E Diel, 1 Nëntor 2026

Butrint, 4 organizatorë për lundrimin e vdekjes në liqen

 

Trazhgim Sokolaj

Vdekja e dy personave që ndodheshin në varkën që u mbyt në liqenin e Butrinit ka futur në lojë Prokurorinë e Krimeve të Rënda e cila filloi dje hetimet për këtë linjë trafiku të klandestinëve. Burime zyrtare nga organi i akuzës, thanë se Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në vendngjarje oficerët dhe prokurorët e saj të cilët në bashkëpunim me policinë e Vlorës dhe të Sarandës, kanë filluar veprimet hetimore. Sipas burimeve zyrtare, mesditën e djeshme është arritur të identifikohen katër persona, si organizatorë dhe udhërrëfyes të klandestinëve, të cilët mbrëmjen e së dielës tentuan të kalonin Liqenin e Butrintit për të hyrë më pas në Greqi. Identifikimi i organizatorëve të këtij rasti trafikimi, mësohet se është bërë përmes informacioneve të marra në rrugë operative, këqyrjes së telefonave të klandestinëve të mbijetuar, si dhe marrjes së deklarimeve prej tyre. Në telefonat e disa klandestinëve mësohet se janë gjetur numrat telefonikë që kanë përdorur trafikantët për të grumbulluar klandestinët në jug të vendit e më pas për të organizuar udhëtimin e tyre në drejtim të Greqisë. Sipas hetimeve, mësohet se klandestinët kanë mbërritur në Sarandë të ndarë në dy grupe. Ata më pas janë udhëhequr në drejtim të zonës ku ishte caktuar të bëhej nisja dhe pasi janë bashkuar të gjithë, ka nisur udhëtimi i vdekjes, i cili ka qenë fatal për gruan nga Berati dhe foshnjën e saj 3-muajshe. Sipas hetimeve të zhvilluara gjatë ditës së djeshme, mësohet se trafikantët kanë qenë në kontakt me klandestinët prej disa ditësh. Ata kanë organizuar grumbullimin e tyre në qytetin e Fierit mëngjesin e së dielës dhe më pas në mënyrë të organizuar kanë udhëtuar me tri makina në drejtim të Sarandës. Zëdhënësi i policisë së shtetit, Klodian Branko, deklaroi dje në një konferencë për shtyp, se një grup i posaçëm hetimor, i drejtuar nga Prokurori i Rrethit të Sarandës është ngritur dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes. "Nga hetimet e kryera deri në këto momente, ka rezultuar se drejtuesit e barkës së mbytur janë identifikuar dhe po punohet për dokumentimin e veprimeve të tyre në këtë ngjarje, si dhe arrestimin e tyre. Gjithashtu, nga pyetja e personave të shoqëruar, është bërë i mundur identifikimi i personave që kanë organizuar kalimin e paligjshëm të kufirit nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, por për arsye hetimi emrat e katër të dyshuarve që organizuan këtë kalim të paligjshëm të kufirit nuk bëhen të ditur", është shprehur zëdhënësi i policisë së shtetit. tr.so

Trafikantët në kërkim

Yqmet Sollaku,     banues në Fier, në kërkim Albert Gega,     banues në Fier, në kërkim Brahim Madhi,     banues në Fier, në kërkim Bashkim Sena,     nga Cërriku, i arrestuar për  shoqërimin e klandestinëve Ahmet Bushi,     nga Saranda, pronar i varkës

Identifikohen trafikantët e rrjetit, tre prej tyre janë fierakë

FIER - Pas ngjarjes në liqenin e Butrintit, një grup specialistësh nga policia e Fierit, në bashkëpunim me policinë e Sarandës kanë marrë takim me të mbijetuarit. Blutë e Fierit nisën hetimin dhe morën kontakte me klandestinët pasi pjesa dërrmuese e tyre ishin qytetarë të kësaj zone, si edhe nga Lushnja dhe Berati. Pas deponimeve të tyre rezultoi se tre nga katër trafikantët e klandestinëve ishin nga Fieri. Burime të policisë bënë të ditur se trafikantët e identifikuar, dhe të shpallur në kërkim janë shtetasit, Yqmet Sollaku nga fshati Kuman, Albert Gega, po nga fshati Kuman dhe Brahim Madhi, banues në Roskovec. Në komisariat mësohet se janë shoqëruar edhe persona të tjerë të cilët dyshohet se janë të implikuar me trafikantët për gjetjen e klandestinëve. Ata po merren në pyetje për të zbardhur faktin nëse kanë qenë të pranishëm në momentin e përmbysjes së varkës, por edhe si e organizonin mbledhjen e klandestinëve. Sipas burimeve, grumbullimi dhe transporti i klandestinëve nga qyteti i Fierit për në Sarandë bëhej nga më shumë se 5 persona. Ata u siguronin shtetasve që do të kalonin kufirin fjetje dhe ushqim deri në momentin e plotësimit të grupit dhe mbërritjes në shtetin fqinj. Po të njëjtat burime bëjnë të ditur se transportuesit punën në terren e bënin nëpërmjet njohjeve dhe të afërmve të të interesuarve. Kryesisht ishin të rinj nga zonat rurale ata që deri në këto momente kanë qenë "klient" të trafikantëve.                         m.r

“Morëm masa për zvogëlimin e tragjedisë”

Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, tha dje se u morën masa që tragjedia të mos merrte përmasa më të mëdha. "Më lejoni t`ju shpreh ngushëllime familjarëve të atyre që kanë humbur jetën në këtë tragjedi që ndodhi dje në liqenin e Butrintit. Në fakt,  sigurisht qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe marrja e masave për të penguar që kjo tragjedi të shumëfishohej kanë qenë prezent që në orët e para të ngjarjes. Ju e dini tashmë se keni pasur një deklaratë zyrtare nga Ministria e Brendshme", tha Bregu. Sipas saj, kjo tragjedi do të analizohet deri në detaj. "Sigurisht që asnjë ngjarje, e cila ka viktima, nuk është një ngjarje që mund të kalohet lehtësisht. Ne kemi dëshmuar gjatë gjithë kësaj kohe një menaxhim dhe siguri më të mirë të kufijve tanë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka raste sporadike të kalimit klandestin të kufirit", tha Bregu.

“Shteti nuk mbron jetën e shqiptarëve”

Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, shprehu dëshpërim për rolin e shtetit, i cili, sipas saj, nuk mundi të mbronte jetën e qytetarëve të tij. Ndjehemi të dëshpëruar që përsëri bëjmë ngushëllime për të tjera familje shqiptare, që janë sot në hall e në dhimbje të parrëfyeshme për shkak se shteti nuk mbrojti jetën e njerëzve të tyre. Ndjehemi të dëshpëruar që një tjetër vdekje në grup na tregon një tjetër vrimë të zezë të korrupsionit vrastar, këtë herë në detin ku qeveria krenohet se ka ndaluar me ligj çdo mjet lundrimi", tha Leskaj. Sipas saj, varfëria po shtyn shqiptarët në korridoret e trafikut të qenieve njerëzore, ku po humbin dhe jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›