Marrëveshje e kufijve, EULEX me rol të papërcaktuar
Pala serbe këmbëngul që roli i EULEX-it të jetë ekzekutiv, ndërsa Prishtina zyrtare të jetë vetëm vëzhguese. Tahiri, ndërkaq theksoi që EULEX-i duhet të ketë rol këshillues
Ndërsa në Beograd thonë se nuk bëhet fjalë për marrëveshje të integruar të kufirit, shefja e delegacionit kosovar në bisedimet me Beogradin, Edita Tahiri, tha se marrëveshja parasheh shtrirjen e autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit. Ajo theksoi se me të është vulosur aksioni policor i 25 korrikut, që për qëllim pati marrjen e kontrollit të pikave kufitare në veri, ndërsa bëri të ditur se marrëveshja do të shoqërohet me protokollin teknik.
Tahiri sqaroi se marrëveshja është në përputhje me legjislacionet e të dyja palëve që nënkupton zbatimin e saj, sipas dokumentacionit shtetëror të palës përkatëse, në objekte të përbashkëta në gjashtë “pika kufitare”. Zëvendëskryeministrja Tahiri theksoi se i takon Beogradit të nxisë heqjen e tërësishme të barrikadave nga pjesa veriore e vendit.
“Një prej veprimeve që mund ta bëjë zoti Tadiç, pavarësisht ndikimeve të kufizuara politike është që t’i ndalë financimet e strukturave paralele, sepse ato i ka në dorë ai”, - tha ajo për të shtuar se marrëveshja për lirinë e lëvizjes parashihet të zbatohet që nga 26 dhjetori, ndërsa ajo për, siç e quajti ajo, menaxhimin e integruar të kufirit, do të nisë së zbatuari “operacionalisht” sa më shpejt që është e mundur. Rol në zbatimin e saj parashihet të ketë dhe misioni teknik i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë.
Mirëpo, edhe këtu anojnë në kahe të ndryshme vlerësimet ndërmjet zyrtarëve serbë dhe atyre kosovarë. Pala serbe këmbëngul që roli i EULEX-it të jetë ekzekutiv, ndërsa Prishtina zyrtare të jetë vetëm vëzhguese. Tahiri, ndërkaq theksoi që EULEX-i ta ketë rolin këshillues, lehtësues dhe monitorues në këtë drejtim. “Sipas kësaj marrëveshjeje precizohet qartë se EULEX-i do të veprojë në harmoni me mandatin që e ka në Kosovë dhe mandati i tij është i qartë. Pra, është në disa fusha, ndërsa në fushën e policisë dhe të doganave EULEX-it do të jetë mbështetës - pra në misionin e sundimit të ligjit”, - tha ajo.
Vetë EULEX-i i dha Radios ‘Evropa e Lirë’ një përgjigje, e cila nuk saktëson rolin e misionit në zbatimin e marrëveshjes. “EULEX-i është duke e studiuar marrëveshjen e arritur. Misioni do të luajë rol në implementimin e marrëveshjes, mirëpo roli i saktë do të përcaktohet me kalimin e kohës. Detajet mbi zbatimin e marrëveshjes do të përpunohen në mes palëve. Sidoqoftë, EULEX-i është i gatshëm të ndihmojë”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it. Pavarësisht kësaj, në taborin opozitar marrëveshja për pikëkalimet kufitare u cilësua, ditë më parë si e dëmshme për Kosovën, ndërsa e favorshme për avancimin e Serbisë drejt BE-së. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili kohë më parë kishte insistuar që një marrëveshje për kufirin me Serbinë do të mund të realizohej vetëm nëse do të njihej kufiri shtetëror i Kosovës, shprehu bindjen se marrëveshja e arritur do të jetë në përputhje me legjislacionin e vendit.
I pyetur nëse do të mbështetej ideja e deputetëve që marrëveshja e arritur në fund të javës së kaluar të shtrohet për diskutim në kuvend, Krasniqi u shpreh: “Nëse grupet parlamentare bëjnë kërkesë për ta futur në rend të ditës në mbledhjet parlamentare, ne jemi të gatshëm që ta bëjmë atë”, - theksoi Krasniqi. Marrëveshja për pikëkalimet kufitare parasheh që palët “gradualisht të vendosin objektet e përbashkëta, të integruara, të veçuara dhe të sigurta doganorë në të gjitha pikëkalimet kufitare ndërmjet tyre”. Por, analisti Avni Zogiani e cilësoi marrëveshjen e arritur si zgjidhje teknike, ndërsa shfaqi mosbesimin që me të të jetë zgjidhur edhe problemi politik ndërmjet Kosovës e Serbisë. Rrënja e këtij problemi, sipas Zogianit qëndron në njohjen reciproke ndërmjet të dyja vendeve dhe në situatën e krijuar në veri të Kosovës. “Nuk e besoj që do të ketë zgjidhje të situatës në terren. Unë mendoj se pa u përballuar të dyja palët me problemet politike-përfshirë këtu edhe me çështjen e veriut, nuk do të ketë zgjidhje teknike që do të ndihmojë. Kjo eventualisht mund të qetësojë palët për një moment, por nuk e besoj që mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme”, - u shpreh Zogiani. Pesimiste për vullnetin politik të Beogradit në zbatimin e marrëveshjeve u shpreh edhe zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri. Megjithatë, ajo tha se garantues për zbatimin e dokumenteve në fjalë do të jetë Brukseli dhe Uashingtoni zyrtar. E pakompromis, sipas saj, do të tregohet Qeveria e Kosovës ndaj mos-heqjes së barrikadave dhe ndaj atyre që po shkaktojnë bllokadat në veri të vendit. Edona Peci/ ‘Evropa e Lirë’