E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria do të ulë në maj kontributet e sigurimeve për punëdhënësit në 15%



Kontributet e sigurimeve shoqërore për punëdhënësit do të ulen më 1 maj 2009, sipas premtimit që ka dhënë qeveria. Masa e kontributit për sigurimet shoqërore do të ulet në 15 për qind për biznesin. Ministri i Financave, Ridvan Bode, e ka argumentuar projektin për uljen e sigurimeve në kuadër të një konkurrence rajonale. "Të gjitha vendet e rajonit e kanë kontributin e sigurimeve shoqërore për punëdhënësit deri në 15 për qind, ndaj edhe Shqipëria, për t'iu përgjigjur konkurrencës rajonale, do të operojë me uljen e kësaj takse",- është shprehur ministri Bode. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar që reforma në kontribute të ndërmerret në kudër të reformës në pensione. Mirëpo sipas autoriteteve të Financave, reforma në pensione do të plotësohet në terma afatmesëm, ndërkohë që ulja e kontributit duhet t’i bashkëngjitet reformës fiskale për uljen e informalitetit. Zgjerimi i bazës së kontribuuesve përbën rrugën më të mirë për të rritur të ardhurat e buxhetit dhe përbën po ashtu instrumentin më të mirë për të nxitur zhvillimin e ekonomisë dhe të bizneseve private. Ulja e kontributit të sigurimeve është akti i fundit për uljen e taksave të drejtpërdrejta ndaj biznesit. Nëse informaliteti është dominuar në sektorët e tjerë të qarkullimit të mallrave, tregu i punës vijon të mbetet problematik dhe kjo, sipas specialistëve në Ministrinë e Financave, lidhet me presionin e madh të taksave mbi këtë treg. Vendet e tjera të rajonit e kanë të gjithë nën 20 për qind kontributin e sigurimeve shoqërore që paguan punëdhënësi.

Urdhri i kryeministrit: “Taksat vendore, jo më shumë së 10 për qind”

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një konsultë të gjerë me ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe me zyrtarë të lartë të këtij sektori, në lidhje me politikën që do të ndiqet për taksat dhe tatimet. Lajmin e kanë bërë të ditur burime zyrtare nga Kryeministria, sipas të cilëve, takimi lidhej me zbatimin e direktivës së kryeministrit “për kufizimin e abuzimeve që qeveritarët vendorë po bëjnë në kurriz të biznesit të vogël me tarifat dhe taksat e përkohshme, me të cilat po rrisin barrën mbi këtë biznes që përballon gjeneratën kryesore të punësimit në vend”. Në këtë konsultë, kryeministri ka dhënë orientim të prerë se të gjitha tarifat dhe taksat e përkohshme, të marra së bashku, nuk do të mund të jenë më shumë se 10 për qind e nivelit të përcaktuar me ligj “për taksimin e biznesit të vogël”. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e kryeministrit, Juela Meçani, tha se "tendenca e taksimit të biznesit të vogël, në një kohë kur qeveria ka pakësuar me 50 për qind barrën fiskale për këtë biznes dhe në një kohë kur për shkak të krizës ekonomike botërore vendet po ulin taksat, është e rrezikshme për punësimin dhe mbarëvajtjen e biznesit në vend".

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›