E Shtunë, 31 Tetor 2026

800 minatorë e metalurgë kërkojnë punë

BURREL/BULQIZË-Minatorët e Bulqizës dhe metalurgët e Burrelit kanë vetëm një kërkesë drejtuar qeverisë dhe kompanisë austriake ACR, të fillojë puna në minierën e kromit dhe Uzinën e Ferrokromit. Janë më shumë se 800 minatorë e metalurgë që i kërkojnë Ministrisë së Ekonomisë të imponojë firmën e huaj koncesionare të realizojë marrëveshjen koncesionare duke rikthyer në vendet e tyre të punës këta qindra punëtorë. Dy javë më parë, metalurgët e Burrelit morën lajmin se brenda vetëm pak ditëve uzina do të riniste nga puna, mirëpo ende ky lajm nuk është kthyer në realitet, madje ka detyruar sindikalistët të vetorganizohen për protesta apo grevë urie. Ndërkaq, u tha se pritet që javën e ardhme 700 minatorët e Bulqizës t’i rikthehen punës në galeri. Lajmin e konfirmoi për “Mapo”-n, presidenti i Sindikatës së Punonjësve të Industrisë, Taf Koleci. Ai nënvizoi se dy ditë më parë, përfaqësues të këshillit sindikal të minatorëve dhe ata të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë kanë pasur një takim me ministrin e Ekonomisë, Nasip Naço. “Ne, - tha Koleci, - i kërkuam ministrit të linjës të ndërhyjë që firma koncesionare të zbatojë të gjitha detyrimet dhe të mundësojë rifillimin e punës në të gjitha nivelet. Minatorët aktualisht përballen me probleme të shumta ekonomike dhe vetëm rinisja e punës mund t’iu vijë në ndihmë atyre për të rritur të ardhurat e për të festuar festat e fundvitit”, - theksoi Taf Koleci. Ai shtoi se RISHM dhe AKBN vijojnë kontrollet për zbatimin e detyrave të lëna, ndërkohë që zyrtarët e ACR-së nuk prononcohen rreth fatit të minierës së kromit. Nga 1 korriku i këtij viti e deri më tani, miniera e Bulqizës është jashtë loje, madje specialistë të njohur të minierave shprehen se fati i minierës më të madhe në Ballkan nuk dihet. P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›