E Diel, 1 Nëntor 2026

Butaforitë për një “mbret”

Dihet që butaforitë në skenat teatrore shërbejnë për të krijuar një dekor i cili më së shumti i jep spektatorit imazhin e një peizazhi imagjinar. Pra, të një peizazhi të gënjeshtërt, që me të mbaruar shfaqja shpërbëhet në copa-copa të lehta. Të lehta, aq sa vetëm një apo dy punëtorë të teatrit i mbartin ato me aspak mundim dhe në pak minuta i mbyllin nëpër magazina, për t’i nxjerrë që aty dhe vendosur në skenë kur shfaqja luhet përsëri. Në këtë kuptim të mirëfilltë fjala ‘butafori’ ka hyrë gjerësisht edhe në fjalorët e shumë fushave, përveç atyre të artit të artizanatit dhe të artit skenik. Ka hyrë edhe në fushën e politikës apo të propagandës si teknikë ose formë, për të dhënë përshtypje sa më të besueshme rreth shpjegimeve sa më të rreme. Por, kur njerëzit çlirohen nga efektet e jashtme dhe të çastit, atëherë sytë dhe mendjen e mbajnë vetëm te e vërteta.
Të gjitha këto u kujtohen shumë shqiptarëve tani, pas vdekjes së Leka Zogut, e cila nga disa prej politikanëve tanë u shfrytëzua për të realizuar ndonjë qëllim të rafinuar në mbajtjen e mëtejshme të pushtetit të tyre personal. Dhe, prandaj format e të shprehurit të këtij farë qëllimi u emërtuan edhe si hipokrizi e banalizuar. Hipokrizi pikërisht e atyre që gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit e pritën në Tiranë Leka Zogun me këmbët e para. Dikush, si Sali Berisha, më 1993–shin urdhëroi që vetëm pak orë pasi ai kishte zbarkuar në Hotel ‘Dajti’ të zbohej nga vendi ku kishte ardhur dhe mbajtur në xhep një pasaportë që e identifikonte si ‘Mbret i Shqiptarëve’. 4 vjet më pas, ishte pikërisht ky dikush që e mashtroi Leka Zogun, duke i vënë në dispozicion ca forca paramilitare të dhunshme në kohën e anarkisë së rrjedhur prej kolapsit të skemave piramidale, për të marshuar drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe për ta kërcënuar me rroba ushtarake dhe me patllake në brez këtë institucion shtetëror, që sipas tij paskej manipuluar rezultatin e referendumit popullor për ndërrimin apo jo të formës së regjimit. 5 vjet të tjerë më tej, kur 76 deputetë,(nga e majta në të djathtë), të Kuvendit të Shqipërisë nënshkruan një akt ligjor për lejimin e kthimit në atdhe të ish-familjes mbretërore, Berisha dhe ca dikushë të tjerë, si Fatos Nano dhe Ilir Meta, nuk pranuan ta firmosnin këtë dokument zyrtar.
Tani, kur i ndjeri ndërroi jetë, Fatos Nano dhe Ilir Meta nxituan të bëjnë homazhe mbi arkivolin e Leka Zogut. Ndërsa Sali Berisha dhe ministrat e tij nuk mund të mjaftoheshin vetëm me këtë gjest, por të paktën me deklarata nga mbledhja e Qeverisë, me mbajtjen e 1 minute heshtjeje rreth tryezës ovale të saj dhe me ndërmarrjen e një sërë masash ligjërisht antiprotokollare për varrimin e të ndjerit Leka. Të gjitha këto ndikuan jo vetëm për të shtuar disi numrin e pjesëmarrësve të mundshëm në varrimin e pretendentit për fronin mbretëror, por edhe krijuan keqkuptime të ndryshme në opinionin publik. Dhe, njëherazi, të gjitha këto në të vërtetë jo vetëm që nuk ndikuan për të nderuar kujtimin e të ndjerit edhe si pretendent për bashkimin e popullit shqiptar, por e përçanë këtë popull edhe më shumë në pikëpamjet e tij për vendimmarrjet e veta, për politikën, kulturën, historinë dhe traditat. Përse divergjenca të tilla u thelluan edhe më tej? Le të shpjegohemi shkurtimisht dhe kryesisht për dy drejtime mjaft të diskutueshme gjatë ditëve të fundit, mjaft të diskutueshme, nëpërmjet vënies në qarkullim të artificieve të sajuara nga interesat politike të çastit, nga injoranca e theksuar, naiviteti i tejskajshëm apo ligësia e papërmbajtur.
Së pari, a ka qenë ndonjëherë Leka Zogu ‘Mbret i Shqiptarëve’, siç e cilësoi Sali Berisha në mbledhjen e Qeverisë, kur mori lajmin që ai kishte mbyllur sytë përgjithmonë? I biri i një mbreti, që pjesën më të madhe të mbretërimit të vet e kaloi në ekzil; qysh në shpërgënj e kaloi kohën jashtë atdheut, pak ditë në Greqi, pak kohë në Egjipt, disa vite në Mbretërinë e Bashkuar, të tjera në Francë, më pas në Spanjë, në Afrikën e Jugut dhe, së fundmi, në Shqipëri. Rezidentimi i tij në këto vende, kurrë nuk u shoqërua me protokolle zyrtare dhe as vijoi në gjendje të qetë. Madje, ndonjëherë, edhe duke u dëbuar nën epitetin e personit ‘non gratta’, dhe disa herë duke u arrestuar për kontrabandë armësh.
Ndërkohë që, pas largimit nga Shqipëria, ai dhe familja e tij asnjëherë nuk u njohën ndërkombëtarisht si mbajtës të ndonjë Froni, përveçse u mbështetën pakëz financiarisht dhe moralisht nga ndonjë dinasti azilante si ajo e Simeonëve bullgarë në Spanjë apo sikurse nga ndonjë dinasti sovrane, si ajo e mbretit të Jordanisë. Por, edhe sikur fati t’i kishte prirë për së mbari një pinjolli të Zogollëve, duhej të kujtohej dikush për t’i dorëzuar kurorën. Dhe, pas vdekjes së të atit më 1961-in në Paris, kur segmentet përkatëse të kundërzbulimit të shtetit komunist në Shqipëri ia përcollën arkivit dosjen për ish-familjen mbretërore, cilin duhej të përfaqësonte ky dikush? A mund ta kishin legjitimitetin e nevojshëm një dorë apo një grup simpatizantësh shqiptarë azilantë, të vetëquajtur “Asambleja Kombëtare Shqiptare në Ekzil”, që t’i dorëzonin zyrtarisht Kurorën Leka Zogut?
Së dyti, a iu kthye këtij pretendenti të Fronit dhe familjes së tij statusi i dikurshëm mbretëror me aktin e firmosur më 2002-in nga 76 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, siç u shprehën këto ditë disa media të vendit tonë gjatë transmetimit prej tyre të kronikave të homazheve dhe varrimit? Realisht, ai dokument nuk përbënte veçse një leje ligjore në formë ftese për Lekën dhe familjen e tij, që të mund të realizohej kërkesa e tyre për banim të përhershëm në atdhe. Një leje apo ftesë kjo e bazuar jo vetëm në të drejtën e kërkuesit, por edhe në obligimet e shtetit tonë të lindura veçanërisht pas pranimit të tij në Këshillin e Europës dhe ratifikimit të një sërë aktesh ndërkombëtare dhe rajonale në fillim të viteve ’90, për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përkatësisht atë të lëvizjes së lirë të individit dhe respektimit të vendbanimit. Por, edhe nëse ata deputetë do të dëshironin që akti i firmosur prej tyre të bënte të mundur legjitimimin e statusit të dikurshëm të ish- familjes mbretërore, kjo nuk mund të arrihej kurrsesi. Nuk mund të materializohej kurrsesi, sepse ky status nuk ishte i ndërlidhur thjesht nga suprimimi apo jo i një vendimi të Kongresit të Përmetit (1944), sipas të cilit, Ahmet Zogut dhe familjes së tij u ndalohej hyrja në Shqipëri.
Qysh në vitet ’50 ka qenë shtruar një tezë nga doktrina jonë kushtetuese dhe e argumentuar gjithashtu në një tekst universitar të mëpasshëm (“E Drejta Kushtetuese e Republikës Popullore të Shqipërisë”, Tiranë, 1963), tezë kjo që u ndesh fillimisht me diskutime kundërshtuese, të ngjizura prej frymëzimeve nostalgjike të fitoreve ndaj nazi -fashizmit, por që gradualisht u pranua haptazi apo heshturazi nga qarqet akademike dhe politike. Sipas saj, Kongresi i Përmetit, një eveniment në kohë lufte ky, nuk mund t’i shtrinte vendimet e tij mbi një bazë ligjore të plotë në këtë fushë. Për më tepër, një vendim tjetër i rëndësishëm i këtij Kongresi, parashikonte se pas Luftës do të ishte vetë populli shqiptar ai që do të përcaktonte formën e regjimit qeverisës, nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të përgjithshme. Dhe, kur Asambleja Kushtetuese e dalë nga këto zgjedhje të zhvilluara më 2 dhjetor 1945 miratoi Kushtetutën e re, e cila sanksiononte për shtetin shqiptar formën e një republike parlamentare, atëherë monarkia mori fund edhe de jure.
Prej asaj kohe, gjatë gjithë funksionimit të tij, shteti shqiptar asnjëherë nuk e ndryshoi paraqitjen si republikë parlamentare. Ky emërtim përcaktohet edhe në dispozitën e parë të Kushtetutës në fuqi (neni 1/1), që nuk mund të vihet në pikëpyetje as nga një kryeministër, si Sali Berisha, deklarata e të cilit për shtrembërimin e rezultateve të referendumit të vitit 1997 s’ka asnjë mbështetje, qoftë faktike, qoftë jurisprudenciale, përderisa ekziston edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese që ka hedhur poshtë pretendime të tilla. Në këto kushte, t’i mbushësh mendjen të birit të të ndjerit (që në vend t’i jepte lamtumirën të atit, iu përbetua në buzë të varrit për të vazhduar të njëjtën rrugë), se ka të drejtë gjithashtu të vetëshpallet “Mbret i Shqiptarëve”, ky titullim i rremë do të shkaktonte të nënqeshura sa herë të shfaqej në publik ky djalosh i pafajshëm, apo qoftë edhe vetëm të përmendej emri i tij: Leka Zogu II.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›