, pas zhvarrimit të Guxim e Besim Demajt dhe ekspertimit të kufomave ka rezultuar se ata janë ekzekutuar nga Hamdi Haklaj. Dosja ka mbërritur në zyrën e gjyqtarit Gjoni dhe është në fazat e para kur gjyqtari njihet me materialet që ka dosja. Pritet që gjyqtari Gjoni të përcaktojë në një nga ditët në vijim seancën e parë për gjykim.
I kërkuari
Për Hamdi Haklajn, kjo dosje nuk është e para. Me gjithë problemet me Drejtësinë shqiptare, historia e familjes së tij i dhuroi statusin e azilantit në Suedi vetëm pak kohë më parë. Për Haklajn rezultojnë të regjistruara deri tani tri dosje penale. Në dosjen e parë, Hamdi Haklaj akuzohej për vrasjen e Ramë Hoxhës dhe mbesës së tij, Fatmira Hoxhës, si dhe për plagosjen e gjashtë personave të tjerë më 10 qershor 2004, në Qafë-Luzhë të Tropojës. Kjo dosje, pas tre vitesh në gjykim, u rikthye sërish në Prokurori për t’iu shtuar disa akte të tjera hetimore. Dosja e dytë kishte të bënte me vrasjen e Halil Sali Hoxhës. Ekzekutimi i tij ndodhi në shkurt të vitit 1998, në qytetin e Bajram Currit. Për këtë akuzë, kishte dalë edhe një urdhërarresti për Haklajn nga Prokuroria e Rrethit të Tropojës. Ndërsa dosja e tretë është kjo që pritet të gjykohet për të mbyllur një herë e mirë vrasjen për dy vëllezërit Demaj.

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›