Gati për gjykim dosja ndaj ish-shoferit të Ministrisë së Transporteve
Tiranë - Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet ndaj ish-shoferit në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor, Binak Dobrushi, i dyshuar për "shpërndarje të lëndëve narkotike". Lajmi është konfirmuar dje nga burime zyrtare pranë kësaj Prokurorie që pohuan regjistrimin për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës të çështjes në ngarkim të shtetasit Binak Dobrushi. Dobrushi, i punësuar si shofer në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor, u arrestua në Tiranë, në dhjetor të vitit të kaluar, me rreth 1 kg lëndë narkotike të llojit heroinë. Operacioni për kapjen e tij u realizua nga forcat antidrogë të Policisë së Tiranës pas informacioneve operative për përfshirjen e tij në shpërndarjen e narkotikëve. Sipas të dhënave hetimore, sasia e drogës së bllokuar ishte destinuar për t'u tregtuar brenda Tiranës. Procesi gjyqësor në ngarkim të këtij shtetasi pritet të nisë këto ditë. Pas informacioneve të para, të marra në rrugë operative, agjentët e Seksionit kundër Drogës në policinë e kryeqytetit kishin nisur punën për zbardhjen e trafikut. Kështu, fillimisht 48-vjeçari ishte vënë në përgjim telefonik dhe njëkohësisht mbahej në survejim nga specialistët. Gjatë hetimeve ka rezultuar se shoferi i Drejtorisë së Transporteve prej disa muajsh merrej me shitjen e lëndëve narkotike, kryesisht heroinë. Droga dyshohej se futej nga jashtë vendit dhe kishte treg shitjeje kryeqytetin. Në momentin e arrestimit u tha se Dobrushi ka qenë krejt i papërgatitur kur po kthehej në shtëpinë e tij, në rrugën “Dhora Leka”, pranë Fushës së Aviacionit. Ai nuk i ka kundërshtuar aspak agjentët, të cilët i komunikuan akuzat dhe i vunë prangat. Sipas policisë, gjatë arrestimit Dobrushi kishte me vete 1.2 kg heroinë.
31 Mars 2009